-
Importi i Mbetjeve
Kryefjala e këtyre ditëve ka qenë importi i mbetjeve, kjo një temë jo pak e diskutuar edhe në të shkuarën. Më 30 qershor të këtij viti është firmosur projektakti[1] ’’ Për disa ndryshime në Ligjin Nr.10 465, datë 22.9.2011’’. Në këtë projektakt shpjegohet qartë rëndësia që kanë këto ndryshime dhe citohet mbi tri herë fakti që i gjithë ndryshimi që do të bëhet në ligj ka si qëllim përafrimin e tij me Direktivën nr. 1013\2006 të Parlamentit dhe Këshillit Evropian për qarkullimin e mbetjeve. Më 22 shtator miratohen[2] këto ndryshime të ligjit[3] “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve, të ndryshuar” nga parlamenti.
Së pari, lind pyetja nëse komisioni parlamentar gjatë procesit të rishikimit të ligjit për shtesat dhe ndryshimet që duhet të bëheshin, a arriti të rilexojë edhe nenet nr. 10, 11, 12, 13, 14, 15 (?). Këto nene lidhen me Planet e Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve në nivel kombëtar. Sot, pas 5 vitesh asnjë nga këto nene nuk është zbatuar. Ku qëndron vlera e miratimit të ligjeve(?) kur asnjë prej tyre nuk merret ’’seriozisht’’ nga institucionet tona dhe drejtuesit e tyre. Ose më saktë merren seriozisht ato nene që janë konveniente për forcën politike që është në pushtet.
Në qoftë se do të ishin zbatuar nenet e lartpërmendura nuk do të ishte e nevojshme të lejohet importimi i mbetjeve. Me mbetjet që do të gjeneroheshin nga popullsia jonë, në qoftë se do të trajtoheshin që në burim (siç parashikohet në çdo plan, strategji apo ligj që lidhet me mbetjet), do të arrihej të sigurohej lënda e parë për kompanitë ricikluese që janë aktive në vendin tonë. Kjo do të ishte një zgjidhje me konveniente edhe për vetë kompanitë pasi do të siguronin lëndën e parë me kosto më të ulët(minus kosto transporti).
Është përmendur fakti që të gjitha këto ndryshime po bëhen edhe për përafrimin me direktivën evropiane nr.1013\2006[4]. Kjo direktivë ka në thelb të kontrollojë importin e mbetjeve dhe të sigurojë mbrojtjen e mjedisit. Në këtë direktivë është përcaktuar në detaje edhe procesi i kontrollit të mbetjeve. Ndërkohë që në ligjin shqiptar nuk jepet asnjë detaj në lidhje me këtë hallkë të rëndësishme.
Logjikisht profili i figurës së Ministrit të Mjedisit duhet të kishte prioritet për t’i siguruar çdo njeriu që jeton në Shqipëri një jetesë cilësore në një mjedis të shëndetshëm, dhe duhet të shfrytëzonte këtë debat për të nxitur qeverinë të fokusohet në përmirësimin e situatës së menaxhimit të mbetjeve urbane në vend dhe ndarjen e mbetjeve që në burim. Në një komunikim për shtyp ai shprehet[5] se:
’’ … industria ricikluese e ka të pamundur të gjejë lëndën e parë brenda vendit pasi kjo do të kërkonte ndarjen e mbetjeve që në burim nga qytetarët. Kjo u ka shkaktuar vështirësi financiare sipërmarrësve që kanë investuar rreth 100 mln euro në këtë sektor…’’
Nuk ’’ qan’’ hallin që akoma nuk ka arritur të ndajë mbetjet vendase që në burim (edhe pse ka kaluar limitet kohore që e parashikonin këtë arritje në planet që ka miratuar) dhe milionat që ka harxhuar për shkrime planesh dhe strategjish por merret me milionat e sipërmarrësve.
Vërtet në terma ekonomik afatshkurtër ndryshimi i ligjeve është zgjidhja me e mirë, por në terma afatgjatë të gjitha të ardhurat që do t’i shtohen buxhetit të shtetit do të duhet të shfrytëzohen për të mbuluar kostot ekonomike për të përmirësuar gjendjen e degraduar të mjedisit si pasojë e mos menaxhimit të mbetjeve të vendit dhe importit të mbetjeve të tjera.
- Moratorium për Vjosën
Hidrocentralet janë kërcënim për rivierën shqiptare dhe për ekologjinë e lumenjve. Ndërtimi i shumë hidrocentraleve në një kaskadë do të sillte deformimin e rrjedhjes së lirë të lumenjve, si rrjedhojë riviera përgjatë bregdetit do të pësojë ndryshime.
Një ndër këto lumenj është edhe Vjosa. Rikujtojmë se në korrik të 2015 kryeministri ka deklaruar se lugina e Vjosës do të kthehej në zonë të mbrojtur[6], por faktet tregojnë të kundërtën. Në fletoren zyrtare thuhet se ’’Zgjerimi i ardhshëm i kapacitetit hidroenergjetik është planifikuar kryesisht përgjatë lumenjve Mat, Vjosë, Devolli dhe Bistrica’’. Për të mos mjaftuar, më 10 shkurt, në media[7] u bë publik lajmi nga zëvendës ministri i Energjitikës, se ka një studim nga një studio e huaj për të pasur 9 hidrocentrale në rrjetin e lumit Vjosa.
Edhe vetë Parlamenti Evropian, ka kritikuar vendimin e qeverisë shqiptare për të ndërtuar diga në Vjosë dhe ka kërkuar kthimin e Vjosës në Park Kombëtar sepse Vjosa është lumi i fundit i egër i Evropës.
Që në vitin 2015[8] po i kërkohet një moratorium për lumin Vjosa ministrit të Mjedisit, por asgjë nuk është arritur deri më tani. Përpjekjet vazhdojnë, duke e shtrirë si problem deri në nivel ndërkombëtar. Studiues[9] nga Shqipëria, Austria dhe Gjermania kanë nënshkruar një memorandum, i cili i është dërguar qeverisë shqiptare. Rikujtojmë se si një vend kandidat në Bashkimin Evropian, Shqipëria është e detyruar që Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis që kanë projektet duhet të realizohet sipas standardeve evropianë.
—————
[1] Relacion
(https://www.parlament.al/wp-content/uploads/2016/07/RELACION-SHALSI.pdf)
[2]Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrtoi projektligjin
(https://www.parlament.al/komisioni-per-veprimtarite-prodhuese-tregtine-dhe-mjedisin-miratoi-projektligjin-per-disa-shtesa-dhe-ndryshime-ne-ligjin-nr-10-463-date-22-09-2011-per-menaxhimin-e-integruar-te-mb/)
[3]Ligji Nr. 92/2016
(https://www.parlament.al/wp-content/uploads/2016/09/ligj-nr.-92-dt.-22.9.2016-1.pdf)
[4]Direktiva Evropiane nr.1013\2006
(http://ec.europa.eu/environment/waste/shipments/legis.htm)
[5] Importi i mbetjeve, Koka: Kemi mekanizma për t’i kontrolluar
(https://www.youtube.com/watch?v=H1sYw3xtVR0)
[6] Deklarata e Krzeministrit Rama për lumen Vjosa, video min. 00:39
(https://www.youtube.com/watch?v=06RlcLylFUs )
[7] Artikull: 9 diga mbi Vjosë, qeveria prezanton projektin mes protestave ambientaliste
(http://www.top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=319256)
[8]Positioning statement of civil society on alternative development of small HPPs sector in harmony with nature
(http://www.ecoalbania.org/request-for-a-3-years-moratorium-on-hpps-construction/)
[9]Scientists criticize dam projects on the Vjosa
(http://balkanrivers.net/en/news/scientists-criticize-dam-projects-vjosa)