1-Vazhdon hiperbolizmi i MMSR-së për punën e saj!
Me datën 29 korrik 2015 në ueb faqen zyrtare të Ministrisë u publikua Raporti i Monitorimit për aktivitetin e saj për 6-mujorin e parë Janar-Qershor 2015. Gjatë periudhës Janar-Qershor 2015 MMSR-ja ka administruar dhe menaxhuar fondet buxhetore të nëntë programeve. Në këtë raport thuhet se realizimi buxhetor për këto 9 programe është 98.4%, pastaj ndalon dhe analizon, është çështje hiperbole apo fondet e buxhetit janë shfrytëzuar, por jo detyrimisht ky është fakt që programet janë realizuar ?!
Të realizosh pothuajse 99% të të gjitha programeve të planifikuara për 6-mujorin e parë të një viti, do të thotë që po vë në jetë të gjitha programet, që synojnë uljen e varfërisë, të sigurosh gjithë popullsinë me përkujdesje sociale e sigurime shoqërore, të punësosh e të përfshish të gjitha komunitetet në shoqëri, të rehabilitosh të gjitha vuajtjet duke paguar detyrimet ndaj ish të përndjekurve politikë e të arrish të hapësh mjaftueshëm shkolla profesionale për të mbuluar kërkesat e tregut… Në një shtet si Shqipëria ku lajmet, debatet dhe thashethemet politike arrijnë nga të moshuarit te fëmijët e te çdo qytetar, askush nuk e ka të mundur ta besojë vërtetësinë e këtij raporti, sepse realiteti shihet çdo ditë në jetën e mjerueshme të një përqindjeje të konsiderueshme të shqiptarëve që mezi ushqehen! Aq më pak njerëz të informuar, që ndjekin hap pas hapi çështjet dhe të rejat politike! Ndoshta MMSR-ja e ka keqkuptuar transparencën… Të jesh transparent nuk do të thotë të bësh raporte 6-mujore dhe t’i kesh në arkivin e ueb-it, por do të thotë të thuash të vërtetën për gjendjen e Ministrisë, punës që po bëhet dhe realizimit të programeve!
2- Ministër i të gjitha Ministrive, Edi Rama…
Një ndër programet e MMSR-së është dhe përkujdesja për Kultet Fetare. Në fund të muajit gusht, shumë zhurmë në mediat vendase dhe rajonale u bë për shembjen e kishës ortodokse të Dhërmiut. Mbrojtja e kulteve fetare, rindërtimi i tyre, shembja dhe përkujdesja janë nën menaxhimin dhe administrimin e MMSR-së, por “monarkia” e Edit vendosi dhe në këtë rast! Blendi Klosi u pa vetëm pasi çdo gjë kishte mbaruar, shkoi në Dhërmi të arsyetonte ngjarjen e ndodhur dhe të ngushëllonte banorët e Dhërmiut me projektin e ri! Në ditët në vazhdim do të shohim nëse e vërteta është ashtu siç populli pretendon dhe është i revoltuar, duke gjykuar se prishja është “një akt vandal i Qeverisë për përfitime klienteliste”.
3- Aktivitetet për Rininë, nën hije!
MMRS-ja këtë muaj ishte pjesë e 3 aktiviteteve për Rininë në bashkëpunim me Ministritë rajonale, por media dhe shoqëria i vuri në hije këto aktivitete duke mos i kushtuar vëmendjen e duhur! Z. Klosi me 6 gusht morri pjesë në mbylljen e shkollës verore të organizuar për të rinjtë 18-26 vjeç, shqiptarë dhe serbë, duke lobuar për nxitjen e bashkëpunimit ndërkulturor në të ardhmen! Gjithashtu Ministri Klosi ishte pjesëmarrës dhe në Forumin e të Rinjve të Diasporës; organizuar në bashkëpunim me Ministrinë kosovare të Diasporës. Qëllimi kryesor i këtij forumi ishte formimi i Unionit të të Rinjve të Diasporës, meqë numri i studentëve që studiojnë në Europë sa shkon e po rritet, në këtë mënyrë ata mund të nxiten që të kthehen në vendet e tyre dhe të kontribuojnë për shtetet e tyre, pas studimeve. Një bashkëpunim tjetër me Kosovën ishte me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ishte realizimi i organizimit të aktiviteteve të përbashkëta për Ditën Ndërkombëtare të Rinisë me qëllim shtimin e vëmendjes ndaj të rinjve dhe rritjen e rolit të tyre në vendimmarrje.
Referencat:
Web Faqja Zyrtare e MMSR. Raporti i Monitorimit Janar-Qershor 2015. Gusht 2015. http://www.sociale.gov.al/al/dokumenta/raporte/raporti-i-monitorimit-janar-qershor-2015&page=1
Web Faqja Zyrtare e MMSR. Aktivitetet për Rinine. Gusht 2015. http://www.sociale.gov.al/al/te-reja/deklarata-per-shtyp/dita-nderkombetare-e-rinise-maratone-aktivitetesh-ne-tirane&page=1
Zeri i Amerikes. Shemben rrënojat e Kishës së Shën Thanasit në Dhërmi. Gusht 2015. http://www.zeriamerikes.com/content/kisha-dhermi/2932716.html