![Sokol Kondi](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/03/sokol-kondi-300x300.jpg)
Sokol Kondi
Mungesë përkujdesjeje për qytetarët shqiptarë nga ana e ambasadave tona nëpër botë
Në Ligjin Nr.9095, date 3.7.2003 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, për funksionet e misionit diplomatik, në Nenin 16, Pika 1, gërma b, thuhet se ai duhet “…te mbroje ne shtetin pritës interesat e Republikës se Shqipërisë dhe te shtetasve ose personave juridike te saj...;”. Për mision diplomatik nënkuptohen ambasadat, por edhe konsullatat dhe shërbime të tjera të përcaktuara nga ligji në fjalë, por nuk është parë që interesi i shtetasve shqiptarë të jetë mbrojtur sikurse e kërkon ligji nga këto përfaqësi në disa raste të caktuara. Në fakt, në raste të rënda dhe dramatike, si dhuna policore në Maqedoni ndaj protestuesve shqiptarë, incidentet e Beogradit lidhur me ndeshjen e futbollit Serbi-Shqipëri, aktet terroriste në Francë, apo përleshjet e fundit të janarit në Kosovë, interesat e shtetasve shqiptarë nuk janë mbrojtur siç duhet. Nuk ka patur asnjë njoftim në adresat zyrtare të këtyre ambasadave në internet, ku të lajmëroheshin shtetasit shqiptarë që ndodheshin në vendet përkatëse, për masat që duhet të merrnin për të garantuar jetën e tyre dhe paprekshmerinë fizizke, si dhe mjediset apo rrugët që duhet të shmangnin për të mos qenë të rrezikuar. Një praktikë e tillë ndërkombëtare është e njohur dhe përdoret shpesh nga ambasadat në shërbim të qytetarëve të tyre. Në fakt, ambasada e Shetetve të Bashkuara, apo ajo e Italisë në Tiranë, i kanë njoftuar me shumë kujdes qytetarët e tyre për rrugët dhe sheshet publike që duhet të shmangnin, sa herë që në vendin tonë ka patur trazira, apo rrezik për protesta të dhunshme. Një praktikë e tillë nuk është luks, por një detyrim ligjor dhe si i tillë duhet kthyer në përditshmërinë e punës së misioneve diplomatike shqiptare nëpër botë. Adresa zyrtare e Ambasadës së Shqipërisë në Francë, në periudhën e akteve terroriste në Paris, u mjaftua me citimin e qëndrimit zyrtar të MPJ, ndërsa më parë në të ndodhej një njoftim për një ekspozitë pikturash të kryeministrit Edi Rama në Paris. Pra ambasada në faqen e saj përcillte vetëm evente të përgjithshme dhe nuk pati një përkujdesje direkte për të mbrojtur interesat dhe jetët e qytetarëve shqiptarë që mund të gjendeshin në rrezik gjatë periudhës së incidenteve. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për faqen e ambasadës tonë në Maqedoni, ku raportohen vetëm lajme nga takimet e personaliteteve shqiptare në këtë vend, ndërsa faqja e Ambasadës Shqiptare në Kosovë është akoma edhe më e varfër në këtë drejtim. Në faqen e ambasadës shqiptare në Serbi, ndër shërbimet që ajo ofron ka edhe “Perkujdesje(n) e shtetasve shqiptare qe gjenden ne Republiken e Serbise”. Një gjë e tillë nuk u vu re as përpara, as gjatë dhe as pas incidenteve që shoqëruan zhvillimin dhe pas-ndeshjen e futbollit Serbi-Shqipëri. Jeta e shumë shqiptarëve u vu në rrezik, megjithatë ambasada nuk lëshoi apriori asnjë informacion zyrtar se si mund t’u shmangeshin qytetarët këtyre ngjarjeve. Përveç qytetarëve të thejshtë ka edhe mjaft kompani private shqiptare që operojnë në rajon dhe informacione të këtij karakteti do të ishin të vyera edhe për to. Në programin e qeverisë 2013-2017 për politikën e jashtme thuhen shumë fjalë të bukura si: “Ne do të mbështesim aktivisht shqiptarët që jetojnë dhe studiojnë jashtë vendit… Do të ndërtojmë një politikë shumëkahëshe, e cila përfshin rrezatimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare, njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore, ofrimin e incentivave për ata që dëshirojnë të investojnë në ekonominë shqiptare, reformimin e shërbimit konsullor, duke krijuar shërbime të posaçme, sipas praktikave më të mira evropiane.”. Dakort, por në rradhë të parë le ta fillojmë duke mësuar të përdorim faqet zyrtare në Web-it dhe t’i mbajmë të azhornuara në dobi të qytetarëve dhe subjekteve që ndodhen në vendet ku ambasadat janë të akredituara.
Me pak fjalë, nga ajo që vërehet në praktikë, të gjitha web-sitet e ambasadave shqiptare nëpër botë, janë faqe interneti të standardizuara, që do të thotë janë pak a shumë të njëjta, me disa dritare informacionesh apo shërbimesh identike dhe jo pika referimi fleksibël dhe të azhornuara, ku qytetarët të mund të referohen për probleme nga më të ndryshmet që mund të kenë në vendet ku jetojnë. Vërtet ambasadat kanë seksionin e kontakteve në web-site, nga ku mund të komunikohet me to, por kjo mund të mos ishte e mjaftueshme dhe efikase për njerëz të gjendur në rast urgjence dhe që kanë nevojë për informacione të sakta dhe të shpejta. Për shembull, për tifozët që udhëtonin për në Beograd dhe që mund të kishin një nevojë urgjente atë pasdite për informacione lidhur me mjediset që ata duhet të shmangnin në qytet, një gjë e tillë nuk mund të arrihej nëpërmjet telefonit apo postës elektronike në ditën e ndeshjes, duke qenë se punonjësit kanë orarin e tyre zyrtar të punës dhe nuk u njoftua që atë ditë të ishte marrë ndonjë masë e jashtëzakonshme që ata të ishin në detyrë përtej orarit të zakonshëm. Qytetarët nuk mund t’i ndihmonin as informacionet e përgjithshme, të standardizuara dhe të pa-freskuara prej shumë kohësh në faqen e ambasadës, ndaj web-sajtet e ambasadave duhet të kthehen në një hapësirë komunikimi dhe njoftimi interaktiv dhe të zhdërvjelltë me qytetarët shqiptarë dhe jo të mbartin vetëm informacione të vjetëruara nga koha. Lind pyetja, a kishin ndonjë informacion bukëpjekësit shqiptarë në Beograd nga ana e ambasadës tonë atje se mund të sulmoheshin, në mënyrë që ata të kujdeseshin për jetët e tyre dhe në rast se jo, a do mund ta merrnin ata një informacion të tillë duke komunikuar në telefon me ambasadën të shtunën apo të dielën?! Zor së për këtë pyetje mund të jepet një përgjigje pozitive. Por nëse një njoftim zyrtar i ambasadës tonë, i bërë jehonë edhe nga mediat e këtushme, ne webin e saj do t’i kish paralajmëruar për rrezikun e mundshëm, me siguri shqiptarët e Beogradit mund të kishin marrë masa për të mbrojtur jetët e tyre. Për fat të mirë ngjarjet kaluan pa viktima, por mund të mos ndodhë gjithnje kështu, ndaj ambasadat janë të paralajmëruara.
Duke iu kthyer web-siteve, në to ka një mungesë transparence edhe për sa i takon marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe vendeve ku janë të akredituara ambasadat përkatëse. Në të vërtetë ka një seksion të posaçëm në faqen e çdo ambasade për këtë temë, e megjithatë në pothuajse dy vitet e para tashmë të qeverisë së re, të gjitha keto seksione janë bosh, të paplotësuara, me shpresën se do të kenë informacione të paktën brenda këtij viti. Një gjë e tillë, përveç parimit kushtetues të transparencës, që duhet ta zbatojë çdo institucion publik, shkel edhe parimin po kushtetues të së drejtës për t’u informuar dhe cungon informacione të vyera për qytetarët shqiptarë si dhe për studentët apo studiuesit të marrëdhënieve ndërkombëtare që kanë nevojë për referenca të sakta. Një problematikë të tillë e kam hasur edhe vetë, kur më është dashur teksti i Traktatit të Fqinjësisë dhe Bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Greqisë. Kur do të kishte qenë shumë më e lehtë ta shkarkoja tekstin nga adresa e ambasadës tonë në Athinë, në pamundësi të një gjëje të tillë sporteli i informacionit në MPJ më sugjeroi të ndiqja praktikën aspak hi-tech të kërkesës me shkrim në MPJ.
Do të ishte shumë më praktike që të gjitha marrëveshjet e nënshkruara midis Shqipërisë dhe vendit ku ndodhet ambasada jonë të ishin të publikuara në faqen zyrtare të ambasadës, në mënyrë që të shmangen burokracitë dhe procedurat e zakonshme, që në rast të kundërt, e bëjnë këtë proces joefikas.
Sa për të bërë një shembull, faqja e ambasadës italiane në Tiranë, ka një seksion ku mund të merren dhe të lexohen fare lehtë dhe në mënyrë të plotë të gjitha marrëveshjet që janë nënshkruar midis Shqipërisë dhe Italisë. Për një gjë të tillë kanë nevojë edhe ambasadat tona, pra të bëjnë interesin e qytetarëve shqiptarë në dimensionin më të gjerë të mundshëm që përfshin ky koncept dhe detyrimi ligjor që kanë, në mënyrë që të shmangin të qënin klasik dhe tashmë rudimentar të një zyrë noteriale legalizimi dokumentash par exellance.
Reagim inekzistent lidhur me rritjen e azilkërkuesëve shqiptarë
Ndërmjet dhjetorit 2014 dhe janarit 2015, një numër i papritur në rritje qytetarësh shqiptarë janë dyndur nëpër dyert e agjencive të udhëtimeve për të prerë një biletë vetëm vajtje për në disa vende të Europës si Gjermania, Franca, Suedia, etj. Qëllimi i tyre ka qenë që pasi të mbërrinin në këto vende, të kërkonin më pas atje strehim politik për arsye ekonomike. Në të gjitha rastet ata janë kthyer mbrapsht nga vendet pritëse, duke pësuar kështu veç dëmit ekonomik edhe një dëm moral. Qytetarë të tillë kanë qenë pre e keqinformimit apo mashtrimit në Shqipëri (nga privatë?) se mund të përfitonin azil në vende të BE-së. Edhe pse në pamje të parë kjo mund të duket si një çështje e brendshme, ajo merr dimension të jashtëm që në momentin që qytetarët shqiptarë e lënë vendin e tyre të origjinës. Ministri i Punëve të Brendshme është parë në veprim në Shqipëri për t’i sensibilizuar qytetarët për padobishmërinë e veprimit të tyre. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për MPJ, qoftë në nivel qëndror, qoftë edhe në atë të ambasadave apo kosnullatave. Faqet e ngurta të ambasadave shqiptare nëpër botë, përmbajnë historinë e Shqipërisë, por asnjë informacion të dobishëm lidhur me azilkërkuesit e gënjyer. Institucionet shtetërore dhe mediat nuk kanë raportuar as edhe një rast të vetëm të ndonjë ambasadori apo konsulli shqiptar që të ketë dalë për të pritur bashkëqyetarët e tij në vendet e destinacionit të tyre, për t’u interesuar për kushtet dhe trajtimin e tyre dhe për t’i sensibilizuar për pamundësinë e marrjes së strehimit politik. Institucionet shtetërore, duke përfshirë edhe funksionarë të lartë të MPJ, nuk kanë humbur rast për të bërë reklama propagandistike partiake lidhur me arritjet e tyre, por për të informuar me reklama sensiblizuese, që kanë një dobi publike qytetarët, nuk është kujtuar askush.
Ministër i Punëve të Jashtëm apo militant partiak?
Sipas Nenit 8, pika 1 e ligjit për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë: “Ministri i Punëve te Jashtme drejton dhe përfaqëson shërbimin e jashtëm te Republikës se Shqipërisë”. Nuk kuptohet se në çfarë cilësie të atribuar nga ky ligji, Ministri i Punëve të Jashtme, më 24 Janar 2015, boton në fan-page e tij në Facebook një video propagandistike partiake lidhur me debatin për çmimin e naftës në vend. Në ushtrimin e funksioneve të tij ministrit nuk i kërkohet që të bëjë propagandë partiake, ndaj kjo sjellje e tij është e paligjshme dhe jo-etike për statusin që ai mban si përfaqësues i lartë i Shqipërisë nëpër botë. Sigurisht ministri ka jetën e tij private dhe mund të mbajë dhe qëndrime personale, por pa shkuar larg përtej kontinentit, më vjen e vështirë të imagjinoj ndonjë homologun e tij rajonal të përfshirë në ndonjë nismë të tillë, aq më tepër në një qëndrim pa shije si ai i tipit: “qeveria e kaluar e ngriti çmimin e naftës, ndërsa ne e ulëm atë”, kur nuk do shumë mend për ta ditur se asnjëra nga të dyja hamendësimet nuk qëndron, pasi e vërteta për këtë çështje qëndron në faktorë golablë dhe jo lokalë.