![Elena Pici](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/02/Elena-300x300.jpg)
Elena Pici
1-Po shkelen të varfrit
Ndihma ekonomike është reduktuar me 2.5 miliardë lek, ose 25% krahasuar me pesë mujorin e parë të vitit paraardhës. Kështu ka raportuar Top Channel, i cili argumenton më tej, duke e lidhur këtë reduktim të ndihmës me mos mbledhjen e 6.6 miliardë lek taksa.
Zamir Alushi raporton se nga të dhënat zyrtare qeveria po shkurton fondet e shpenzimeve për ndihmën ekonomike, për pagesën e papunësisë, pensionet e invaliditetit, kompensimin e shtresave në nevojë dhe çdo lloj shpenzimi tjetër me natyrë sociale. Sipas orientimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, me justifikimin se ka pasur abuzime, në vend që të pastrohen listat dhe të zëvendësohen me ata që e meritojnë ndihmën sipas ligjit, fondet për këto kategori janë shkurtuar dhe vazhdojnë çdo muaj të reduktohen më tej.
Nga ana e saj, Ministria bën të ditur se diferenca vjen si rezultat i faktit se 5 mujori Janar – Maj 2014 ka përfshirë pagesën e këtij zëri (ndihmë ekonomike) edhe për 3 muajt e fundit të 2013 (tetor – dhjetor), të cilat u paguan si detyrime të prapambetura në vitin 2014. Edhe për kategoritë e tjera Ministria ka justifikime të cilat mund t’i ndiqni ne Website-n zyrtar të saj.
Por buxheti për të varfrit në 5 muajt e pare të këtij është më i ulët se ai i 3 viteve paraardhëse rresht dhe jo vetëm se vjet, (kur qeveria pretendon se shleu borxhet e prapambetura). Pra buxheti ka dhënë këtë vit për te varfrit me pak se sa jepte 3 vjet me pare. Kjo ne një kohe kur varfëria është rritur për shkak te krizës dhe çmimet po ashtu janë rritur.
2-Bojkoti i gazetarëve
Tetëmbëdhjetë gazetarë të ekonomisë bojkotuan në bllok të shtunën e 25 Korrikut një takim informal me ministrin Cani. Postime të vetë gazetarëve në rrjetet sociale, tregojnë se deri në orët e para të paradites departamenti i marrëdhënieve me publikun në Ministrinë e Financave, ka tentuar ta realizojë takimin, , por pasi u gjend përballë refuzimit në bllok, në orën 10 njoftoi anulimin e takimit, I cili ishte programuar për në 10 e 45.
Gazetari i ekonomisë Klodian Tomorri, me superlativa shprehet se ky është një “rekord i ri botëror”. Duket se gazetarët kanë qenë vërtet të irrituar nga sjellja e deritanishme e Ministrisë dhe ky akt i përbashkët i ka “lehtësuar’ disi. Duhet pranuar së në kursin e 25 viteve të fundit ky është një rast i rrallë.
Në lidhje me arsyet, gazetarët shprehen se Ministria e Financave nuk është model i transparencës. Madje, muajt e fundit ky institucion kishte shënuar regres të dukshëm në këtë drejtim duke fshehur ose vonuar publikimin e informacioneve që duhet të jenë publike. Por sërish nuk ishte kjo arsyeja kryesore e bojkotit, por një tjetër, që lidhet me komunikimin e këtij institucioni me gazetarët.
Veçanërisht gjatë muajve të fundit, për nga gjuha dhe modeli i komunikimit me gazetarët, por edhe publikun e gjerë, Ministria e Financave ishte shndërruar, në një institucion ku segmente të pushtetit ushtronin trysni ndaj mediave dhe gazetarëve.
Veçanërisht gjatë muajve të fundit, në më shumë se një rast në njoftimet apo deklaratat zyrtare të këtij institucioni është përdorur një gjuhë totalisht e papranueshme urrejtje dhe ofenduese ndaj gazetarëve. Pa përfshirë këtu trysninë e ushtruar në rrugë informale, veçanërisht ndaj atyre qe kanë pasur qëndrime kritike ndaj këtij institucioni.
Nuk është e qartë se cilave raste konkrete ju referohen gazetarët. Ndërkohë, nga ana e Ministrisë nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar.
3-Drejtimi i ri i Doganave
Muaji Korrik e gjeti njërën prej drejtorive më të mëdha në varësi të Financave, atë të Dogave nën një drejtim të ri, të shumëpritur dhe në fakt të përmendur në raportin APPA të muajit paraardhës Qershor. Sërish pozicioni i besohet një zonje. Pranvera Fagu (Behushi) është drejtuesja e re e këtij institucioni. Drejtuesja e deri pak kohëve e Sektorit të Shërbimeve Mbështetëse në Ministrinë e Brendshme (megjithëse CV-ja e plotë e Znj. Fagu nuk gjendet online, as ne faqen zyrtare të Doganave) u zotua se objektiv i saj janë realizimi ritmik i planit dhe ndryshimi i imazhit të doganierëve. Nga ana e tij, Ministri Cani u shpreh: “Ka një mosrealizim në të ardhurat nga doganat, për të cilin duhet nxjerrë përgjegjësia, secili duhet t’i dalë zot detyrave të veta”. Urojmë që në këtë konstatim, Ministri të ketë konsideruar edhe përgjegjësitë e tij si dhe të kompanisë Crown Agent, për vazhdimësinë e së cilës nuk ka ende një qëndrim zyrtar. Kujtojmë, se për këtë kompani përflitet një histori korrupsioni, e cila u bë dhe më madhore për shkak të mos eficiencës në performancë. Ndoshta kjo edhe për një neglizhencë në vetë termat e kontratës, ku sipas gazetarit Klodian Tomorri, 75 për qind e pagesës qe qeveria i bën Crownit është fikse, e pa lidhur me performancën apo rezultatet e kompanisë. 10 për qind është e lidhur me numrin e kontrolleve, qe do bej kompania, 5 për qind me trajnimet qe ajo do u bej doganiereve shqiptare dhe vetëm 10 për qind janë te lidhura me rritjen e te ardhurave. Nga 4.25 milionë euro ne vit, kompania ka te lidhura me performancen e te ardhurave vetëm 425 mije euro. Pjesën tjetër e merr, çfarëdo qe te ndodhe me te ardhurat ne dogana.
Së fundmi, nga fjala e Ministrit vlen të përmendim gjithashtu: “Qeveria nuk ka ndërmend të rrisë taksat, por ne do të synojmë grumbullimin e plotë të të ardhurave, me çdo mënyrë, duke iu dalë për zot detyrave dhe duke këmbëngulur që, për të gjithë ata që nuk janë pjesë e këtij angazhimi, të mos ketë vend në administratën e shërbimit doganor shqiptar”. Le të shpresojmë që kjo qeveri socialiste do të mbaj këtë premtim i cili i përshtatet filozofisë së saj!
Referenca:
BallkanWeb.Korrik 2015. Ministria shlyen 16mld leke detyrime
Gazeta Panorama. Korrik 2015. Gazetaret bojkotojne takimin me Ministrin
http://www.panorama.com.al/gazetaret-bojkotojne-takimin-me-ministrin-cani/
Gazeta Shqip. Korrik 2015. Shkelen te varferit për deficitin buxhetor
http://gazeta-shqip.com/lajme/2015/06/25/shkelen-te-varfrit-per-deficitin-buxhetor/
Ministria e Financave. Korrik 2015. Ndryshoni menyren e te punuarit ne dogana http://www.financa.gov.al/al/njoftime/deklarata-per-shtyp/cani-ndryshoni-menyren-e-te-punuarit-ne-dogana&page=1
Ministria e Financave. Korrik 2015. Nuk janë shkurtuar financat për shtresat ne nevoje