1- Diplomacia teknologjike nuk zgjidh problemin me burimet njerëzore
Ishte vetë kryeministri Edi Rama ai që gjatë muajit shtator ndërmori një nismë për të prezantuar një risi në politikën e jashtme shqiptare. Nuk bëhej fjalë për ndonjë politikë apo qëndrim të ri sa i takon pozitave të Shqipërisë në rajon dhe më gjerë, por për një risi teknologjike të ndërthurur në sistemin konsullor shqiptar.
E pagëzuar me emrin “E-Konsullata”[1], fjala është për një platformë elektronike, ku qytetarët mund të bëjnë aplikimet e nevojshme si dhe të marrin informacionet përkatëse për atë që kanë nevojë. Sipas kryeministrit, brenda vjeshtës sistemi do të jetë i mundur për përdorim në të gjithë rrjetin konsullor shqiptar.
Në pritje për të parë efektet e kësaj platforme, në pamje të parë ajo duket si një mekanizëm që e zhdërvjelltëson sadopak burokracinë klasike dhe u shërben njohësve të mirë të teknologjisë.
Por ajo nuk zgjidh problemin me burimet njerëzore dhe stafet e konsullatave që kemi raportuar për thuajse dy vjet me radhë. E-Konsullata nuk jep përgjigje se përse ministri Bushati, fill pas marrjes së detyrës, emëroi si kryekonsulle në Milano dikë që ishte shkarkuar në kohën e qeverisë Nano për probleme me korrupsionin, gjë të cilën ajo e përsëriti.
E-Konsullata nuk jep përgjigje se përse ministri Bushati emëroi Konsull në Bari kryetarin e Partisë Socialiste të Italisë (e ndalon ligji i bërë nga vetë Bushati), i cili si detyrë të tij të parën në Shërbimin e Jashtëm shqiptar pati pikërisht atë të konsullit (pa respektuar shkallët ligjore të karrierës). Dhe nuk jep përgjigje as se përse stafi i Konsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë në Janinë[2], kur pyetet nga qytetarët për dhënie informacioni, u thotë këtyre të fundit se një gjë të tillë mund ta bëjë vetëm Tirana.
Pra, minimalisht, nuk ka vend për t’u ekzaltuar kaq shumë përballë kësaj risie teknologjike, e cila, gjithsesi do të menaxhohet në disa raste nga njerëz të pakualifikuar dhe pa përvojë si ata që përmendmë më lart, që gjithsesi nuk është një problem vetëm i konsullatave. Mjafton të kujtojmë rastin i ish-specialistes në MPJ që Bushati e dërgoi direkt Sekretare të Dytë në ambasadën tonë në SHBA, pa respektuar asnjë kriter ligjor.
2- Dosja me fqinjët helenë në kalendat greke, një armiqësi e re dhe një miqësi në kohë të vështirë
Udhërrëfyesi për të cilin Shqipëria dhe Greqia duket se kishin rënë dakord për t’i dhënë një tjetër hov çështjeve të mbetura të pazgjidhura prej shumë kohësh mes dy vendeve duket se është harruar. Në fakt, kontaktet intensive të dy viteve të fundit duket se kanë ardhur duke u rralluar. Ftohja është bërë edhe më e dukshme pas afrimit të qeverisë Rama me partinë (çame) PDIU, si dhe pas deklaratave të ambasadores së re të Athinës në Tiranë.
Bushati është përpjekur të minimizojë gjithçka[3], por fakti është se Greqia e ka shumë më të lehtë se sa Shqipëria që t’i lërë gjërat siç janë dhe të ketë një pozicion më të fortë negociues duke përdorur veton për hapjen e negociateve me BE-në.[4]
Sikur të mos mjaftonte, kjo, në mënyrë të pashmangshme, Shqipëria ka përkeqësuar edhe marrëdhëniet me Iranin[5] gjatë muajve të fundit, edhe pse duhet thënë se ato nuk kanë qenë kurrë në nivele të larta.
Ardhja e shumë muxhahedinëve iranianë në vendin tonë, të strehuar nga qeveria e Tiranës, kanë bërë që Teherani mos ta shohë më me sy të mirë Shqipërinë.
Në planin diplomatik, Shqipëria është në kundratendencë me mjaft vende të BE-së në këtë drejtim. Në fakt, Italia, Britania, Franca, etj, rendën të rigjallëronin marrëdhëniet ekonomike me Iranin, menjëherë pas heqjes së embargos shumëvvjeçare ndaj Republikës Islamike. Por si duket Shqipëria ka interesa politike dhe besnikëri për të rikonfirmuar, të cilat i tejkalojnë interesat ekonomike, si në rastin në fjalë.
Ndërkohë, në rastin e Turqisë, që është një partner strategjik i Shqipërisë, duket se faktori politik me atë ekonomik përzihen. Në fakt, si një shtet i rëndësishëm në nivel investimesh në vendin tonë, Turqia u përkrah nga qeveria shqiptare deri në atë pikë sa ekzekutivi ynë duket se anuloi edhe një tender me porosi të Erdoganit sa i takon mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit.[6]
Ndryshe nga BE-ja (mjaft e ashpër) dhe SHBA-të (të moderuara) me Turqinë, pas një grushti shteti, që u duk si i stisur nga vetë udhëheqësi autoritar turk, Shqipëria duket se në këtë drejtim po ndjek politikën e saj, të një përkrahjeje dhe solidariteti më të fortë ndaj Turqisë.
[1] Rama prezanton E-Konsullaten ne Tirane http://www.mapo.al/2016/09/fotorama-terheq-vemendjen-ne-mes-te-bllokut-ne-tirane/1
[2] Raporti i APPA per MPJ, muaji maj, rasti i Janines, https://appa.brentonkotorri.com/raport-maj-2016-ministria-e-puneve-te-jashtme/
[3] Bushati ironizon ambasadoren e re greke ne Tirane http://www.mapo.al/2016/09/pakti-detar-bushati-ironizon-ambasadoren-greke/1
[4] Katherimini shkruan per fundosjen e marredhenieve Shqiperi-Greqi http://www.gazetatema.net/ëeb/2016/08/28/kathimerini-bisedimet-shqiperi-greqi-drejt-fundosjes/
[5] Irani kritikon Shqipërinë për pranimin e muxhahedinëve http://www.gazetatema.net/web/2016/09/14/irani-perplaset-me-shba-te-per-shqiperine-tirana-u-shit-per-dy-leke-ja-te-fshehtat-e-pranimit-te-muxhahedineve/
[6] Anulimi i tenderit per rrugen e kombit dhe largimi i ministrit Haxhinasto nga qeveria http://www.mapo.al/2016/09/anulimi-i-tenderit-per-rrugen-e-kombit-dhe-largimi-i-haxhinastos-kerkese-e-erdogan/1