1- Raporti i monitorimit te Planit Kombëtar të Integrimit Europian 2015-2020
Këtë muaj Ministria e Integrimit ka publikuar ne faqen e saj zyrtare Raportin e Monitorimit Planit Kombëtar të Integrimit Europian të dy 3-mujorëve të parë të vitit 2015. Ky raport është dokumenti bazë për përcaktimin e prioriteteve, planifikimin, koordinimin dhe monitorimin e përmbushjes së detyrimeve në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Në të njëjtën kohë, është edhe mënyra se si Ministria e Integrimit mat përmbushjen e detyrimeve nga ana e Ministrive të linjës përsa i përket procesit të Integrimit, së bashku më Grupet Ndërinstitucionale të Punës, duke u bazuar në masën se sa projekt-akte apo dokumente strategjike të planifikuara janë miratuar nga secila ministri çdo 3-mujor. Sipas dokumentit në fjalë, në tërësi nga të gjitha dokumentet strategjike janë miratuar në masën 33% e projekt-akteve të parashikuara dhe nga dokumentet strategjikë janë miratuar vetëm 52,6 % të tyre, të marra për të gjitha ministritë në kompleks. Ajo që Ministria e Integrimit ka nxjerrë si përfundim për moszbatimin e kuotave të përcaktuara mbi dokumentet në fjalë janë sidomos planifikimi i dobët nga ana e Ministrive i resurseve dhe kohës së nevojshme për hartimin e projekt-akteve, keqmenaxhimi i kohës së duhur për të gjitha hapat që çojnë në miratimin e një projekt-akti ligjor, si dhe koordinimi i dobët ndërinstitucional gjatë hartimit. Përveç arsyeve të sipërpërmendura, Ministria e Integrimit, përpos publikimit të këtyre shifrave, do duhet edhe të japë propozimet e saj mbi masat që duhen të merren në fund të çdo Raporti, sidomos kur kemi të bëjmë me një realizim kaq të dobët. Një gjë e tillë nuk shihet e pasqyruar në Raportin e Monitorimit të Planit Kombëtar të Integrimit Europian dhe mund të themi se në vetvete ky dokument, jo vetëm është tregues i kapaciteteve të dobëta administrative të Shqipërisë për të përmbushur detyrimet e MSA, por, në të njëjtën kohë, është tregues i punës monitoruese që zhvillon Ministria e Integrimit, e cila është përgjegjëse për koordinimin e punës së Ministrive të linjës, sidomos përsa i përket përshtatjes së legjislacionit së BE.
Nuk haset në asnjë nga pjesët modeste të dokumentit 5–faqesh një analizë e thelluar e asaj që ka çaluar në planin e miratimit të projekt-akteve dhe strategjive për secilën ministri dhe cili është plani për bërjen më eficiente të procesit. Nuk arrihet të thuhet me saktësi a është një problem i mungesës së stafit të kualifikuar, a ka një mungesë bashkëpunimi midis institucioneve, apo është boshllëk institucional ai që pengon koordinimin eficient, si problemi kryesor i evidentuar?
Një risi me interes publik në Planin Kombëtar të Integrimit ka qenë ekzistenca e të ashtuquajturave “Njësi Raportuese”, formuar me qëllimin për të krijuar “një rrjet të njësive raportuese për të siguruar fokus të vazhdueshëm për menaxhimin e performancës dhe rezultateve. Këto ‘njësi raportuese’ janë ngritur në secilën ministri dhe drejtohen nga një zëvendësministër” – shkruhet në Planin Kombëtar të Integrimit Europian. Asnjë raportim i tillë nuk pasqyrohet në dokument dhe, nëse ky “Rrjet raportimi” nuk arrin të krijojë një bashkëpunim institucional mes Ministrisë së Integrimit dhe ministrive të linjës, si pasqyrim minimal i kompetencave të veshura, atëherë ngrihet pyetja në ç’mënyrë justifikohet ekzistenca e tij?
Ndërkohë, sipas përcaktimit që jepet në vetë Planin Kombëtar të Integrimit 2014-2020, pika 2: “Ministria e Integrimit Evropian orienton, bashkërendon dhe monitoron zbatimin e PKIE-së, 2014 – 2020, për çdo kapitull, nga grupet ndërinstitucionale të punës (GNP), të ngritura me urdhrin nr.107, datë 28.2.2014, të Kryeministrit “Për ngritjen, përbërjen dhe funksionimin e grupeve ndërinstitucionale të punës për integrimin evropian”.”
Në bazë të këtij përcaktimi, Plani Kombëtar i Integrimit mund të quhet i dështuar për 6-mujorin e parë të 2015 dhe këtë fakt e dëshmon edhe ajo se Ministria e ka publikuar pa shumë bujë, megjithëse vazhdon Ministrja Gjosha të këmbëngulë se masat për zbatimin e 5 Prioriteteve janë zbatuar në masën 90%.
1- Azilkërkuesit – shkaku apo pasoja?
Siç është trajtuar edhe në raportet e mëparshme, vendi jonë figuron në “Listën e Zezë” të vendeve me kërkesat më të larta të qytetarëve që kërkojnë azil në vendet perëndimore, sidomos në Gjermani ku, sipas Ministrisë së Brendshme Gjermane, gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti, rreth 22 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil, pothuajse një shifër 7 herë më e madhe, e krahasuar më një vit më parë. Nëse nga ana e shoqërisë gjermane ka një interes mbi faktorët kontribues, madje edhe një debat të ndezur midis mundësisë për deklarimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor si “vende të sigurta origjine” për të përshpejtuar procedurat e deportimit dhe faktit që masa të tilla shihen si dhunim i të drejtave të njeriut nga shumë organizata, përkundrazi, debati në vendin tonë vazhdon të jetë i thatë. Reagimi i Ministres së Integrimit, Znj. Gjosha, vazhdon të joreflektues mbi shkaqet e fenomenit e sidomos jo i orientuar ndaj gjetjes së zgjidhjeve, por gjithmonë bazuar në deklarata të vakëta jokonsistente me situatën, të cilat në thelb fajësojnë azilkërkuesit për prishjen e imazhit të ngritur vitet e fundit përballë vendeve të BE-së. Ministrja e Integrimit ka zgjedhur qasjen e apelit ndaj qytetarëve, me arsyetimin se dëmtojnë shanset e vendin të tyre për progres në procesin e integrimit. Ministrja në fjalë dhe institucioni drejtues duhej të reflektonin mbi faktin se fenomeni i kërkimit të azilit nga qytetarët shqiptarë, në përmasat e një eksodi që i afrohet atyre të vendeve në konflikt, nuk mund të jetë në vetvete shkaku i ngecjes në procesin e integrimit, por pasqyra e një vendi që është larg tij.
Si përfundim, Znj. Gjosha më në fund është treguar realiste në lidhje me shanset e vendit tonë mbi hapjen e negociatave, mbi të cilat Ministrja shprehet se, pa realizimin e reformës në sistemin e drejtësisë, që do t’i hapte rrugë zbatimit efektiv të të gjithë reformave të tjera, nuk mund të shpresohet për një aprovim nga vendet e BE-së.
Ndërsa, përsa i përket opinionit që pritet në shtator nga Komisioni Europian, theksohet se 5 Prioritetet e famshme janë përmbushur në masën 90 %, megjithëse qytetarët shqiptarë nuk kanë për ta mësuar kurrë nëse një vlerësim i tillë është bërë në bazë të një llogaritjeje sasiore të ligjeve që janë miratuar, apo në bazë të performancës së arritur, një fakt që nuk do të mund ta zbulojë as raportimi sipërfaqësor në Këshillin e Integrimit të muajit të kaluar. Kjo nuk i ndihmon, sidomos kur kryetarja e këtij Këshilli Znj. Bregu nuk duket e bindur mbi zbatimin e reformave.
Nëse na duhet të presim gjithmonë raportin e Komisionit Europian, çfarë funksioni publik kryen Ministria e Integrimit?!
Referenca:
http://www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2014/PDF-2014/110-2014.pdf
http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=307008
http://www.ata.gov.al/gjosha-reforma-ne-drejtesi-thelbesore-per-hapjen-e-negociatave-302587.html