
Ingrid XHAFA, MA
1- Mbrojtja e fëmijëve
Në fund të shtatorit MMSR lancoi axhendën për fëmijët 2020. “Axhenda për fëmijët 2020” është dokumenti strategjik për 5 vitet në vazhdim lidhur me prioritetet e qeverisë shqiptare për mbrojtjen e fëmijëve. Fatkeqësisht, dokumenti strategjik nuk gjendet i publikuar as si draft fillestar, as si draft përfundimtar në faqen zyrtare të Ministrisë, sipas kërkesave ligjore të ligjit për të drejtën për informim, për të publikuar çdo dokument me rëndësi publike. Për më tepër, në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë nuk gjendet as drafti i konsultuar me komentet përkatëse nga grupet e interesit, një tjetër detyrim ligjor i pambajtur. Në këto kushte është e vështirë të gjykohet diçka mbi përmbajtjen e dokumentit, i cili duket se është menduar si një plan gjithëpërfshirës veprimi nga ana e qeverisë (përfshirë të gjithë aktorët dhe grupet e interestit). Sipas Ministrit Klosi, axhenda do përkthejë në detyrime konkrete pune parashikimet në projekt-ligjin për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve, që është miratuar tashmë nga qeveria dhe pret të diskutohet në parlament. Në fakt është ende e paqartë, pse Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve ka marrë kaq shumë kohë për tu diskutuar në parlament, pasi që në vitin 2014 është evidentuar nevoja e miratimit të një ligji të ri në mënyrë të njëhershme.[1]
2-Arsimi Profesional
Ministri Klosi ka deklaruar se strategjia e qeverisë për nxitjen e arsimit profesional ka dhënë frytet e para dhe si rrjedhojë ka patur dhjetëfishim të kërkesave për ndjekjen e arsimit profesional nëpr shkollat e vendit. Madje Ministri deklaroi se shumë nga nxënësit e interesuar, nuk kanë mundur të regjistrohen këtë vit në arsimin profesional për shkak të numrit të kufizuar të vendeve të ofruara[2]. Në këto kushte, qeveria po harton strategjitë e rritjes së shërbimit të ofrimit të arsimit profesional, e lidhur kjo konkrretisht me rritjen e kapaciteteve dhe hapsirave të shkollave që e ofrojnë atë. Megjithatë, në retorika (dhe analiza më thelbësore) përfaqësues të Ministrisë apo sektorëve të tjerë të qeverisë, i faturojnë shifrave të larta të papunësisë, pikërisht mungesën e aftësive profesionale të punëkërkuesëve. Në kushtet kur kërkesa për arsim profesional është kaq e lartë ngelet ende e paqartë qasja e Ministrisë për ta konsideruar numrin e lartë të papunësisë si një problem të aftësive profesionale të punëkërkuesëve. Madje, kjo llogjikë ushqen edhe strategjinë e qeverisë përkundrejt ndihmës ekonomike. Ministri shprehet në intervistë se shqiptarët nuk regjistrohen në zyrat e papunësisë, dhe në rastet që ata regjistrohen nuk pranojnë punësimin e ofruar ose mundësinë për tu rikualifikuar profesionalisht aty ku drejtohen. Kjo ka bërë të mundur që të pastrohen nga skema e personave me ndihmë ekonomike ose me statusin aktiv të punëkërkuesit ata që kanë refuzuar punën ose kualifikimin e kërkuar. Ngelet ende e paqartë se si në një vend me nivelin e papunësinë me rreth 16 % sipas të dhënave zyrtare nga Instat për tremujorin e dytë të vitit 2016 [3], të refuzohen vendet e punës dhe në një periudhë 6 mujore, të ketë një reduktim me 30% të skemës së punëkërkuesve, pa u siguruar një punë. Sipas Ministrit Klosi, në listat e zyrave të punës figuronin rreth 155 mijë të papunë, të cilët sipas tij “vardalliseshin kot” dhe tanimë, pas 6 muajëve figurojnë rreth 110 mijë persona. Arsyeja pse 35 mijë njerëz janë larguar nga listat e punëkërkuesëve është se ata kanë refuzuar punët ose trajnimet e ofruara për tu ri kualifikuar profesionalisht. Mbetet ende e paqartë nëse ka patur një mospërputhje mes aftësive dhe interesave të aplikantëve me ofertat e propozuara nga ana e zyrave të punësimit. Gjithësesi, kjo shifër ngelet mjaft e lartë për një vend ku zyrat e punësimit kanë një historik jo shumë të suksesshëm në administrimin e marrëdhënieve mes aplikantëve për punë dhe punëdhënësve.
[1]Raport kombëtar mbi situatën e të drejtavetë fëmijëve në Shqipëri 2013-2014 http://femijet.gov.al/al/ëp-content/uploads/2015/05/Raport-komb%C3%ABtar-mbi-situat%C3%ABn-e-te-drejtave-t%C3%AB-f%C3%ABmij%C3%ABve-n%C3%AB-Shqip%C3%ABri.pdf
[2] Intervistë Blendi Klosi, Emisioni “7 pa 5”, Vizion Plus, 27 Qershor 2016
[3] Tremujori i Dytë 2016 i Papunësisë, http://ëëë.instat.gov.al/al/themes/tregu-i-pun%C3%ABs.aspx