1- Hapsirat qytetarëve?!!!
Vitin që shkoi kulmoi fushata për lirimin e hapësirave publike dhe megjithëse kohët e fundit nuk është mediatizuar më tej, kjo gjë vazhdon nga çfarë është publikuar kryesisht në mediat sociale të IKMT-së në qytete të ndryshme. Nëse duhet të përmendim disa raste të bujshme ka qënë aksioni në zonën e Xhamllikut dhe Shkollës së Bashkuar, ku të gjitha bizneset të cilat kishin bërë shtesa pa leje duke zënë hapësirat publike janë prishur. Pyetja më e rëndësishme pas një viti mbetet a është përmbushur qëllimi i shembjes së objekteve? A i janë kthyer publikut e qytetarit këto hapësira?? Duke marrë si shembull rastin e mësipërm, i cili është vëzhguar si rast studimi nga ana e APPA, përgjigja është në mënyrë kategorike jo. Mbasi janë lënë për rreth dy muaj në gjendje gërmadhash, shumica e hapësirave janë rimodeluar sërish nga bizneset fillimisht ndërtuese, herë duke ndërtuar një rrugë aty ku ka patur ndërtim e herë të tjera, si në rastin e të zhurmëshmit Bar Oslo, duke zëvendësuar betonin me çadra. Pra, hapësira serish nuk i është kthyer qytetarit. Kjo tregon se pavarësisht nevojës së ndërrmarrjes së hapave kundër objekteve të ndërtuara pa leje, kjo duhet bërë duke patur paraprakisht nje plan se si do të shfrytëzohet hapësira e liruar pasi në mjaft raste, ajo ç’ka ndodhur është që hapeësirat “e liruara” janë kthyer në copëza djerrë e të shëmtuara urbane. Një shembull tjetër është edhe prishja e tregut që gjallon në rrugën Xhanfize Keko, ku u prish e gjithë ngrehina modeste ku shitësit mbështesnin produktet e tyre dhe sot, gjenden në mëshirën e shirave, çadrave dhe baltës. Mbase do ishte mirë që Ministria e Zhvillimit Urban përpara se të bëj planet për shkatërrim, të mendojë për të ndërtuar.
2- Inspektimi i Ministrit, jo i Ministrisë
Gjatë vitit që lamë pas një mori e tërë lajmesh të publikuara në media të ndryshme apo vetë faqen e ministrisë, dëshmojnë për inspektimet e vazhdueshme që titullari i Ministrisë zhvillon në mënyrë të rregullt. Kemi shpresuar që pas kritikave të raportuara më parë nga APPA do të mund të shihnim një ndryshim në qëndrim përsa i përket të ashtuquajturave inspektime, ku këtë muaj ka patur radhën Porti i Sarandës dhe Tregu te Unaza Madhe në Mirditë. Nayrshëm vjen pyetja: çfarë nënkuptohet me inspektim? Inspektim i çfarë: i punimeve, i cilësisë së tyre, i kohës së zbatimit të projekteve, i Bashkive apo direkt inspektim i detyrimeve të firmave kontraktuese? Në çfarë mënyre u krye inspektimi? A ka inspektor brenda Ministrisë së Zhvillimit Urban apo kjo është një kompetencë e rezervuar titullarit? Cilat ishin përfundimet?
Inspektimi nuk ka të bëjë me krijimin dhe shfrytezimin e mundësive propagandistike apo inskenimit të fjalimeve përpara kamerave, por është një punë konkrete që i besohet profesionistëve. Përfitojmë nga rasti për t’i propozuar që të bëjë një ristrukturim të Drejtorive ekzistuese duke qënë se një pjesë e tyre kanë kompetenca të ngjashme me institucione të tjera si Drejtoria e Politikave të Zhvillimit të Territorit, kompetencat e të cilës fare mirë janë po ato të Agjensisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, por nga ana tjetër asnjë nga këto drejtori nuk ka kompetencë të qartë mbi kontrollin e punës që zhvillohet në terren në përputhje me standartet e parapërcaktuara. Një rivlerësim i kompetencave të tyre do t’i bënte këto organe më efikase në punën e tyre, ashtu siç do ishte edhe kryerja e auditeve të brendshme e zbatimi i rekomandimeve përkatëse.
3- Planet Kombëtare dhe qasja e komunikimit me qytetarët
Vazhdojmë të konstatojmë së qasja e zgjedhur nga Minsitria e Zhvillimit Urban për informimin e qytetarit kufizohet në dhëniën e një përspektive të përgjithshme të punës përmes fjalimeve të Ministrit apo publikimi i thirrjeve për konkurse të ndryshme apo shpallja e fituesve pa argumentuar se cilat ishin avantazhet e këtij të fundit, duke i trajtuar si detaje të cilat publiku nuk ka nevojë t’i dijë në mënyrë që të ofrojë gjykimin e tij. Për më tepër, kundrejt bërjes tërësisht trasparente të procesit perzgjedhës, vendos të angazhohet në komunikata për shtyp të tipit Donkishotesk, ku zgjedh t’i përgjigjet dyshimeve për korrektësinë e saj me mënyra pothuajse ordinere. Në rasti konkret ajo iu përgjigj pretendimeve të Studios Metropolis për projektin e Bypass-it të Qafës së Pazarit me argumentet se fituesi ishte zgjedhur nga juri ndërkombëtare (pra, nuk duhet as të dyshohet për rregullsinë) dhe se nuk bëhëj fjalë për diskriminim, duke qënë se kjo Studio është kontraktuar më parë për projekte.
Duke qënë se nga shkëmbimi i akuzave qytetarët nuk kanë qënë të aftë të vendosin mbi të vërtetën, besojmë se një institucion me kompetencat dhe kalibrin e Ministrisë së Zhvillimit Urban ka mundësi të krijojë një traditë komunikimi të prirur drejt paraqitjes të fakteve që dëshmojnë korrektesën e jo akrobacive të tilla argumentuese.
Vijon problemi i konstatuar me prezantimin e 3 Planeve Kombëtare, ku është e pamundur të gjendet një axhendë e ekspozimit të tyre për qytetarët e interesuar të marrin pjesë e të kuptojnë më shumë rreth tyre. Nga çfarë pretendohet nga persona që kanë qenë pjesëmarrës, prezantimet janë ndërmjet deputetëve e zyrtarëve vendor, disa punonjës administrate, një rreth i ngushtë militantësh dhe pak individë të interesuar që kanë marrë ftesë pjesëmarrje gojarisht. Bëhet fjalë për një shfaqje televizive që vazhdon deri në momentin kur Kryeministri, Deputeti apo Ministri kanë dhënë fjalimet përkatëse, ku me raste sekuencat e pyetje-përgjigjeve janë shmangur (Tiranë) apo ka patur reagime të forta të pa publikuar, si ai i Shoqatës së Pavaruar Urbanistike në Shkodër. Nga pamundësia për të gjetur se cili ka qënë reagimi i ekspertëve, kemi hetuar rreth procesit të hartimit të këtyre planeve dhe me kënaqësi kemi vërejtur se AKPT ka mbajtur evidencë të gjitha vërejtjet dhe propozimet e ekspertëve apo edhe të drejtorive përkatëse pranë Ministrive të prekura drejtpërdrejtë apo tërthorazi apo agjencive shtetërore. Kanë qënë pikërisht ekspertë dhe pedagogeë të Universiteteve, të cilët kanë shtruar pyetje si: cilat studime janë marrë parasysh për hartimin e planeve, a ka një hartë kohore për secilin nga projektet e ideuara, a është bërë analizë ekonomike, me çfarë fuqie punëtore do të realizohen planet apo a ka patur një parashikim të lëvizjeve demografike migruese apo si garantohet qëndrueshmëria e planit, duke parë tentativat e mëparshme, si do të maten objektivat dhe a garantohet përputhshmëria më strategjitë e hartuara nga Ministria e Trasporteve apo projektet e financuara nga BE etj.
Janë këto pyetjet, të cilat duhet të marrin një përgjigje tashmë që planet kanë përfunduar dhe po prezantohen, në vend të përmendjes deri në lodhje të avantazheve të planifikimit në vetvete, të zhvillimit që i sjell ekonomisë (si? Në ç’mënyrë?), të radhitjes së një sërë idesh mbi ndërtimin e një tjetër aeroporti (pse?), të makinavë me energji të rinovueshme (në kushtet e vendit tonë?), të rëndësisë së krijimit të parqeve rekreative apo mbrojtjes së habitateve natyrore (E dimë!), mundësive të pafundme që ofron vendi ynë për turizëm (E stërpërsëritur!), mundësitë e zhvillimit të politikave e projekteve rajonale (Cilat projekte?), duke evituar në çdo rast t’i futet përgjegjësisë për të shpjeguar se cilat janë hapat konkretë apo objektivat që do realizohen nga kush, kur dhe cila është vlera që do të investohet.
Guxojmë të shprehemi se pa konsideruar faktorët e sipërpërmendur nga profesionistët e fushës, planet në vetvete janë thjeshtë skica, pa përmbajtje apo mundësi realizimi.
Shkojmë më tej dhe theksojmë me keqardhje se duket sikur qëllimi i Ministrisë nuk është informimi i qytetarëve mbi planet, por të krijojë mjaftueshëm zhurmë, duke hedhur fjalë të mëdha e projekte jo substanciale, në të atillë mënyrë që qytetari të mendojë se ajo çfarë po bëhët është aq e rëndësishme, sa ai nuk ka kapacitet t’a kuptojë dhe se Ministria e ka lënë qytetin e tij pas dore për arsye madhore.
Referenca
http://www.shekulli.com.al/p.php?id=226734
http://www.zhvillimiurban.gov.al/al/newsroom/lajme/inspektimi-i-ministres-gjermeni-ne-mirdite&page=1
http://www.oranews.tv/vendi/zhvillimi-i-fierit-gjermeni-turizmi-dhe-peshkimi-fuqizojne-zonen/
http://vizionplus.al/gjermeni-inspekton-portin-e-sarandes/
http://www.zhvillimiurban.gov.al/files/pages_files/15-05-04-11-04-42Funksionet_e_MZHU.pdf