1- Iku vapa me gushtin, të flasim për shtatorin
Sikurse raporton Reuters, kryeministri Rama ka shprehur vendosmërinë për të nisur një aksion të madh anti-evazion, që në fillim të shtatorit. Kjo deklaratë vjen pas një konference mbi tatimet dhe grumbullimin e tyre. Konferencë ku, në vend që të pranohej dështimi, u deklaruan rezultate të painterpretueshme. Në të njëjtën konferencë, Rama u përball me premtimin e tij elektoral për rritje të investimeve në rrugë e infrastrukturë. Si ndodhi kjo? Ministri i Ekonomisë, Ahmetaj, deklaroi se deri në fund të 2015-ës do të investoheshin 4% më pak se sa shifra e miratuar në fillim të këtij viti në Parlament. Dhe, nga ana tjetër, do të hiqen nga planifikimi investimet për ndërtimin e disa rrugëve dhe këto para do të përdoren për projekte të tjera, që duhej të ecnin më shpejt që prej fillimit. Ndërkohë, për asnjë moment kryeministri nuk e vuri ujin në zjarr për të apologjizuar sadopak humbjen që pëson, jo thjesht ekonomia shqiptare si shënjues bosh, por sidomos xhepi i fermerëve shqiptarë, prej embargos që produktet shqiptare morën prej Rusisë. Minimalisht, si borxh moral, kryeministri duhet të dalë e të shprehet se si u mor ky vendim, çfarë fiton më shumë Shqipëria nga bllokimi me Rusinë. Ku janë statistikat e eksporteve të munguara dhe ku janë statistikat e përfitimit politik.
E vetmja nismë për t’u përgëzuar nga kjo konferencë është iniciativa e kryeministrit për të nisur një valë kontrollesh ndaj subjekteve tregtare, të cilat nuk plotësojnë kushtet e kërkuara me ligj dhe shpesh dyshohen për evadim taksash. Kjo iniciativë është e shtrënguar nga FMN pas të dhënave të grumbulluara prej tyre deri në muajin maj 2015, ku tregohen tabela rreth pazotësisë së institucioneve shtetërore për të luftuar informalitetin (linku përkatës tek referencat në fund të raportit). Me rëndësi është të shpjegohet publikisht se si do të ndërmerret aksioni dhe çfarë penalitetesh do të kenë kundërvajtësit. Si do të forcohet ligjzbatimi, si do të realizohet aksioni anti-evazion dhe, mbi të gjitha, si do të mbahet në lëvizje kontrollimi i subjekteve kundërvajtëse pas aksionit të fillim shtatorit, në mënyrë që institucionet taksambledhëse të mos ribien në gjumë.
2- Vjena, pak shoë, pak batuta dhe pak buzëqeshje sa për lezet
I gjithë muaji gusht, ajo pjesë e mbetur prej pushimeve, e angazhoi kryeministrin në përgatitjet për pjesëmarrjen e shumëpritur në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Vjenë. Ky samit do të mblidhte për herë të dytë (pas konferencës së një viti më parë në Berlin) krerët e shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të asaj që u quajt gjerësisht Procesi i Berlinit. Procesi i Berlinit nisi si një platformë dialogu mes BE-së dhe rajonit, nën kujdesin e kancelares gjermane Merkel. Mbështetje për këtë proces kanë dhënë Gjermania, Austria, Franca, Italia, dhe deri diku Sllovenia e Kroacia. Para këtij samiti, ishin mbajtur edhe tre takime parapërgatitore. I pari, në Tiranë, i dyti në Beograd, dhe i treti në Sarajevë. Në këto takime këta krerë shtetesh – ku, në fakt, vëmendjen më të madhe e kanë marrë batutat mes Ramës dhe Vuçiç – është folur edhe për krijimin e vendeve të reja të punës, tema si mirëqenia, kultura dhe liria e shprehjes.
Sigurisht qe kryeministri për populizëm të tijin mund të deklarojë se doli plot sukses nga ky takim. Ashtu sikurse bëri në deklaratën për shtyp të 31 gushtit. Mirëpo duhet të mbajmë parasysh, për të mos rënë në manipulimin komunikues të të tilla deklaratave, se procesi i Berlinit nuk varet as nga kryeministri ynë, e as nga ndonjë tjetër në rajon. Ato që kryeministri proklamon si suksese, janë në fakt vetëm dokumente të gatshme, që BE-ja ua ka vendosur në tryezë për firmosje vendeve pjesëmarrëse në këtë proces. Duan apo jo, vendet e rajonit nuk mund, jo vetëm të refuzojnë të firmosin ndonjë prej iniciativave, por madje as të amendojnë ndonjë prej tyre. Patjetër që shumica e shqiptarëve bien dakord që rruga drejt integrimit europian ia vlen shumë sakrifica. E sigurisht që, në kushtet e një vendi gati të parëndësishëm në Marrëdhëniet Ndërkombëtare, por edhe në arenën europiane, Shqipërisë i duhet të thotë PO për gjithçka që i imponohet. Mirëpo kjo mjafton. E populli nuk ka nevojë të gëlltisë edhe faktin që kryeministri inercinë e imponuar e shet si sukses të tijin dhe qeverisë së tij.
Referenca:
Reuters mbi konferencën ekonomike në Kryeministri.
http://www.reuters.com/article/2015/08/05/albania-budget-spending-idUSL5N10G3S620150805
RT, mbi embargon që Shqipëria dhe vende të tjera kanë marrë prej Rusisë.
http://www.rt.com/business/312340-russia-extends-food-embargo/
Të dhënat e grumbulluara nga FMN deri në maj 2015
http://www.imf.org/external/np/sta/ir/irprocessëeb/data/alb/eng/curalb.htm
Takimet përgatitore për Samitin e Vjenës.
Samiti i Vjenës 2015
http://www.bmeia.gv.at/en/european-foreign-policy/foreign-policy/western-balkans-summit/
Faqja zyrtare e Kryeministrisë
http://www.kryeministria.al/al/newsroom/lajme
Profili ne Facebook i kryeministrit
https://www.facebook.com/edirama.al?fref=ts