![Endrit KAPAJ, LLM](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/03/E.-Kapaj-300x300.jpg)
Endrit KAPAJ, LLM
1-Reforma në Drejtësi.
Kushtetuta e Re, produkt i konsensusit të minutws sw fundit, të 21-22 korrikut, tashmë në fuqi de jure, pret miratimin e ligjeve zbatuese. Me këmbënguljen e opozitës dhe angazhimin për konsensus të LSI, u fut brenda kufijve të përcaktuar nga rekomandimet e Komisionit të Venecias. Me gjasa, aty-këtu, për shkak te presionit, ndonjë përcaktim i Kushtetutës së Re mund të ketë dalë jashtë atyre kufijve, por është e sigurte se, edhe në qoftë tërësisht brenda, mes kufijve të shtyre në ekstrem të Kushtetutës së Re dhe kufijve të përcaktuar nga Komisioni i Venecias nuk ka asnjë milimetër hapësirë.
Opozita paraqet argumente të forta dhe të shumta që projekt-ligji mazhoritaro-ndërkombëtar i vetting kapërcen qartazi kufijtë e Kushtetutës së Re. Konflikti juridik po konsumohet në qarqe të mbyllura parlamentare e në momentin e vëmendjes minimale të publikut. Ndonëse vëmendja do të rritet në ditët dhe javët në vijim vështirë se do të ndryshojë rrjedhën njëanshmërisht të paracaktuar të ngjarjeve.
Gjithsesi, po konsumohen fazat paraprake të një konflikti juridik kushtetues si domosdoshmëri e fitimit të të drejtës për ankim. Opozita po e luan rolin e vet hap-pas-hapi, edhe kritikues dhe propozues dhe pas miratimit të njëanshëm, do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Përballë një konflikti juridik kushtetues, nën një atmosferë bipolare, plot me akuza e kundërakuza, Gjykata Kushtetuese do të jetë nën presion ekstrem, e cila nga ana e saj do tw kwrkojw një rrugëdalje elegante – kërkimin e opinionit të Komisionit të Venecias.
Nuk vlejnë diskutimet cili ka të drejtë e cili jo. Se kush do të mbajë pozicionin e vet. Ndaj kjo reformë, për këtë shkak si dhe për shkak të rëndësisë, por edhe të rrezikut të lartë që mbart çdo zgjidhje e gabuar, në çdo hap të saj e ka të domosdoshëm opinionin e Komisionit të Venecias.
- Nevoja pwr pjesmarrje dhe transparencw
Pjesëmarrja sa më transparente e publikut në procesin e hartimit të legjislacionit është e një rëndësie të konsiderueshme dhe përbën një nga aspektet më domethënëse të shtetit të së drejtës, duke shërbyer gjithashtu edhe si një mjet i rëndësishëm për të patur një proces vendimmarrës më të hapur e më transparent dhe nëpunës më të përgjegjshëm. Procesi legjislativ në Shqipëri gjatë viteve të fundit ka qenë shpeshherë kaotik e i nxituar, dhe publikut i është dhënë shumë pak mundësi që të përfshihet në hartimin e ligjeve të reja. Nga një këndvështrim krejtësisht juridik, duhet theksuar se nuk ka asnjë ligj që u garanton shtetasve mundësinë për t’u bërë pjesë e procesit të hartimit të ligjeve, dhe kjo prek të gjitha ministritë. Duke qenë se nuk ka asnjë dispozitë ligjore që do t’i kërkonte Ministrisë së Drejtësisë të rregullonte pjesëmarrjen e publikut në hartimin e ligjeve e të akteve nënligjore, kjo Ministri nuk ka asnjë detyrim ligjor për ta bërë këtë gjë. Ky boshllëk ligjor ka kontribuar në inisiativa minimale për ta përfshirë publikun në procesin e hartimit të legjislacionit përgjatë viteve, dhe ka çuar gjithashtu në publikime të pamjaftueshme të projektligjeve dhe në kontakte të varfëra me median që do ta lejonin procesin të ishte i hapur për publikun. Me përjashtim të disa rasteve të izoluara, publiku në përgjithësi nuk ka luajtur një rol aktiv në procesin e hartimit të legjislacionit, dhe shpeshherë kjo ka çuar në dyshime se ligjet e miratuara kanë mungesë transparence dhe janë të destinuara të hasin vështirësi në zbatimin e duhur të tyre.
Mungesa e një detyrimi të qartë të përcaktuar me ligj nuk mund të përbëjë një justifikim që organizatat jo-fitimprurëse ose grupet e tjera të interesuara të mos luajnë një rol aktiv në hartimin e legjislacionit. Zhvillimi i standarteve ligjore të nevojshme që përcaktojnë se kur kërkohet pjesëmarrja e publikut dhe edukimi i publikut rreth rëndësisë së pjesëmarrjes së gjerë në hartimin e legjislacionit janë të një rëndësie parësore, sepse do të përmirësonin cilësinë e ligjeve që do të miratohen në të ardhmen. Gjithashtu, kjo do t’i inkurajonte shtetasit që të merrnin pjesë në shoqata të ndryshme që do të përfshiheshin në procesin e komentimit të legjislacionit, kështu duke futur cilësi të rëndësishme të shoqërisë civile.
Disa nga mënyrat me të cilat publiku mund ta thotë fjalën e tij në procesin e hartimit të legjislacionit mund të përfshijnë organizimin e takimeve mbi projektligjin me subjektet e interesuara, ku të diskutohet mbi projektligjin, pjesëmarrjen në grupet e punës të cilat komentojnë projektligjin, sigurimi i komenteve me shkrim mbi projektligjin, dhe iniciativat e shtetasve. Me qëllim që këto metoda të punojnë në mënyrë efiçente në praktikë, duhet të ketë mekanizma të duhur që garantojnë pjesëmarrje të mjaftueshme e konkrete. Më të rëndësishmet nga këto janë përhapja e informacionit (njoftimi i publikut dhe mundësia për t’u njohur me projektligjet e fundit, qoftë përmes prodhimit dhe publikimit të fletëpalosjeve, qoftë pëmes shpërndarjes me anë të medias e të internetit), krijimi i mundësive konkrete për organizatat dhe palët e interesuara për të komentuar mbi projektligjet aktuale përgjatë fazave të ndryshme, dhe sigurimi i mundësisë që seancat e pjesëmarrjes së publikut të mbahen në një kohë dhe mënyrë të tillë që të jetë vërtet i mundshëm vlerësimi i komenteve të bëra dhe të influencohen vendimet përfundimtare.
Duhet theksuar se këto nuk janë thjesht çështje që lidhen me garantimin e të drejtave të shtetasve, edhe pse ato i përforcojnë parimet demokratike. Përmes lejimit të pjesëmarrjes së mjaftueshme në procesin e hartimit, Ministria e Drejtësisë mund të shmangë një pjesë të konsiderueshme të kritikave që ngrihen pas miratimit të ligjeve. Pjesëmarrja e publikut siguron gjithashtu që t’u paraprihet një game të gjerë problemesh të mundshme me ligjet, duke pakësuar kështu nevojën për t’i ndryshuar ato në një fazë të mëvonshme.