1- Presidenti gardian i arsimit të lartë
Megjithëse muaji korrik u mbyll me një atmosferë bisedimesh mes dy krerëve të Presidencës dhe MAS, në mesin e muajit gusht, pas disa konsultimeve, presidenti i Republikës vendosi të mos dekretojë Ligjin për Arsimin e Lartë, duke e kthyer atë për rishqyrtim në Parlament.
Ky vendim negativ, i prerë dhe i argumentuar në disa pika, erdhi pas një konsultimi që presidenti i Republikës pati me pedagogë dhe akademikë, të cilët paraqitën argumentet e tyre kundër këtij ligji. Në fakt, ky është i njëjti grup që frymëzon edhe studentët për protestat, herë të organizuara e herë jo, po kundër këtij ligji. Ajo çka bën habi është se deri më sot janë dëgjuar dhe prononcuar vetëm studentë, pedagogë dhe akademikë, të cilët janë një pakicë, por që pretendojnë të përfaqësojnë një shumicë, të cilët e kanë kundërshtuar dhe parë vetëm në lupën e gjykimit negativ këtë ligj. Nuk kemi dëgjuar deri më tani asnjë prononcim pozitiv, ose ata që bashkohen me këtë vizion preferojnë të mos flasin, por thjesht të përfshihen në takimet konsultative, që zgjatën pothuajse një vit për hartimin e këtij ligji. Në këtë mënyrë, edhe përmes mediave, është krijuar ideja e ligjit “monstër”, i cili është vetëm i zi dhe ka një objektiv keq ndjellës për të ardhmen e arsimit të lartë në Shqipëri.
Presidenti i Republikës paraqiti disa argumente për kreun e Parlamentit por, mbi të gjitha, theksoi se ky ligj është etatist, ku shteti është në qendër dhe jo universiteti e as studentët. Shqetësimi parësor i presidentit lidhet me faktin se ky ligj nuk i është referuar Deklaratës së Bolonjës, Lisbonës dhe së fundi asaj të Jerevanit, ku, sipas tij, Shqipëria ka detyrimin të përqasë legjislacionin e saj të arsimit të lartë me shtetet e BE-së dhe të shkëmbejë praktikat më të mira në drejtim të realizimit të synimeve që imponon Procesi i Bolonjës.
Ligji rrezikon të kushtëzojë të drejtën për arsimin e lartë nga kriteri i pagesës së tarifave të ndryshme, të përcaktuara në ligj, duke ofruar një paqartësi të plotë në lidhje me numrin e tarifave që duhet të paguhen nga studentët.
Vihet re një cenim i Autonomisë së Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe Lirisë Akademike të parashikuar nga Kushtetuta në nenin ku, sipas Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese vendim nr.9/2008, cenohet autonomia përsa kohë krijohen apo ristrukturohen agjenci të ashtuquajtura autonome, të cilat janë në varësi të plotë të Ministrisë Përgjegjëse për Arsimin dhe pretendohet të realizojnë synimet e kësaj reforme në drejtim të cilësisë.
Përsa i përket mandatit të strukturave drejtuese të institucioneve të arsimit të lartë, sipas ligjit ministri mund të pezullojë dhe propozojë për shkarkim një organ të zgjedhur nga personeli akademik. Presidenti shprehet se kjo e drejtë e ministrit bie në kundërshtim me parimet e autonomisë universitare, si edhe me një sërë parashikimesh kushtetuese. Për më tepër, ministri nuk mund të shkarkojë një funksionar, i cili, sipas Kushtetutës, emërohet nga presidenti i Republikës. Pra, ministri nuk mund të bëjë vlerësimin e funksionarëve të emëruar nga kreu i shtetit dhe të zgjedhur përmes votës nga asambletë e personelit akademik.
Zhgënjimi i ministres nuk vonoi, duke e cilësuar qëndrimin e presidentit si antireformist dhe njëkohësisht duke politizuar tonet, pasi e quajti atë palë me pakicën politike (kujtojmë që në seancën e votimit të ligjit opozita nuk votoi).
Megjithëse me këtë akuzë politizuese ministrja shprehet se nuk dëshiron që arsimi i lartë të jetë bajrak i partive politike, e bindur në vizionin dhe vlerat e këtij ligji, ajo shprehet se, sapo të hapet sesioni i ri parlamentar, ligji do të rivotohet me po të njëjtën bindje.
Në një këndvështrim pak cinik, duket më shumë si një lojë pushtetesh. Nga njëra anë presidenti, i cili do të ruajë autoritetin e tij dhe, nga ana tjetër, MAS dhe Qeveria me ligjin e ri që kërkojnë të vendosin një sistem të ri kontrolli, por edhe mundësish ndryshe.
Në të gjykuarin akoma në letra, secila palë paraqet argumente bindës për të ardhmen, por le të mos harrojmë që në fund diçka duhet bërë, pasi sistemi aktual po shfaq mjaft probleme dhe, në mungesë të një alternative tjetër përkundrejt ligjit të ri, nga opozita apo të gjitha palët e interesuara, duket se shumë shpejt ligji i ri i arsimi të lartë do të miratohet dhe dekretohet mes kompromisesh, që vetëm populli nuk do t’i dijë.
Referenca:
http://www.reporter.al/presidenti-kthen-ne-kuvend-ligjin-per-arsimin-e-larte-eshte-antikushtetues/
http://www.top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=306280#relin