1- Fajtor pa faj?
Në një kohë kur ministri i shëndetësisë u kërkon profesionistëve të ndershëm e korrektë të mos bien pre e tentativave të shkelësve të ndryshëm të ligjit dhe të rikonfirmojmë vendosmërinë për të zhvilluar deri në fund betejën për reduktimin e informalitetit në sistemin e kujdesit shëndetësor në vend, nëpër ambientet spitalore shqiptare vazhdon rëndom dhuna ndaj mjekëve. Këtu nuk e kam fjalën për dhunë psikologjike apo ndonjë forme tjetër, e cila mund të jetë më e vështirë për t’u vërtetuar, por për dhunë fizike, e cila ndodh në mes të ditës, mes njerëzish, qofshin ato mjekë të tjerë apo pacientë dhe mbi të gjitha brenda ambienteve spitalore. Më datë 22 gusht, në ambientet spitalore të qytetit të Durrësit, është dhunuar fizikisht një prej anëtarëve të stafit mjekësor, i cili ishte duke u kujdesur për një prej pacientëve të radhës. Mirëpo, ai nuk kishte parashikuar se gjatë orarit të punës së tij, do të përballej dhe me një tjetër sfidë.
Duke qenë se shërbimet spitalore shqiptare vazhdojnë të mbeten të mjeruara edhe këtë radhë, mjeku në shërbim i ka kërkuar pacientit të shkojë e të marrë mjekimin e domosdoshëm në mënyrë që të përfundojë kurimin ndaj pacientit (mjekimi i duhur nuk gjendej në spital), duke mos e parashikuar se kjo kërkesë e tij do të përfundonte më një krah të thyer dhe disa dëmtime të tjera fizike. Në këtë situatë, si ta kuptojmë betimin e Hipokratit kur thotë “Në çastin kur po hy në radhët e anëtarëve të profesionit mjekësor, premtoj solemnisht se jetën time do ta vë në shërbim të humanitetit”?
Ky nuk është rasti i parë që në ambientet spitalore shqiptare ndodhin incidente të tilla. Kujtojmë se ngjarje me natyrë të njëjtë kanë ndodhur edhe në qytetit e Tiranës, Gjirokastrës, Beratit, etj. Jo më larg se në muajin shkurt të këtij viti, mjekët u mblodhën së bashku në një grevë, për të rivendosur dhe një herë në vend dinjitetit e tyre i cili përdhoset çdo ditë e më shumë si rezultat i këtyre ngjarjeve. Por, çfarë ndodh në një rast të tillë? Pas ngjarjes së ndodhur në Durrës, ministri Beqaj, u bëri thirrje qytetarëve që të jenë më të kujdesshëm ndaj bluzave të bardha si dhe organeve kompetente për të zbardhur ngjarjen.
Fillimisht, çfarë duhet të zbardhin organet kompetente, atë që ka shekuj që tentohet të zbulohet: Pula bën vezën apo veza pulën? Nëse pacienti është nervozuar dhe ka arritur në dhunë ndaj mjekut, kjo ka ardhur si rezultat pasi ambientet tona spitalore nuk ngjasojnë aspak si të tilla. Pra, nisesh për në spital dhe atje vetëm spital nuk gjen. Nga krahu tjetër, nëse supozojmë se mjeku ka neglizhuar dhe nuk ka kryer detyrën e tij, duhet të kujtojmë që mjeku në Shqipëri nuk mbart frymën e shenjtë, që me një prekje të bëjë mrekullinë, duhet të jenë të plotësuara disa kushte të tjera që humanizmi i tyre të përkthehet në shërbim dhe deri në shërim të plotë të pacientit.
APPA i kërkon ministrit Beqaj, që në vend të të bërit naivin, të marrë masa serioze dhe të mos lodhet duke kërkuar shkakun apo fajtorin, kur ai më shumë se kushdo tjetër e di që shkaku dhe fajtori është brenda institucionit që ai drejton.
Referenca:
Ministria e Shëndetësisë. Gusht 2015. Në mbrojtje të shëndetit të qytetarit, kundër informalitetit: http://www.shendetesia.gov.al/al/neësroom/lajme/ne-mbrojtje-te-shendetit-te-qytetarit-kunder-informalitetit&page=1
Gazeta Panorama. Gusht 2015. Ministria e Shëndetësisë dënon rrahjen e kirurgut: Denonconi çdo shkelje: http://www.panorama.com.al/ministria-e-shendetesise-denon-rrahjen-e-kirurgut-denonconi-cdo-shkelje/
Gazeta Shqiptarja.com. Gusht 2015. Durrës, goditet mjeku se u kërkoi familjarëve të blinin një kateter: http://shqiptarja.com/news.php?IDNotizia=311291
Gazeta Shekulli. Shkurt 2015. Mjekët në grevë për dinjitetin, të dënohet dhuna e përsëritur: http://www.shekulli.com.al/p.php?id=213756
Betimi i Hipokratit: