![Blerina Llalla](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/Blerina-Lalla.jpg)
Blerina Llalla
Muaji dhjetor dallohet per nje sërë aktivitetesh në Ministrinë e Kulturës, duke përmendur këtu dhe ato që lidhen me menaxhimin nga ky dikaster si dy më të përfolurat, siç do të ishin rënia e një pjese të murit në Kalanë e Beratit dhe shpallja e fituesve te Konkursin për Bypass-in e Gjirokastrës. Ngjarje që ngjalli sa reagim po aq edhe humor dhe indinjim, nga ku gjatë çeljes së konkursit për shkak të një lapsusi të prezantueses së aktivitetit ngjarja u çel me fjalinë:
1- E hapim konkursin me prezantimin e studios fituese Atelier 4!
Duke shpallur kështu fituesin para zhvillimit të konkursit, gjë që nxiti debatin në distancë mbi vërtëtësinë, seriozitetin dhe transparencën e konkursit për By pass-in e Gjirokastrës, pasi një hyrje e tillë të çon në konkluzionin që fituesi ishte vendosur para se të zhvillohej konkursi real, (fenomene këto jo pak të hasura në vendin tonë).
Gjithsesi menjëherë pas këtij lajmi erdhi reagimi i Ministres Kumbaro dhe Gjermeni e cila u mundua të sqarojë çështjen e konkursit duke thënë se:
“Tri ishin skuadrat, të cilat u shpallën fituese për të kaluar në fazën e dytë të konkursit, bazuar mbi eksperiencën dhe dokumentacionin e dorëzuar:
- Studio Atelier 4
- Grupimi i studios METROPOLIS me UNIVERSITETIN POLIS + G&K dhe CHËB
- Grupimi i studiove SON Ndërtim+Projektim, C+S CAPPAI ASSOCIATE dhe F&M INGENERIA
Këto tri skuadra, të përzgjedhura nga faza e parë u ftuan të prezantojnë në Gjirokastër propozimet e tyre për temën e konkursit. Prezantimet e tyre u bënë sipas rendit alfabetik. Skuadrat e përzgjedhura nga faza e parë janë thirrur nga moderatorja e konkursit me termin “fituese”, duke iu referuar faktit që kanë fituar garën për të kaluar nga faza e parë në fazën e dytë dhe finale”, thuhet në shpjegimin e ministres Gjermeni.
Ndërsa Ministrja Kumbaro reagon nëpërmjet rrjetit social facebook duke bashkangjitur reagimin e vetë Ateliesë Fituese, fragment: “kur e fitoj garën s’flas, pra qeveria është në rregull, dhe kur nuk fitoj garën proçesi është i korruptuar” – është thjesht mjeran dhe qesharak! Mbeshtetje të plotë dhe të merituar stafit të ri dhe profesional të Atelier Albania që organizoi në Gjirokastër një proçes profesional, publik dhe konkurrues për të gjithë. Nuk ka pasur reagime apo kontestime të mëtejshme mbi këtë ngjarje e cila mund të cilësohet thjesht si një incident i radhës.
2- Përgatitja për Projekte 2016
Fillimisht do të ndalemi në disa veprimtari të përgjithshme por me rendësi në MK ku gjatë këtij muaji u firmos marrëveshja e bashkëpunimit në art, kulturë dhe trashëgimi ndërmjet Torinos dhe Shqiperisë, marrëveshje e cila vjen pas asaj të firmosur në Berlin gjatë muajit nëntor. Marrëveshja tre vjeçare parashikon shkëmbime në promovimin dhe mbështetjen e aktiviteteve reciproke të të dy vendeve në fushën e muzikës, artit pamor, kontemporan, duke vlerësuar njëherësh edhe sektorin e industrisë krijuese, që ndihmon në zhvillimin ekonomik dhe social. Propozimet e para konkrete prekin disa nga fushat e kulturës dhe trashëgimisë:
- Ekspozita të artit shqiptar dhe të fotografisë në Torino
- Bashkëpunim profesional dhe trainim në fushën e restaurimeve me Institutin e Restaurimit të Venaria Reale dhe IMK, Tiranë
3.Programe të edukimit kulturor me Muzetë e Torinos dhe Muzetë shqiptare
4.Shqipëria në Panairin e Librit në Torino
5.Bashkëpunime në fushën e filmit.
Këto marrëveshje mbeten një mundësi pozitive në favor të artistëve dhe shkëmbimeve e promovimit artistiko-kulturor ndërmjet vendit tonë dhe atyre të huaja, matësi konkret i arritjeve do të jenë menaxhimi i mirë i këtyre mundësive dhe shkalla e promovimit të artit dhe trashëgimisë sikurse dhe impakti në fushat respektive.
Që në ditët e para të po këtij muaji vjen dhe thirrja e radhës për projekt propozime në propozime në Art, Kulturë dhe/ose Trashëgimi për vitin 2016 . Fondi i Ministrisë së Kulturës për projektet do të mbështesë propozime të paraqitura nga persona fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, që kanë në objekt të veprimtarisë së tyre promovimin dhe edukimin në fushat e artit, kulturës dhe/ose trashëgiminë kulturore. Ky fond shkon për projekte që zhvillohen ekskluzivisht ose kryesisht në Shqipëri. Propozim-projektet e paraqitura duhet të zhvillohen brenda vitit buxhetor, që do të thotë se aktivitetet e propozuara duhet të përfundojnë brenda datës 7 dhjetor të vitit 2016. Thirrja për projekt-propozime e Ministrisë së Kulturës për vitin 2016 hapet ditën e enjte, datë 3 dhjetor 2015 dhe përfundon ditën e premte, datë 15 janar 2016, në orën 12:00. Përzgjedhja përfundimtare shpallet nga kolegjiumi në datën 10 shkurt 2016. Bashkangjitur këtij njoftimi gjendet një material më i plotë për të gjithë të interesuarit, në faqen zyrtare të MK.
Ndryshe nga viti i shkuar thirrja vjen e përbashkët për projekte në art, kulturë dhe trashëgimi, ndërsa vitin e kaluar thirrjet u trajtuan në mënyra të veçanta dhe në kohë të ndryshme, fillimisht ajo për projektet artistike dhe në një thirrje te dytë ato për projekte në trashëgimi kulturore. Gjatë vitit të shkuar shuma që mund të financohej nga Ministria e Kulturës ishte deri në 3.500.000 lekë të reja. Ndryshe nga viti i shkuar shuma që do të financojë projektet e këtij viti shkon deri në 2.500.000 lekë të reja. Sipas Ministrisë së Kulturës dhe udhëzuesit për aplikim, nga kjo thirrje do të financohen dhe mbështeten aktivitete kulturore që përfshijnë: projekte dhe evente; prodhime kulturore dhe letrare artistike; hulumtim, zhvillim dhe zgjerim të audiencave; aktivitete edukuese nëpërmjet artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore; ngritje kapaciteti të organizatave artistike e kulturore; projekte artistike e kulturore shëtitëse. Ajo që mund të theksojmë sipas udhëzuesit ështe se: Në fushën e Kinematografisë: mbeshteten projekte promovimi dhe edukimi përmes kinemasë (festivale, promovim filmi, edukim të audiencave përmes kinemaseë), por përjashtohen produksione të veprës filmike, në tre gjinitë e filmit (artistik, dokumentar dhe të animuar) sipas përcaktimeve të bëra në ligjin nr. 9353, datë 3.3.2005 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8096, dt 21.03.1996 “Për Kinematografinë” . Në fushën e Trashëgimisë Kulturore: mbështeten projekte që kanë për qëllim promovimin dhe edukimin përmes trashëgimisë kulturore dhe diversitetin kulturor, por përjashtohen projektet që kanë natyrë rehabilituese apo restauruese. Në fushën e Librit: mbështeten projektet e promovimit të librit dhe edukimit të leximit, por përjashtohen përkthime letrare dhe krijime letrare, të cilat do të trajtohen në thirrje dhe fonde të veçanta.
Në këtë thirrje vihet re një trajtim më serioz në përpilimin e dokumentacionit të aplikimit edhe në aspektin estetik, por në publikimin e thirrjes nuk citohet totali i buxhetit që vihet në dispozicion konkretisht vetëm për këtë thirrje për projekte. Sikurse vëmë re më sipër ndryshe nga viti i kaluar këtë vit do të trajtohet në një thirrje të veçantë fusha e perkthimeve dhe krijimieve letrare. Po gjatë këtij muaji u krye dhe ndarja e çmimeve kombëtare letrare për vitin 2014 si veprat më të mira të vitit në krijimtari dhe perkthim siç ishin:
1-Stina e hijeve – Virion Graci: Botues: Pika pa Sipërfaqe
2-Romeo Çollaku për përkthimin e Poezive të Paul Claudel: Botues: Odeon
2- Pak shembje dhe finalizim restaurimesh
Gjatë këtij muaji një lajm që bëri xhiron e medias dhe nxiti reagime të opinionit publik, specialistëve dhe Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ishte ai i rrëzimit të një pjese muri në Kalanë e Beratit. Shkak u bënë reshjet e stinës dhe struktura e dobët e tij. Pjesa e murit kufizues me kullën nr.14 pësoi një dëmtim serioz për shkaqe natyrore, rrëshqitje dhe shembje nga reshjet. Dëmtimet sollën shkëputjen e një pjese dhe rrëzimin e një sipërfaqeje rreth njëzet metër katrorë sipas informacioneve publike. Ky mur kish pësuar dëmtime dhe për arsye të strukturës së tij të dobët dhe si pasojë e mungesës së ndërhyrjes me punime mirëmbajtjeje për vite me radhë. Kjo ngjarje shkaktoi dhe reagimin e akademikut dhe hartuesit të dosjes së Beratit për UNESCO-n, prf. Emin Riza i cili ngre zërin duke kërkuar një vëmendje më të gjerë rreth trajtimit dhe mireëmbajtjes së monumenteve të kulturës dhe trashëgimisë kulturore e cila me kalimin e kohës rrezikohet nga shumë faktorë të jashtëm apo jetikë njerëzor. Por kjo situatë sipas edhe deklaratave të drejtorit të DRKK Berat u mor në dorë dhe në bashkëpunim me IMK dhe MK u arrit përpilimi i projektit dhe miratimi i tij nga KKRK dhe MK duke kryer ndërhyrjen në kohë për restaurimin e këtij muri për të cilin janë duke punuar specialistët e restaurimit, i cili është drejt përfundimit.
Por ajo që mbetet shqetësuese është situata kritike në të cilën mund të gjenden shumë monumente në të gjithë vendin dhe plani i ndërhyrjes në kushtet e emergjencës, një punë e mirë është duke u bërë në fushën e restaurimit por një punë e madhe duhet të vijojë edhe në mirmbajtjen e vazhdueshme të tyre sikurse dhe nderhyrja emergjente në ato zona risku për të mos humbur asnjë pjesëz të mozaikut tonë kulturor dhe historik nga faktorë të çfarëdoshëm, që nga dora e njeriut natyra dhe planet e menaxhimit apo kurimit.
Një tjetër moment i rëndësishëm i këtij muaji ishte ai i finalizimit të restaurimit të Kishës së Shën Thanasit në Karavasta, projekt i prezantuar gjatë muajit prill të këtij viti. Objekti u restaurua me fondet e Ministrisë së Kulturës në vlerën e rreth 17 milionë lekëve. Punimet nisën ditën e Pashkëve dhe përfunduan për Krishtlindje. Kjo është ndërhyrja e parë restauruese që nga momenti i ndërtimit të kësaj kishe në vitin 1778.
Dhe përpara mbylljes së vitit 2015 ndryshe nga dy vitet e shkuara vjen i publikuar në faqen zyrtare të MK një bilanc arritjesh, statistikash nga viti 2013, 2014, 2015 të cilin mund ta gjeni në http://www.kultura.gov.al/al/newsroom/lajme/para-se-te-mbyllet-viti-2015. Një material i vlefshëm në funksion të transparencës mbi punën e bërë gjatë këtij harku kohor po aq sa për të bërë evidencat përkatëse. Natyrisht me interes mbeten dhe raportimet analitike vjetore nga vetë insitucioni si dhe vendosja e prioriteteve sipas punës, arritjeve apo objektivave të vitit në vijim.
Një lajm i mirë ishte edhe ai i përfshirjes në projektligjin për lojrat e fatit edhe MK, i cili përfshiu për të parën herë një taksë të dedikuar për kulturën, nga llotaria kombëtare dhe kazinotë e cila shkon në favor të kulturës që tashmë merr 4% nga taksat e llotarisë, e cila përkthehet në të ardhura shtesë dhe pse jo më shumë projekte në të ardhmen.
Referenca:
http://www.kultura.gov.al/files/news_files/para_se_te_mbyllet_viti_2015.pdf
http://www.kultura.gov.al/al/newsroom/lajme/para-se-te-mbyllet-viti-2015
http://www.balkanweb.com/gazetashqiptare/prezantohet-harta-digjitale-e-trashegimise-shpirterore/
http://www.kultura.gov.al/al/newsroom/lajme/marreveshje-kulturore-me-torinon&page=2
http://www.kultura.gov.al/al/newsroom/lajme/restaurohet-kisha-e-shen-thanasit-karavasta&page=13
http://www.balkanweb.com/site/kalaja-e-beratit-muret-jane-te-dobeta/
http://www.panorama.com.al/restaurohen-muret-e-shkaterruara-te-kalase-se-beratit/