1- Vazhdon tensioni Tiranë-Athinë
Sikurse theksuam në raportin e muajit të kaluar, është e vështirë që marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë të hyjnë shpejt në binarët e një rruge të përbashkët normale dhe pa pengesa.
Kjo u dëshmua nga një tjetër incident diplomatik mes palëve, si pasojë e ndërhyrjes së Inspektoratit Ndërtimor të bashkisë Himarë, për prishjen e një objekti në Dhërmi, të cilin kjo bashki e konsideron si ndërtim abuziv dhe pa leje të kryer pas viteve ’90, ndërsa komuniteti ortodoks e konsideron si një objekt fetar dhe të shenjtë për ta. Objekti tashmë u prish, por shkaktoi habi që qysh përpara prishjes, shteti grek të reagonte për situatën e krijuar. Në fakt, Athina zyrtare, nëpërmjet zëdhënësit të MPJ-së greke, i dënoi përpjekjet e shtetit shqiptar për të ndërhyrë në këtë objekt fetar si dhe kërkoi një përgjigje nga Shqipëria për këtë. Gjithashtu në deklaratë thuhej se një akt i tillë kompromentonte imazhin e Shqipërisë si një vend që aspiron të bëhet pjesë e familjes së përbashkët europiane.
Përgjigja e MPJ-së shqiptare nuk vonoi. Në të dënohej ndërhyrja e Greqisë në punët e brendshme të Shqipërisë, si dhe paragjykimi që ajo i bënte integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, kundër frymës së takimit të fundit Kotzias-Bushati në Tiranë, që u duk si mjaft objektiv dhe vendosi pikat mbi disa probleme të përbashkëta që duhet të gjejnë zgjidhje. Pas prishjes së objektit, deklaratat e Greqisë u përshkallëzuan, duke e krahasuar gjestin me shkatërrimet e objekteve fetare, të kryera nga xhihadistët e ISIS në Lindjen e Mesme. Kjo deklaratë ka mbetur pa përgjigje nga ana e palës shqiptare, por ndoshta do të ishte më mirë që të ishte kështu, sepse një reagim i tillë ekstrem nuk meriton përgjigje. Përgjigje me të njëjtin ton apo karakter, vetëm sa do t’i përkeqësonin edhe më shumë marrëdhëniet dhe Shqipëria nuk ka përse ta kërkojë një gjë të tillë.
Sidoqoftë një reagim mbërriti nga ana e kryeministrit Edi Rama pak përpara se Greqia ta cilësonte si xhihadist aktin e shembjes së objektit në Dhërmi. Në një vijë me reagimin e MPJ-së shqiptare, Rama ritheksoi se: “asnjë çështje apo problem i Kishës Autoqefale Shqiptare apo i ortodoksëve shqiptarëve nuk ka asnjë lidhje me shtetin fqinj. Ortodoksët shqiptarë janë qytetarë shqiptarë që kanë shtetin e tyre dhe hapësira e ushtrimit të besimit të tyre nuk është protektorat i asnjë shteti tjetër. Ashtu sikundër Kisha Autoqefale Shqiptare, çdo problem që ka pasur, ka apo do të ketë me shtetin, e ka trajtuar, e trajton apo do ta trajtojë me shtetin shqiptar e me institucionet e tij. Prandaj, çdo ndërhyrje në këtë mes, është ndërhyrje e papranueshme në punët e brendshme të Shqipërisë”.
Ritheksimi i një qëndrimi me tone të qeta dhe i bazuar te ligjet dhe te e drejta kombëtare është një qëndrim më diplomatik dhe tregon një urtësi dhe vetëpërmbajtje më të madhe se sa deklaratat agresive dhe me tone fyese të përdorura nga vendi fqinj. Pa i hyrë në themel çështjes juridike nëse kishte të drejtë apo jo shteti shqiptar ta prishte objektin në fjalë, vlen të theksohet se komunitetet e ndryshme fetare shqiptare kanë patur vazhdimisht probleme të karakterit juridik me shtetin ndër vite, por në asnjë rast nuk ka patur reagime të një shteti tjetër për to. Në fakt, komunitetet fetare i janë drejtuar institucioneve të drejtësisë së vendit dhe kur kanë patur të drejtë e kanë gjetur atë. Po të mos kishte qenë kështu, Shqipërisë do t’i kishte dalë prej kohësh nami si një vend armiqësor me fetë dhe nuk do të mbetej që kjo të verifikohej papritmas vetëm për një objekt të caktuar fetar. Përkundrazi, sikurse të gjitha subjektet e tjera gjatë periudhës së tranzicjonit ekonomiko-politik në Shqipëri, edhe fetë janë përshtatur më së miri me fenomenet e informalitetit dhe të allishverisheve të ndryshme, sa që është e udhës të mendohet se shpeshherë kanë qenë përfitues e jo të diskriminuar sa iu takon kthimit të pronave të tyre, ndërtimit të objekteve fetare, apo edhe marrjes së ndonjë merite që nuk i takon. Aq e vërtetë është kjo, sa të shkakton buzëqeshje të konstatosh rëndom në lajmet e kronikës, se disa institucione të caktuara fetare, ashtu sikurse shumë shqiptarë të tjerë neglizhentë, janë bërë protagonistë edhe të mospagimit të faturave të energjisë elektrike për muaj të tërë.
Sa për komunitetin ortodoks, ç’të thuash, gëzon Katedralen më të madhe të krishterë në Shqipëri, mu në zemër të Tiranës, e ndërtuar mbi një lulishte, që qe hapësirë publike e parapëlqyer për kryeqytetasit. Një dhuratë kjo e zemërgjerësisë së pafre të politikës shqiptare. E megjithatë Kryepeshkopi i ortodoksëve, Anastasis Janullatos, nuk e pa të udhës që të ulej me shtetin që i ka bërë gjithë këto koncesione kultit të tij, për të diskutuar lidhur me problemin e objektit në Dhërmi, por rendi të shkonte në Athinë për t’u ankuar. Zëdhënësi i komunitetit ortodoks ka lëshuar akuza nga më të rëndat, duke e quajtur veprimin e shtetit shqiptar si komunist dhe xhihadist.
E gjitha kjo, sikurse kanë faktuar autorë të shquar shqiptarë si Arben Puto dhe Kristo Frashëri, i ka rrënjët te një pretendim i kahershëm grek se ortodoksët shqiptarë janë grekë e për rrjedhojë shteti i tyre amë duhet t’iu dalë në ndihmë. Pas dështimit të përpjekjeve të shumta ushtarake gjatë Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë e të Dytë Botërore për të krijuar shtetin e pavarur të Epirit të Veriut në Shqipërinë e Jugut, gjë për të cilën u bë gjithçka gati me mësymjen e jugut të Shqipërisë me paraushtarakë dhe ushtarakë grekë, si dhe me Protokollin e Korfuzit, por që dështoi së realizuari pasi fuqitë e mëdha nuk e nënshkruan vetëm për shkak të shpërthimit të Luftës, Greqisë iu dha një mundësi e artë më 1992 që planin e saj ekspansionist ta shtrinte edhe më gjerë se kaq, në të gjithë Shqipërinë, kur papritur Janullatosi u bë kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.
Në këtë mënyrë feja u bë një vegël e vazhdimit të ekspansionit gren, por në një formë tjetër. Kjo formë është ajo e “Soft Power”, pra e një ndikimi dhe influence të butë kulturore dhe fetare. Një dëshmi e fortë e kësaj janë Katedralja ortodokse në mes të Tiranës, e cila me bardheblunë e saj evokon flamurin grek, është ngritja e kishave me strukturë greke dhe riti greko-bizantin, me një liturgji greke, si dhe krijimi i varrezave të të rënëve grekë gjatë luftës së dytë botërore në Shqipëri në Jug të vendit, duke improvizuar varre, sheshe me eshtra shqiptarësh, ku të munden.
Për ta bërë edhe më të qartë që është kështu, duhet të njohësh mirë historinë. Ja, për shembull, duke lexuar nëpër postimet që bën Kisha Ortodokse nëpër rrjetet sociale, mund të të bjerë në sy të lexosh historinë e Shën Kozmait të Kolkondasit (Fier). Sipas Kishës, këtë Shenjt, na e paska nderuar dhe i ka ngritur një vend të posaçëm Ali Pashai. Në këtë postim nuk thuhet Ali Pashë Tepelena, por Ali Pashai, sepse për grekët Ali Pashai ishte Ali Pashai i Janinës dhe jo i Tepelenës, pra grek.
Por këtu ka një kontradiktë të madhe mes grekëve. Venizellosi, jo ku aktuali, por ai që paraqitej në Konferencën e Londrës për të zhvatur sa më shumë terrene nga Shqipëria, kur justifikonte masakrën e kryer nga grekët në fshatin Hormovë të Tepelenës, e lidhte me një masakër të mëparshme që kishin bërë myslimanët ndaj ortodoksëve të zonës (pra i quajnë grekë deri në Tepelenë). Dihet që asokohe Ali Pasha urdhëroi vrasjen e disa burrave në fshat që i akuzonte për përdhunimin e të ëmës.
Pra ndaj armikut të përbetuar mysliman grekët u hakmorën, ndërsa tani, për të krijuar një identitet grek në të gjithë Jugun e Shqipërisë e më gjerë por e përdorin atë si filo grek, aq sa i paska shtrirë rrënjët deri në Fier për hir të ortodoksisë. Koncepti arkaiko fetar që e lidh fenë me kombësinë dhe që injoron nocionin shtet-komb, ka të bëjë me periudhën e perandorisë osmane, kur ndarja e qytetarëve të perandorisë bëhej në turq dhe jo turq. Mirëpo kjo ndarje bëhej mbi baza fetare dhe jo entike. Kështu bie fjala, shqiptarë ortodoksë konsideroheshin si jo turq nga Perandoria, duke qenë se kishin një fe të ndryshme nga ajo islame, ndërsa të gjithë myslimanët e tjerë konsideroheshin turq. Nuk ekzistonte një ndërgjegje kombëtare sepse nuk ekzistonte as kombi e as shteti, të cilat janë koncepte të mëvonshme. Për të rrëzuar këtë pretendim të Greqisë se shqiptarë jo turq na qenkërkan grekë, Arben Puto në disa punime të tij vëren gafën që e lidh ortodoksinë shqiptare me shtetësinë greke për shkak të elementit gjuhësor. Mirëpo, sipas Putos, nëse studion mirë periudhën osmane, një sistem tepër i përhapur i asaj kohe ishte ai i Timareve, pra sistemi që iu garantonte jo turqve të ndiqnin fenë e tyre. Duke qenë se feja ortodokse ka një rit bizantin, bazuar te liturgjia në greqisht, dhe duke qenë se sistemi i timareve lejonte hapjen e shkollave në gjuhën e fesë së ndryshme nga ajo islame, kuptohet se edhe në jug të Shqipërisë u lejua hapja e shkollave në greqisht për shkak të fesë ortodokse, por kurrsesi ajo në shqip, duke qenë se shqiptarët e tjerë myslimanë i mbulonte shkolla turke. Por argumenti bazë që shtron Puto dhe që e përdorën edhe fuqitë e mëdha, kur gjatë dhe pas Konferencës së Londrës bënë një census në Shqipëri për të këqyrur pretendimet greke në “Epirin e Veriut”, qe gjuha e folur në shtëpi. Grekët e kundërshtuan fort dhe me të drejtë, sepse ia kishin frikën këtij elementi, sepse e dinin mirë si qëndronte e vërteta. Dhe në fakt qe pikërisht ky element që ia la Jugun e Shqipërisë, vendit tonë. Sepse ndërkohë që gjuha e folur greqisht e disa trevave në jug të Shqipërisë e gjen shpjegimin te sistemi i timareve dhe te shkollat dhe kishat në greqisht që u lejuan këto zona, po shqipen nga e kishin mësuar dhe trashëguar, ndërkohë që Perandoria turke e ndalonte rreptësishtë dhe përpiqej ta asimilonte me çdo mjet? Autoktonia e tyre dhe trashëgimia e një tradite të lashtë është shpjegimi i vetëm për këtë pyetje.
Nëse Greqia vazhdon t’i mëshojë “megalloidesë së saj” marrëdhëniet mes dy vendeve s’do të jenë kurrë të mira. Ndreqja e këtij fenomeni nis me rikthimin e Kishës Ortodokse shqiptare shqiptarëve. Kjo nuk bëhet me luftë, as me ndërhyrje të shtetit, por me diplomaci, ligje dhe marrëveshje dypalëshe.
Besojmë është e qartë tani se për MPJ të Shqipërisë nuk është thjesht një detyrë, por një mjet diplomatik për t’i balancuar kërkesat dhe pretendimet mes palëve, që kur Greqia të kërkojë varreza të tjera ushtarësh grek në Shqipëri dhe ajo të kërkojë mauzole për çamët e vrarë në Greqi. Reciprociteti është i vetmi mekanizëm mbi të cilin mund të bazohen marrëdhëniet. Kur Greqia të ankohet se Shqipëria është vend terrorist që prish kishat e grekëve, kësaj të fundit i duhet rikujtuar se e kanë pushtuar kishën shqiptare me një grek. Pra jo ndjenja e fajit, por reciprociteti duhet të mbeten alfa në marrëdhëniet dypalëshe.
Paternalizëm maqedonas
Ndërkohë që Shqipëria has ditë të vështira në raport me fqinjin më të madh dhe të fuqishëm grek, ajo sakaq po shënon progrese në interesimin për faktorin shqiptar në Maqedoni. Lëvrimi i një fondi nga qeveria shqiptare për përmbytjet në Tetovë, vizita e ministrit Bushati atje dhe deklaratat e tij se përmirësimi i marrëdhënieve ndëretnike është kyç për progresin euroatlantik të Maqedonisë, është njëfarë paternalizmi në rritje i Shqipërisë kundrejt shqiptarëve të Maqedonisë. Kjo nuk është domosdoshmërisht negative, por po duke qenë se ndodh për herë të parë shkakton habi. Rruga e mesme mes dy fqinjëve do të përcaktoje rrugëtimin e ardhshëm të Shqipërisë.
Referenca:
Deklaratë, MPJ, 22.08.2015, “Reagim në vijim të deklaratës së zëdhënësit të MPJ greke”, http://www.punetejashtme.gov.al/al/zyra-e-shtypit/deklarata-per-shtyp/reagim-ne-vijim-te-deklarates-se-zedhenesit-te-mpj-greke&page=1
Artikull, 26.08.2015, Top Channel, “Prishja e kishës, reagon Greqia; gati nota e protestës për Shqipërinë”, http://www.top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=307106
Arben Puto, Pavarësia e Shqiptare dhe Diplomacia e Fuqive të Mëdha 1912-1914, Botimet Toena, Tiranë, 2012.
Artikull, 25.08.2015, Gazeta Mapo, “Qëllimet ekspansioniste dhe “megalloidea” e Janullatosit në Shqipëri”, http://www.mapo.al/2015/08/qellimet-ekspansioniste-dhe-megalloidea-e-janullatosit-ne-shqiperi
Artikull, 26.08.2015, ikub.al, “Ja qëndrimi i plotë i mbajtur nga Edi Rama për Kishën e Dhërmiut”, http://www.ikub.al/Lajme/15/08/26/Kisha-e-Dhermiut-ja-qendrimi-i-plote-i-mbajtur-nga-Rama-per-Greqine-ortodokset-d-0135.aspx