Ingrid Xhafa
Fillim viti 2016, e ka gjetur Ministrinë e Mirëqeniës Sociale dhe të Rinisë (MMSR) të angazhuar në disa fusha, por çështja kryesore që ka përcaktuar axhendën e Ministrit Klosi për 2 muajt e fundit ka qënë padyshim Programi Kombëtar i Punësimit. Në kushtet ku çështja e punësimit është konsideruar dhe trajtuar si një nga problemet kryesore të vendit gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, vëmendja e qeverisë shqiptare dhe veçanërisht e Ministrisë së Mirëqenies Sociale ndaj punësimit, vlen për t’u përshëndetur. Megjithatë, ndryshimet përkatëse në legjislacion, politikat e ndërmara në këtë kuadër, deklaratat për shtyp, prezenca e lartë e vetë Ministrit dhe zyrtarëve të ministrisë në zyrat e punësimit, takimet me sipërmarrës në gjithë territorin dhe daljet e shumta televizive, ende presin të faktorizohen në rritje të nivelit të përgjithshëm të punësimit në vend, gjë që deri më sot nuk dokumentohet të ketë ndodhur. Kështu, statistikat nga INSTAT për tremujorin e tretë të 2015-tës vazhdojnë të tregojnë se niveli i papunësisë është ende i lartë me 17,5 % të grupmoshës aktive dhe 32, 3% për të rinjtë e grup-moshës 15-29 vjeç. Shifrat e fundit numërojnë rreth 226, 281 të papunënë Shqipëri (INSTAT, Dhjetor, 2015).
Por, pavarësisht nivelit shumë të lartë të papunësisë, sidomos te të rinjtë, qeveria shqiptare dhe MMSR-ja si pararojë, kanë ndërmarrë një fushatë intensive të promovimit të programeve të nxitjes së punësimit, ku argumentojnë se shkaku kryesor i papunësisë në Shqipëri nuk është te mungesa e vendeve të lira të punës, por te mungesa e profesionistëve, që nënkuptohet si mugesë e kapaciteteve dhe aftësive të forcës punëtore në vend. Gjithashtu, Ministri Klosi pretendon që në 2 vitet e fundit janë punësuar rreth 200 mije persona dhe se sipërmarrja vazhdon të ofrojë vende të lira pune, por nuk arrin të gjejë profesionistë. Në këtë drejtim, janë ndërmarrë nisma të forcimit të arsimit dhe trajnimit profesional, për t’iu përgjigjur kërkesave të biznesit.
Megjithatë, raporti i fundit (Prill 2015) i grupit të Bankës Botërore mbi Analizën Sistematike që i bëhët vendit, fokusuar thelbësisht mbi performancën socio-ekonomike, nuk e përmend mungesën e kapaciteteve të forcës punëtore si shkakun kryesor të papunësisë, por e lidh këtë me situatën e vështirë ekonomike të vendit. Kështu, një ekonomi me ritme te ngadalta rritjeje, me një borxh publik që është rritur me 15 % në 7 vitet e fundit, me politika fiskale të dobëta dhe kontroll të ulët ndaj menaxhimit të financave, është shkencërisht e pamundur të gjenerojë vende të reja pune. Sigurisht kjo nuk e përjashton faktin që mund të ketë mospërputhje mes kualifikimeve të fuqisë punëtore dhe kërkesave specifike të tregut, një fenomen që është prezent edhe në vendet më të zhvilluara të botës.
Në përgjithësi, ky raport nuk synon të argumentojë kundër programeve të nxitjes së Punësimit, që konsiderohen prioritare nga qeveria shqiptare dhe që kanë filluar të zbatohen nga MMSR-ja. Megjithatë, siç është vënë në fokus dendur nga shtypi, apo ekspertë të fushës, qasja e qeverisë në përgjithësi dhe e Ministrisë në veçanti në trajtimin e forcës punëtore si joprofesioniste dhe “dembele” është e papërshtatshme dhe në thelb diskriminuese. Pavarësisht skemave dhe programeve që janë ndërmarrë në nxitje të arsimit dhe trajnimit profesional në përputhje me kërkesat e tregut, nevojitet një qasje rigoroze, racionale dhe sistematike në adresimin e çështjeve të punësimit në vend. Kjo qasje duhet të jetë në kontrast me politikën e bazuar mbi opinione (opinion-based policy), e cila mbështetet kryesisht në pordorimin e fakteve selektive (pavarësisht cilësisë) ose në pikëpamjet e paprovuara të individëve apo grupeve të caktuara, të cilat janë shpesh të frymëzuara nga pikëpamje ideologjike, paragjykime, ose hamendje spekulative. Në këtë rast, konsultimi vetëm me grupet e interesit (sipërmarrës të ndryshëm) nuk është indikator i mjaftueshëm, në përcaktimin e qasjes institucionale ndaj problemit të punësimit në vend.
Për më tepër, mbështetja institucionale ndaj programeve specifike të trajnimit profesional duhet bazuar në një studim të mirëfilltë të tregut, kërkesave dhe ofertave për punë, përtej studimit të pjesshëm që gjendet në Strategjinë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi 2014-2020. MMSR-ja duhet ta shtrijë këtë qasje edhe në sistemin e arsimit formal, ku kurrikula dhe orientimet për karrierën, të bazohen në studime të mirëfillta dhe të përditësuara të tregut. Gjithashtu, ministria dhe agjensitë e varësisë duhet të forcojnë skemat e ndërveprimit me punëdhënësit, të cilët duhet të ofrojnë kontribut real në ofrimin e kurseve dhe trajnimeve, përveç se të kërkojnë një fuqi punëtore të kualifikuar sipas nevojave të tyre specifike. Një platformë inkurajuese ndërlidhëse në këtë drejtim do të ishte edhe ajo mes sipërmarrësve dhe studentëve, ku ministria/organet varëse mund të lehtësojnë ngritjen e skemave mbështetëse, ku studentët incentivohen nëpërmjet bursave të nevojës apo meritës në programe specifike studimi, që mbulohen financiarisht nga grupet e biznesit.
Zv. Ministrja Gentiana Mara (Sula) është shprehur se ndër të tjera, një nga arsyet e papunësisë lidhet me varësinë e krijuar nga skemat e solidaritetit që ka në Shqiperi, e lidhur kjo kryesisht me pagesën e papunësisë apo ndihmën ekonomike. Nuk dihet nëse këto gjetje kanë një natyrë studimore dhe çfarë metodologjie është përdorur për të arritur në këtë përfundim, por është e udhës të përmendet se skema e ndihmës së papunësisë është më pak se 7 mijë lek në muaj, ose afërsisht 2$ në ditë, që njihet edhe si niveli ndërkombëtar i varfërisë sipas Bankës Botërore. Kurse ndihma ekonomike varion në mënyrë të diferencuar për secilën kategori, duke filluar nga 900 lek në muaj për anëtar të familjes më të vegjël se 18 vjeç, deri në 1 mijë e 800 lek/muaj për kryefamiljar, dhe se nuk mund të shkojë më shumë se 7500 lekë në muaj për familje, pavarësisht numrit të anëtarëvë të familjes. Duke konsideruar vlerën e këtyre të ardhurave, është e vështirë të besohet, se njerëzit preferojnë të kultivojnë varësi ndaj skemave të ndihmave ekonomike apo pagesës së papunësisë, që i lënë në kushtet e një varfërie ekstreme, në vend që të kërkojnë punë në mënyrë aktive. Nga ana tjetër, mund të jetë e vërtetë që ndodhin abuzime me skemat e solidaritetit, si favorizimi i asaj që njihet si puna në të zezë, ku punëkërkuesit mund të mos deklarohen në organet tatimore në rast punësimi, në mënyrë që të vazhdojnë të përfitojnë padrejtësisht nga skema e ndihmave. Megjithatë këshillohet të forcohen mekanizmat e kontrollit që këto raste mos të ndodhin, në vend që të përdoren instrumenta të tilla ligjore siç është rasti i përjashtimit nga skema e punëkërkuesit në rast se punëkërkuesi refuzon punën e ofruar apo kurset e formimit profesional qoftë edhe njëherë të vetme.
Konkluzioni i përgjithshëm nga studimi i funditi Bankës Botërore, thotë se në Shqipëri ekziston një lidhje e fortë mes rritjes ekonomike dhe zbutjes së varfërisë. Duke analizuar këtë lidhje, dhe konsideruar politikat e shumta ndër-ministrore, sygjerohet që MMSR-ja të konsolidojë lidhjen ndër-institucionale me ministritë e tjera, sidomos me atë të Financave, Ministrinë e Ekonomisë, Arsimit, Drejtësisë etj. jo vetëm në forcim dhe harmonizim të kuadrit të politikave, kuadrit ligjor dhe institucional, por edhe në hartimin planeve të përbashkëta të veprimit. Programet e trajnimit profesional, edhe pse të domosdoshme, nuk duhen trajtuar si zgjidhje shteruese të problemtikave që lidhen me punësimin në Shqipëri.
Referenca:
http://www.instat.gov.al/media/318434/atfp_t3_-_2015.pdf
(http://www.reporter.al/ëp-content/uploads/broshure-ËB-1.pdf )
http://www.gazetadita.al/intervista-vende-pune-ka-por-mungojne-njerezit-e-afte/