1- AKT, ç’ duhet të shpërdorojë më tepër ky institucion që dikush të mbajë përgjegjësi?!
Një tjetër dëm ekonomik si pasojë e injorancës dhe babëzisë që i është shkaktuar shteti shqiptar nga ana e Agjencisë Kombëtare te Turizmit është ai që ka të bëjë me prodhimin e tre spoteve promocionale. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar në auditin e kryer në AKT se me këto spote të prodhuara në verë 2014 është bërë një manovër, duke i prodhuar në total, 15 sekonda më pak se specifikimet teknike të kërkuara nga AKT, shkurtim ky që ka sjellë një dëm ekonomik prej 651.000 lekësh të reja, nga ana e kompanisë prodhuese EAG.
Por kjo është vetëm maja e akullnajës. KLSH nuk i ka hyrë më në themel çështjes. Në fakt, po të shihet subjekti apo përmbajtja e këtyre tre spoteve, do të vihet re fare mirë se në asnjërën prej tyre nuk trajtohet promovimi i turizmit, që është e vetmja kompetencë që AKT ka. Të tria spotet kanë qëllime sensibilizuese dhe edukative mbi sjelljet qytetare. Në njërin sensibilizohet se sa keq është të pështysh në rrugë, një tjetër qorton ata që hedhin plehrat në mjedis dhe i fundit kritikon sjelljet e papërgjegjshme në shërbimin e hotelerisë.
Të tria nisma mjaft interesante, por ç’e do që AKT nuk paguhet nga buxheti i shtetit me paratë e taksapaguesve shqiptarë për të edukuar dhe sensibilizuar shqiptarët, por të promovuar turizmin. Ligji vetëm këtë detyrë i ngarkon, çdo veprim tjetër është tejkalim i ligjit dhe për pasojë sjell dëme ekonomike dhe materiale për turizmin shqiptar. Çdo para që duhet të shkonte për të promovuar turizmin por që ndryshon destinacion rrugës është një goditje e rëndë që i jepet potencialeve zhvillimore. Natyrshëm mund të lindë pyetja: Përse këto para çohen dëm me veprimtari që s’kanë të bëjnë me turizmin, kur fare mirë mund të ishin bërë tre spote për promovimin turistik dhe palët mund të dilnin sërish të kënaqura me 651.000 lekët apo më shumë dëm që i kanë bërë shtetit.
Përgjigja është se injoranca është një kosto më vete që e gërryen së tepërmi administratën shtetërore të Shqipërisë. Mjafton të lexosh raportet tona që nga janari apo shkurti për këtë Agjenci për ta kuptuar.
Të kthehemi te rasti konkret. 651.000 lekët e dëmit në marifetin e kohëzgjatjes nuk janë asgjë në krahasim me koston totale të prodhimit të tre spoteve, që është e konsiderueshme. Por nuk mbaron me kaq, sepse AKT shkon edhe më tej. Ajo vendos që t’i transmetojë nëpër media të ndryshme televizive dhe në portalet online spotet e saj (shih në ëebsite si shqiptarja.com Oranews, etj.). Edhe kjo bëhet kundrejt pagesave të konsiderueshme dhe kostot rriten në varësi të kohëzgjatjes së qëndrimit të spoteve në këto portale.
Në raportin e muajit të fundit ishim ndalur te 135 mln lekët e dëmit ekonomik që AKT i ka shkaktuar buxhetit të shtetit, nga buxheti prej rreth 600 mln lekësh të vjetra që ajo ka patur më 2014. Me këtë rast të ri, dëmi i kalon 150 milionë lekët. Çfarë duhet të bëjë më tepër se shpërdorimi i mbi 20% të buxhetit të saj vjetor një Agjenci dhe përfaqësuesit e saj që të mbajnë përgjegjësi administrative dhe mbi të gjitha penale?!
2- Ekonomi në rritje, me biznese që s’paguajnë taksa dhe turizëm pa ujë e drita
Që nga janari e më tej kur kemi nisur raportet tona, ministri i Zhvillimit Ekonomik Arben Ahmetaj e ka paraqitur situatën ekonomike në vend si të lulëzuar. Në fakt shifrat zyrtare e kanë rrëzuar gjithnjë dhe vazhdojnë ta bëjnë. Këtë muaj ai e ri përsëriti disa herë se në rritjen ekonomike të endit ka ndikuar kryesisht turizmi. Ai turizëm, për të cilin këtë verë është raportuar shpesh se nuk ka ujë he drita, realitet që e ka pranuar edhe vetë ministri, por duke u përpjekur që ta minimizojë dhe justifikojë.
Ministri gjithashtu vazhdon luftën e tij të shifrave duke këmbëngulur se eksportet në tremujorin e parë të 2015 janë rritur. Mjaftohemi të përmendim atë që ka përllogaritur INSTAT për ta përgënjeshtruar këtë pretendim. “Gjatë tremujorit të parë të vitit 2015, u eksportuan 58 mld lekë mallra ose 1,9 % më pak se në të njëjtin tremujor të vitit të kaluar dhe 7,3 % më pak se tremujori i katërt 2014. U importuan 119 mld lekë mallra, 1,7 % më shumë se tremujori i parë 2014 dhe 23,3 % më pak se tremujori i mëparshëm”. Raporti eksport-import është me rreth 50% në favor të së dytës.
Edhe me prurjet turistike nuk është bërë ndonjë revolucion i madh. Pra nuk ka “Rilindje”. Nëse krenohemi se hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri në tremujorin e parë 2015 janë rritur me 1,3 % në krahasim me të njëjtën periudhe të 2014, duhet të kemi parasysh ndërkaq se daljet e shtetasve shqiptarë janë rritur me 1,9 %. Pra për sa kohë do të ketë një turizëm që bë më shumë shqiptarë të largohen se të huaj të afrohen, nuk mund të flasim për ndonjë revolucion të madh në këtë sektor.
Krahas tubave të kanalizimeve që ministri mburret se u mbyllën më në fund në Golem, duhet punuar fort edhe me promovimin dhe sinjalistikën turistike. Kjo e fundit do të kishte mundur të njihte një zhvillim shumë më të madh nëse AKT nuk do të kishte çuar dëm 150 mln lekë vetëm në 2014-n. Ministri e di, por arsyet politike e pengojnë që të veprojë për ta zgjidhur këtë katrahurë.
Për të ardhur të biznesi. Ministrin e kemi dëgjuar të thotë vetëm fjalë të mira për këtë sektor, për t’u shfaqur më pas papritmas pas mesit të gushtit me një deklaratë bombë: se 1 në 3 biznese nuk lëshojnë faturë tatimore dhe nuk paguajnë taksat. Në fakt ministri i Financave e paraqiti edhe më të qartë situatën kur tha se janë në fakt 50% e bizneseve që e bëjnë një gjë të tillë, pra 1 në 2. Ministri Ahmetaj sikurse shihet, ka gjithnjë prirjen t’i zbukurojë gjërat. Për këtë është paralajmëruar një aksion i fortë në shtator, i cili duhet parë se cilat rezultate do të sjellë.
Por ajo që ka rëndësi është të kuptohet, është se në një vend ku importet vazhdojnë të jenë dyfishi i eksporteve, ku turizmi është një sektor zhvillimi pa ujë e pa drita, ku fondi për promovimin turistik përdoret si pronë personale dhe ku 1 në 2 biznese nuk paguajnë taksa, reflektojnë për një ekonomi që lëngon dhe që nuk bën një rishpërndarje resursesh nga e cila të përfitojnë sa më shumë vetë.
Rritja ekonomike e 2014 me 1.9% dhe ajo e tremujorit të parë të 2015 me 2.8, nuk reflektojnë domosdoshmërisht një ekonomi që e shpërndan mirëqenien në mënyrë sa më të gjerë, por mund të jetë fare mirë përqendrim i kapitaleve në pak duar, në ato të bizneseve më të mëdha që nuk paguajnë taksat dhe nga kjo pasurohen edhe më shumë.
Referenca:
Artikull, 18.08.2015, Agjencia Telegrafike Shqiptare, “OSHEE: Normalizohet situata në 90% të zonave pa energji”, http://www.ata.gov.al/oshee-normalizohet-situata-ne-90-te-zonave-pa-energji-299786.html
Artikull, 14.08.2015, Gazeta Mapo, “Koncepte të munguara për turizmin bregdetar”,
http://www.mapo.al/2015/08/koncepte-te-munguara-per-turizmin-bregdetar
Aritikull, 18.08.2015, Top-Channel, “Ahmetaj: Rritja, më shumë se parashikimi. Kontributin më të madh këtë vit e dha turizmi”,
http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=306553#kryesoret
Artikull, 18.08.2015, Scan Tv, “Pagat mesatare, i treti tremujor radhazi që bien”,
http://www.mapo.al/2015/08/pagat-mesatare-i-treti-tremujor-radhazi-qe-bien
Artikull, Gazeta Express, 19.08.2015, “Budalla! Mos shko në jug të Shqipërisë. Sikterisu jashtë”,
Artikull, 19.08.2015, Scan TV, “Mbi 13 mije bizese nuk paguajnë”. http://scan-tv.com/v/index.php/kryesore/14812.html
Instat, Buletin Satistikor Tremujor, 2015
http://www.instat.gov.al/media/304745/buletini_statistikor_1_2015.pdf
Artikull, 20.08.2015, Gazeta Mapo, “Turizmi, cilësia e shërbimit çon shqiptarët drejt vendeve fqinje”,
http://www.mapo.al/2015/08/turizmi-cilesia-e-sherbimit-con-shqiptaret-drejt-vendeve-fqinje
Deklaratë, Ministria e Ekonomisë, 19.08.2015, “Betejë frontale kundër informalitetit në ekonomi!”,
http://www.ekonomia.gov.al/al/neësroom/lajme/beteje-frontale-kunder-informalitetit-ne-ekonomi&page=1
Atikull, 25.08.2015, Gazeta Mapo, “Ky është turizmi që i ka sjellë “boom” ekonomik Shqipërisë….”,
http://www.mapo.al/2015/08/ky-eshte-turizmi-qe-i-ka-sjelle-boom-ekonomik-shqiperise