![Sokol Kondi](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/03/sokol-kondi-300x300.jpg)
Sokol Kondi
Turizmi, asnjë mekanizëm matës për ndikimin e punës së institucioneve
Sipas buletinit të botuar nga INSTAT për tremujorin e tretë të 2014 për turizmin, rezulton se: “Hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri në tremujorin tretë 2014 janë rritur 6,2 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013… Numri i vizitorëve të huaj që kanë hyrë për pushime dhe vizita ditore në këtë tremujor rezulton 1.042.844, ndërsa në të njëjtin tremujor të një viti më parë ky numër ishte 390.454 vizitorë…”. Nëse kjo tendencë rritjeje do të konfirmohet edhe për tremujorin e katërt dhe të fundit të vitit 2014, atëherë shifra totale e turistëve do të shkojë në rreth 3,457,859,256 pra rreth 201,871 më shumë se një vit më parë. Funksionarë të lartë të MZHUT dhe të Agjencisë Kombëtare të Turizmit nuk kanë humbur rast për t’u mburrur në media për rritjen e numrit të turistëve, duke ia atribuar meritat për këtë institucioneve të tyre. Por ka një të dhënë të rëndësishme statistikore që duhet patur parasysh. Që nga viti 2000 e deri në vitin 2012 hyrjet e turistëve në Shqipëri kanë shënuar gjithnjë një rritje progresive mbi 5%. Për shembull rritja nga viti 2011 në atë 2012 shkoi mbi 600 mijë turistë, çka është shumë më e konsiderueshme se rritja e pritshme me 200 mijë turistët e sivjetshëm. Rritja me 6,2% e vitit 2014 është edhe më pak domethënëse sepse ajo krahasohet me vitin 2013, pra vitin e parë dhe më të keq që pas vitit 2000, kur turizmi shënoi për herë të parë regres. Në fakt nëse shuma e pritshme e rritjes për vitin 2014 krahasohet me vitin 2012, që qe një vit në vazhdën e rritjes së përvitshme normale progresive, vihet re se viti 2014 do të ketë më pak turistë së viti 2012 në vlera absolute. Ndërkohë që në vitin 2012 numri total i turistëve ishte 3,513,666, në 2014 ai pritet të shkojë rreth 3,457,859 pra rreth 55807 më pak. Kështu që në vitin e parë kur puna e qeverisë së re në sektor mund të matet, pra në vitin 2014, numri i turistëve dhe përqindja e progresionit ka rënë, në krahasim me atë që e la qeveria e kaluar në 2012, pasi viti 2013 është një vit i ndërmjetëm midis dy qeverive, asaj të vjetër dhe të resë dhe ndaj nuk mund të merret për referencë, pasi mund të krijojë konfuzion në të krahasuar. Dhe gjithsesi rritja në periudhën e qeverisë se re për 2014 në krahasim me 2013 është më e ulët në përqindje se sa rritja nga 2011 në 2012 dhe se çdo vit tjetër i periudhës së qeverisë së vjetër. Ndaj përpara se të dalin e të rrahin gjoksin për arritje të mëdha, duhet që funksionarët e lartë më parë të kuptojnë dhe të analizojnë shifrat dhe të dhënat statistikore.
Sipas Organizatës Botërore të Turizmit, turizmi është kryesisht një fenomen social i kohëve moderne, që lidhet me rritjen dhe lehtësimin e udhëtimeve, këmbimin në kohë reale të informacionit, etj, dhe për rrjedhojë është përllogaritur që nga viti 2000 deri në 2020-n turizmi në rang botëror të rritet me rreth 50%, çka i bie ta çojë këtë shifër në numrin e paimagjinueshëm të rreth 2 miliardë turistëve që udhëtojnë anembanë botës. Ky fenomen nuk mund të mos e prekë edhe Shqipërinë. Ndaj përpara se të krekosen për arritje personale, duhet që funksionarët e turizmit të kenë sadopak një formim në sektor, të njohin studimet dhe të kuptojnë tendencat dhe arsyet që e vënë në lëvizjë motorin global të turizmit dhe që e bëjnë atë që është. Institucionet shqiptare të turizmit për momentin nuk kanë asnjë mekanizëm matës që të faktojë dhe të japë një pasqyrë të ndikimit të veprimeve institucionale në rritjen apo ndikimin e rritjes së turizmit në vend. Institucionet shtetërore të turizmit marrin pjesë çdo vit nëpër Panaire ndërkombëtare turistike mjaft të kushtueshme, ku për shembull për pjesmarrjen në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Londrër paguhen çdo vit mbi 100 mijë euro nga taskat e taksapaguesëve shqiptarë. Si ky, ka edhe mjaft Panaire ku Shqipëria merr pjesë çdo vit me taksat e qytetarëve, e megjithatë nuk ka asnjë studim apo një llogaridhënie mbi efektshmërinë e këtyre pjesmarrjeve institucionale. Përkundrazi, pjesmarrjet nëpër Panaire janë rritur gjatë 2014 dhe fillimit të 2015, ndërkohë që turizmi në vendin tonë paradoskalisht ka shënuar tkurrje, duke qenë nën nivelet e vitit 2012! Qeveria e ka rritur për këtë vit fondin për turizmin në buxhetin e shtetit, pa bërë asnjë analizë të mirëfilltë për rezultatin e dhënë nga ky sektor vitin e kaluar. Me pak fjalë ka shpërblyer një sektor që përkundrazi është treguar inefiçent. Problemi nuk është rritja e fondeve në vetvete për sektorin e turizmit, por mënyra se si ato menaxhohen. Pra janë para’ të cilat jepen pa kërkuar pas një llogaridhënie direkte për mënyrën se si janë shpenzuar dhe për rezultatet që kanë sjellë. Një mungesë e tillë vizioni mund ta thellojë edhe më tepër krizën e këtij sektori në të ardhmen.
INSTAT në raportin e tij për tremujorin e tretë të 2014 bënte të ditur gjithashtu se “…daljet e shtetasve shqiptarë për të njëjtën periudhë (atë të vitit 2013) janë rritur 7,3 %”.
Gjatë një daljeje publike në fillim të janarit 2015 në një emision në televizionin Ora News, e pytur lidhur me planet që kishte për ta kapitalizuar në terma të interesit të turizmit të brendshëm këtë trend, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit iu bëri thirrje të gjithe shqiptarëve që të tregohen patriotë dhe t’i kalojnë pushimet e ardhshme verore në Atdhe! Nuk ke çfarë të thuash! Institucioni i kësaj zonje ka një buxhet prej mbi 700 milionë lekesh të vjetra për vitin 2015, e mëgjithatë i vetmi plan që ajo ka në mendje për t’i joshur shqiptarët që t’i kalojnë pushimet në vendin e tyre është një thirrje patriotike në tv! Shpresojmë që brenda 2015-s t’i vijë ndonjë ide më e mirë…
Ka edhe një rast mjaft të diskutueshëm. Në datën 17 dhjetor 2014 e përditshmja Standard boton në versionin e saj të shtypur një shkrim me titull “Rezulton në kthim prapa ‘rilindja’ e turizmit, KLSH zbarkon tek Agjencia Kombëtare”. Ky shkrim hidhet në të njëjtën ditë edhe në faqen Web dhe në atë në Facebook nga ana e gazetës, por pak më pas ky shkrim në mënyrë të mistershme zhduket, duke lënë gjithsesi disa gjurmë të ekzistencës së tij të mëparshme. Ky është linku që vërteton botimin në rrjet por edhe zhdukjen e tij të mëpasme: http://www.standard.al/rezulton-ne-kthim-prapa-rilindja-e-turizmit-klsh-zbarkon-tek-agjencia-kombetare/. Si duket dikush ka diçka për të fshhur! Shkrimi kishte mjaft tone kritike dhe të argumentuara për anët ku çalon sektori i turizmit dhe siç duket dikujt nuk i ka shkuar për shtat. Do të ishte interesante të thellohej në mënyrë të mëtejshme një hetim mbi këtë rast, i cili mund të provonte deri në përgjegjësinë penale të ndëryhrjes së mundshme nga autorët përkatës.
Dështim total me Agjencinë Kombëtare të Bregdedit
Që me fillimin e punës së qeverisë Rama, një nga risitë e mëdha që u soll qe Agjencia Kombëtare e Bregdetit. Kjo Agjenci u bë nismëtare, në bashkëpunim me institucione të tjera për një aksion të pastrimit të plazheve, që në dukje qe një operacion i bukur estetik. Çadra me vullnetarë u vendosën nëpër plazhe për pastrim dhe mirëmbajtje. Por sikurse thonë tiranasit kjo qe njëlloj si “të pastrosh surratin, por jo b…”. Në fakt, fekalet dhe plehërat që vërshojnë në det nëpërmjet lumenjve nga çdo komunë apo edhe bashki e mundshme shqiptare e bën absurd kapjen e problemit vetëm nga koka, kur në fakt ai që po qelbet është i gjithë trupi. Ky problem nuk zgjidhet duke gënjyer veten dhe të tjerët dhe duke i hedhur hi syve me kampingje mondane çadrash. Zgjidhja do plan veprimi kombëtar, me investime, fonde, mjete dhe struktura të posaçme hetimi për zbatueshmërinë.
Edhe më absurde dhe fasadë Agjencinë Kombëtare të Bregdetit e bëri vendosja e disa rojave bregdetare në disa plazhe për të shpëtuar jetët e njerëzve nga mbytjet në det. Pati përkujdesje të madhe për të gjetur njerëz të pashëm dhe për të ndërtuar kulla të bukura vrojtimi. Por ndërkohë këta njerëz nuk u pajisën me mjete motorrike për t’iu ardhur në ndihmë në kohë të shpejtë njerëzve në nevojë. Dhe në fakt numri i të mbyturve gjatë sezonit turistik vazhdoi të ishte shqetësues. Zgjidhje të këtij lloji janë si një përpjekje e mbetur në tentativë dhe e pa çuar deri në fund siç duhet.
Zhvillimi Urban
Përpjekje të pamjaftueshme për të kompensuar pronarët
Gjatë një viti e gjysëm të qeverisjes së re ka mbizotëruar një moratorium ndërtimi në rang kombëtar. Është pezulluar së fundmi dhënia e çdo leje ndërtimi, qoftë edhe në tokat personale në zonat rurale, deri në zgjedhjet e ardhshme lokale. Kjo është një përpjekje për ta normalizuar situatën me ndërtimet, por ndërkohë mund të ketë ndikimin e saj negativ në punësim dhe zhvillim.
Sakaq, institucione si AKKKP-ja përveç dhënies së tapisë së premtuar për legalizimin e banesave të ndërtuara pa leje, nuk po bën përpjekjet e duhura për kompensimin e pronarëve, mbi tokat e të cilëve është ndërtuar pa leje, apo pronat e të cilëve janë konfiskuar gjatë komunizmit. Ndërkohë që me të persekutuarit nga regjimi ka patur një përpjekje më të madhe për t’i dëmshpërblyer, nuk vihet re e njëjta tendencë për sa u takon pronarëve të ligjshëm.