1- Mos-Rilindja e sistemit fiskal
Nisi si një deviancë e vogël nga planifikimi buxhetor, por muaj pas muaji po evidentohen shenja të një krize fiskale. Treguesit fiskalë paraprakë, të publikuar nga Ministria e Financave, tregojnë se përsëri Tatimet dhe Doganat vijojnë të kenë nivelin më të lartë të mosrealizimit. Të dhënat e 7-mujorit të parë të vitit tregojnë se janë arkëtuar 11.2 miliardë lekë më pak se plani: Administrata tatimore ndërkohë ka mbledhur 162.8 milionë lekë më pak se plani. Ndërkohë që Doganat kanë sjellë në buxhet 128.5 milion lekë më pak se plani fillestar. Rënie të konsiderueshme ka pësuar edhe zëri te ardhurave nga tatimi mbi vlerën e shtuar. Pra, pavarësisht gjithë propagandës antievazion (të cilën Kryeministri Rama e vijoi edhe këtë muaj, duke këshilluar qytetarët të mos paguajnë faturat nëse ato nuk shoqërohen me kuponin tatimor), pavarësisht rritjes së disa taksave dhe pavarësisht aplikimit të sistemit progresiv (që paraprakisht duhet thënë se, për shkak të ekonomisë informale në tregun e punës, do të sillte më shumë rënie, se sa rritje në sistemin e tatimeve të lidhura me të) sistemi fiskal nuk rilindi, përkundrazi, po bëhet “kërcënues” për rritjen ekonomike. Në mendimin tonë, e gjithë kjo situatë, më shumë sesa nga reformat (pasi ato në vetvete mund të jenë pozitive), kërkon vëmendje ndaj parimit të miradministrimit të institucioneve përkatëse.
Mosrealizimi i planit të të ardhurave ka shqetësuar si Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) ashtu edhe qeverinë shqiptare. Shqetësimi i FMN-së është se shkaqet e rënies janë afatgjata dhe kjo mund të vërë në rrezik programin për uljen e borxhit. “Disa nga arsyet reflektojnë faktorë të jashtëm, si rënia e çmimit të naftës, interesat apo dhe inflacioni i ulët. Por disa të tjera lidhen me zbatimin e ligjit dhe rregullave tatimore. Pra, ka një problem administrimi. Taksat nuk janë aq të ulëta në Shqipëri, por performanca e të ardhurave nuk është e fortë”, është shprehur Jens Reinke. Ky i fundit në intervista për shtypin shqiptar ka sqaruar, gjithashtu, se ecuria e dobët e të ardhurave në buxhet është arsyeja pse FMN dhe qeveria shqiptare nuk nënshkruan marrëveshjen e radhës për akordimin e këstit të huasë. Misioni i FMN-së do të rikthehet sërish në Tiranë në muajin tetor dhe deri atëherë qeveria duhet të ketë nisur përmirësimin e të ardhurave, në të kundërt FMN do të kërkojë marrjen e masave që mund të prekin aspektin social të reformave qeveritare.
Përballë kësaj situate, kryeministri Rama ka lajmëruar një operacion të gjerë antievazion dhe për këtë ai ka pasur disa dalje për shtyp, i shoqëruar edhe nga drejtoreshat e përgjithshme të Tatimeve dhe Doganave. Gjithashtu, me një mbledhje të dedikuar, qeveria ka shkurtuar shpenzimet me 21.4 miliardë lekë për shkak të rënies së nivelit të të ardhurave nga planifikimi i mëparshëm. Të dhënat që raporton Ministria e Financave, flasin për një reduktim të planit të ardhshëm dhe konkretisht 18% më pak në realizimin e investimeve dhe 10% më pak në shpenzimet korrente.
Në këtë panoramë fiskale, Top Channel raporton se qeveria ka pranuar, gjithashtu, për herë të parë zyrtarisht, se ekonomia nuk po ecën sipas pritshmërive dhe rimëkëmbja e saj do të jetë më e ngadaltë nga ajo që parashikohej në fillim të këtij viti. Sipas dokumentit strategjik për 2015-ën rritja ekonomike është ulur, nga 3 për qind, që ishte vlerësimi fillestar, në 2.7 për qind. Por, teksa ulja për këtë vit ishte paralajmëruar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, surprizë ka qenë rishikimi në ulje për të gjithë horizontin afatmesëm, pra 3 vitet e ardhshme. Mbetet të urojmë për masa efektive, që do të mundësojnë realizimin e të gjithë sukseseve fiskale dhe makroekonomike të para-trumbetuara.
2- Spekulime mbi skemën e tatimeve
Gjatë muajit gusht disa media publikuan lajmin mbi një draft-ligj, i cili parashikonte tatim 5% mbi të ardhurat personale edhe për paga nën 30.000 lekë (aktualisht ky tatim është zero). Megjithatë ky lajm u mohua nga Ministria e Financave. Zëvendësministri Erjon Luçi tha në një konferencë për shtyp: “Nuk ka ndryshim në skemën e tatimit të të ardhurave personale dhe nuk ka asnjë plan për ndonjë ndryshim të mundshëm në këtë drejtim”, duke e deklaruar kështu reformën fiskale “të mbyllur”.
Pavarësisht mohimit të ekzistencës së një projekt-ligji të tille nga Ministria, revista Monitor që së pari bëri të ditur lajmin, publikoi e-mailet respektive të Ministrisë me grupet e interesit në lidhje me çështjen. Në gjykimin tonë, një masë e tillë prek aspektin social të kësaj qeverie dhe cenon vërtet të ardhurat e individëve me paga minimale. Ashtu siç edhe gjykon gazetari Gjergj Erebara, besojmë se masat ndaj evazorëve fiskalë do të ishin mjet më efektiv në zgjidhje të situatës.
Referenca:
Droni.al. Gusht 2015. Ministria e Financave – “gërshërë” ne buxhet
Gazeta Panorama. Gusht 2015. Tatimi i pagave nen 30 mije
Reporter.al. Gusht 2015. Ministria e Financave tërheq projektligjin
http://www.reporter.al/ministria-e-financave-terheq-projektligjin-per-rritjen-e-tatimit-mbi-pagat/
Syri.net. Gusht 2015. FMN – pse nuk nënshkruam marrëveshjen
Top Channel. Gusht 2015. Qeveria korrigjon shifrat e rritjes ekonomike. http://www.top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=305923#k1