Endrit KAPAJ
Ministria e Drejtësisë, në këtë fillim viti, ka ndërmarrë disa iniciativa konkrete me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimeve të insitucioneve të varësisë.
1. Fund rradhave në dyert e Hipotekës.
Nëpërmjet një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Dhomës Kombëtare të Noterëve (DHKN) dhe Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP), synohet të realizohet një projekt pilot në Bashkinë e Tiranës ku tashmë aplikimi për shërbimet e ZRPP të kryhen nga Noteri, pra në këtë mënyrë u jepet e drejta noterëve për të aplikuar online në regjistrin elektronik të pasurive.
Nisur edhe nga përshtypja e publikut lidhur me korrupsionin dhe cilësinë e shërbimeve pranë ZRPP-ve, duhet thënë se kjo iniciativë jo vetëm që lehtëson barrierat burokratike por në të njëjten kohë kufizon kontaktin nëpunes/publik duke reduktuar mundësitë e mitmarrjes. Gjithashtu, nëpërmjet aplikimeve online synohet të rritet efikasiteti në veprimet administrative duke patur afate të paracaktuara dhe të verifikueshme.
2. Mbrojtje dhe siguri juridike në kontratat e shit/blerjes të pasurive të paluajtshme.
Duke mbetur përseri tek pasuritë e paluajtshme, Ministri I Drejtësisë ka mbrojtur dhe dhënë shpjegime para Komisionit të Ligjeve në lidhje me projekt ligjin “Mbi regjistrimin e pasurive të paluajtshme”. Ky projekt ligj synon rritjen e sigurisë juridike në qarkullimin civil të sendeve të paluajtshme që I nënshtrohen rregjistrimit, duke I dhënë fund spekulimeve në kurriz të qytetarëve, të cilët kanë rënë pre e shitjeve fiktive dhe mashtrimeve. Gjithashtu, duke futur në kuadër formal dhe stabilizuar kredidhënien nga sektori bankar në Shqipëri.
3. Avokatët në grevë, kërkojnë ndryshimin e ligjit për përcaktimin apriori të masës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Gjatë muajit shkurt, Dhoma Kombëtare e Avokatëve (DHKA) shpalli dy greva të njëpasnjëshme, me datë 8 shkurt dhe një greve tjetër tre ditore, në datat 24 deri 26 shkurt. Dhoma Kombëtare e Avokatëve, nëpermjet kësaj greve kërkon ndryshime ligjore për përcaktimin e pagës mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për avokatët e regjistruar si të vetpunësuar .
Avokatët në rang vendi bojkotuan, duke mos marrë pjesë, të gjitha seancat në gjykatat e të gjitha niveleve, perveç rasteve të masave të sigurimit personal. Zhvillimi I kësaj greve paralizoi funksionimin normal të Gjykatave, duke detyruar Ministrin e Drejtësisë të ulet në tryezë me përfaqësuesit e Dhomës Kombëtare të Avokatëve për të gjetur rrugët e zgjidhjes. Lidhur me këtë problem, Presidenca e CCBE (Këshillit të Bareve dhe Shoqërive Ligjore të Europës) ka dërguar pranë Kryeministrit Edi Rama një letër ankese ku kërkon tërheqjen e Qeverisë nga kjo iniciativë lidhur me Avokatët .
Rritja e pragut për përcaktimin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, ndikon negativisht kryesisht për Avokatët e rinj, për të cilët bëhet e papërballueshme financiarisht ushtrimi I aktivitetit të tyre duke çuar në mbylljen e aktivitetit dhe çregjistrimin e tyre nga organet fiskale. Gjithashtu, kjo rritje godet edhe Avokatët të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre në qytete dhe rrethe të tjera, duke patur parasysh aktivitetin dhe masën e shpërblimit të reduktuar.
4. Kthimi I pronave një (pa) drejtësi pafund.
Ministria e Drejtësisë aktualisht është duke u përballur me kundërshti të shumta në lidhje me miratimin e ligjit “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e pro9esit të kompesimit të pronave”, ose siç njihet si ligji për kompesimin e ish pronarëve .
Kundërshtitë kanë qenë mjaft të forta në lidhje me vlerën monetare të kompesimit të sipërfaqeve të shtetëzuara gjatë periudhës 1945 deri 1990.Këto kundërshti nga grupet e interesit si shoqatat e ndryshme të ish pronarëve kanë mbërritur në dyert e Gjykatës Kushtetuese. Në eventualitetin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në favor të pretendimeve të ish pronarëve duke shpallur si antikushtetues dispozitat e ligjit të mësipërm, përsëri do të bënte që Agjensia e Kthimit dhe Kompesimit të Pronave të ndryshonte kuadrin rregullator dhe funksional të saj duke çuar në zvarritje të vendimmarrjes së saj për dosjet që presin aty me vite dhe ndoshta me dekada.
Disa fjalë mbi Reformën në Drejtësi.
Reforma e sistemit vjen si domosdoshmëri, si një kërkesë e opinionit publik, e shprehur fort dhe qartë në të gjitha sondazhet e perceptimit të këtij sektori si të korruptuar, jo efiçent dhe jo gjithmonë në shërbim të realizimit të drejtesisë.
Komisionit të posaçëm të ngritur për këtë qëllim I janë ngarkuar tri detyra:
1. të skanojë tërësisht sistemin e drejtësisë;
2. të përgatisë dokumentin e politikave ku do të përcaktohen objektivat e ndërhyrjes apo dhe synimet afatgjata;
3. hartimin e paketës së nderhyrjeve Kushtetuese.
Komisioni asistohet nga ekspertë të nivelit të lartë vendas dhe ndërkombëtar, ku produktet e punës së tyre mund ti gjeni on line http://reformanedrejtesi.al/
Çështja e adresimit të besimit social të humbur, rendit ligjor dhe institucioneve.Lufta kundër korrupsionit ka peshën më të madhe: Institucionet ngrihen nga besimi i publikut i shprehur me votë, dhe nga besimi i publikut për të kontribuar nëpërmjet taksave për të bërë që institucionet të funksionojnë.Pra njerëzit i besojnë politikanëve dhe administratorëve paratë dhe votën dhe kanë të drejtë të kërkojnë të mos u shkelet kontrata e besimit.Çdo praktikë e abuzimit, qoftë edhe perceptimi, kanë efekt rrënues për besimin e qytetarëve tek institucionet e shtetit të cilin e ndërtojnë me votën dhe paratë e tyre.
Nëse sot ka reforma të rëndësishme që reduktojnë hapësirat për korrupsion, ende nuk mund të thuhet e njëjta gjë për ndëshkimin e rasteve. Retorika politike nuk lejon të shikohet me objektivitet as nga vëzhgues të pavarur se çfare ndodh me luftimin e rasteve të korrupsionit. Një nga konsideratat e përgjithshme që janë kthyer në klishe të të gjykuarit edhe në nivele studiuesish, apo analizash të pavarura është se krimi I korrupsionit nuk po ndëshkohet.Kjo bëhet edhe më e besueshme kur bëhet fjalë për raste të dështimit të drejtësisë të provojë fajësi për nivele të larta të politikës, të cilat natyrshëm tërheqin më shumë vëmendje.Por nëse shikojmë të dhënat e Prokurorisë, hetimi I denoncimeve për korrupsion dhe paraqitja në gjyq e tyre në mënyrë të suksesshme, pra fituese nga ana e prokurorisë ka një shkallë më të lartë se veprat e tjera penale.Nëse mesatarja e veprave të tjera penale është diku tek 30% hetim i suksesshëm dhe fitimi i çështjes në gjykatë, për veprën e korrupsionit kjo është gati 60%.Por vëmendja e analizës, studimeve dhe e publikut, por edhe më keq e atyre që janë të interesuar për fushën mbetet e gozhduar tek konsiderata e përgjithshme që korrupsioni nuk dënohet. Me sa duket perceptimi kërkohet të luftohet po me perceptim, vetëm po u dënua ndonjë zyrtar I lartë kemi suksese.
Kjo reformë, miratimi dhe zbatimi I nismave konkrete është kërkuar me zë të lartë, fort dhe qartë nga partnerët ndërkombëtarë në lehtësim të prespektivës europiane të vendit tonë.
APPA do të jetë në monitorim të vazhdueshëm, me raporte të veçanta, të punës së Komisionit dhe zbatimit të kësaj reforme duke vlerësuar, shqyrtuar çdo propozim nga të gjithë aktorët politike apo grupet e interesit.