Ajo që bie menjëherë në sy në monitorimin e punës së Ministrisë së Brendshme për muajin janar është një mungesë e theksuar informacioni për aktivitetet e kryera nga kjo Ministri përgjate fillimit të vitit. Më konkretisht, tre lajmërime shfaqen në fazen zyrtare të Ministrisë së Brendshme për periudhën 1-31 Janar 2015:
- Një lajm që përmbledh sukseset e kësaj Ministrie gjatë vitit të kaluar. Më interesantja në këtë lajmërim dhe deklaratë për shtyp është një document I bashkëngjitur që titullohet Statistika 2014 (http://www.punetebrendshme.gov.al/files/news_files/Viti_2014_-_Statistikat.pdf). Përtej vlerës së dokumentit që paraqet në shifra sukseset marramendëse të qeverisë së re në fushën e rendit dhe sigurisë, ekzistojnë dy probleme shqetësuese në të. Fillimisht, të ofrosh thjesht shifra krahasuese për të treguar sa përqind më pak vrasje apo më teper kriminelë janë kapur dhe dënuar nuk është e mjaftueshme për të vlerësuar punën e një viti. Mungesa e një konteksti sqarues për këto arritje (si u bënë të mundura, çfarë ka bërë ndryshe ky institucion dhe institucionet e tjera në varësi, cilat janë masat institucionale dhe ligjore që kanë mundësuar këto përqindje dhe shifra etj) e ul vlerën e statistikave që I janë servirur publikut. Së dyti, mungesa e modestisë së këtij institucioni për të reflektuar edhe mbi dështimet dhe sfidat e të ardhmes ul besueshmërinë ndaj rezultateve pozitive dhe rrit dozat e skepticizmit (meqë po na serviret praktiksiht se tashmë jetojmë në një vend tërësisht të sigurt dhe me rend të pacenuar.
- Lajmi I dytë që daton në 11 janar është edhe më I bujshëm pasi ka të bëjë me një operacion dy ditor të Policisë së shtetit ku ndër të tjera një numër I konsiderueshëm individësh janë ndaluar dhe shoqëruar për mungesë të mjeteve të identifikimit!!
- Duket se Ministria e Brendshme e ka mbyllur muajin e bujshëm të janarit me një lajmërim të dates 31 janar, ku lajmëron qytetarët për hapjen e Zyrave të Shërbimit Unik në qyetetin e Korçës dhe Pogradecit. Këto janë vazhdimësi e një sere investimesh të ngjashme nëpër gjithë vendin. Përtej qëllimit të konceptimit të zyrave të tilla nuk ka ndonjë transparencë të theksuar rreth financimit të tyre. (Pyetje kjo e ngritur edhe në një deklaratë për shtyp të Ministrit të Punëve të Brendshme, Z. Saimir Tahiri – por ende nuk dihet nëse kjo pyetje ka marrë përgjigje apo është harruar për t’u fokusuar në çështje të tjera më të rëndësishme).
Nga sa më sipêr mund të arrijmë në dy përfundime të mundshme:
- Ose Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka patur aspak punë këtë muaj, çka do të shpjegonte varfërinë e informacionit të ofruar. Për ta përforcuar këtë edhe më tej është fakti që buletinet informative mujore dhe javore të hartuara nga kjo Ministri e kanë ndaluar botimin e tyre në muajin dhjetor (edhe me hyrjen në muajin shkurt nuk kemi ndonjë përditësim të tyre).
- Ose Ministria e Punëve të Brendshme ka patur mjaftueshëm punë pork a preferuar mos ta ndajë atë me taksapaguesit e këtij vendi, çka do të ishte edhe më shqetësuese se përfundimi I parë.