Nga Sokol KONDI
Momenti për urtësi
Përveçse për populizëm, ngritja e toneve nga ana e Kryeministrit shqiptar ndaj Greqisë për çështjen e planit urbanistik të Himarës, nuk mund të shpjegohet me gjë tjetër. Dhe është një populizëm racional dhe logjik, i mbështetur te një fitore e freskët elektorale, që i dha të drejtë Ramës për qasjen trime ndaj helenëve, aq sa u bë më çam se sa çamët politikë, si në retorikë, ashtu edhe në rezultat elektoral, duke i reduktuar PDIU-së forcën parlamentare dhe atë shantazhuese ndaj vetë qeverisë.
Por sa të ardhme ka një qasje e tillë?
Ministri i Punëve të Jashtme, Z. Bushati, u takua në Nju Jork me homologun grek Kotzias, duke përfituar nga Asambleja e OKB-së. Aty u lëshua shpresa se palët do të ulen shumë shpejt më në fund, për të diskutuar sy për sy të gjitha çështjet, pa përjashtim.
Dihet se në aspektin negociues, Greqia ka karta më të forta në dorë se sa Shqipëria. Dhe në fakt, sa më shumë që afrohet perspektiva e sigurt e hapjes së negociatave zyrtare për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, aq më shumë forcohet edhe trysnia greke për vendosje vetoje ndaj Shgqipërisë për një gjë të tillë.
Ky qëndrim grek është ashpërsuar, përballë një kryelartësie në ngritje nga ana e kreut të ekzekutivit shqiptar.
Në fakt vendosmëria e Ramës për të çuar deri në fund si shembjet në Shkozë, ashtu edhe ato në Himarë, bazohet mbi një standard të njëjtë dhe jo të dyfishtë, sikurse kanë dashur ta pikturojnë disa. Bëhet fjalë për ndërtime pa leje, të cilat do të shemben për interesa publike, si ndërtime rrugësh, apo shëtitoresh.
Vetëm se disa interesa publike janë më të mëdha se disa të tjera.
Fjala që bie, në rastin e shembjes së ndërtimeve pa leje në Shkozë, Greqia nuk mund të përdorë asnjë veto, sepse është një çështje mes shqiptarësh në Shqipëri. Ndërsa shembje nëdërtimesh në Himarë apo Dhërmi, është një çështje po në Shqipëri, por mes shqiptarësh dhe shqitaro-grekësh në shumë raste. Pra qytetarësh që kanë dyshtetësi, atë shqiptare dhe atë greke. Kaq do të mjaftonte që një shtet i huaj të ndërhyjë për të mbrojtur interesat e shtetasve të tij. E imagjinoni dot që Shqipëria të tregohej kaq kryelartë, sikur të qortohej nga Shtetet e Bashkuara për një shkelje po kaq madhore ndaj shqiptaro-amerikanësh?!
Këtu nuk është puna se Greqia po ndërhyn në çështjet e brendshme. E parë nga kjo logjikë, edhe Shqipëria ndërhyn në çështjet e brendshme të Serbisë, të Maqedonisë apo Malit të Zi, sa herë që ka probleme urbanistike, arsimore, apo investimesh, në Preshevë, në Shkup e Tetovë, dhe në Ulqin, Tuz, Malësi, e kështu me radhë. Madje Shqipëria ndërhyn edhe në çështjet e brendshme të Greqisë, kur konstaton shkelje të të drejtave të shtetasve shqiptarë atje.
Pra nuk ka përse bëhen përçapje, për të shtruar nëse Himara e Dhërmiu, janë shqiptare apo greke. Nuk ka pse shkon puna deri aty, kur dihet fare mirë se sovraniteti i Republikës së Shqipërisë është i pandryshueshem dhe i pacënueshëm në këto territore, edhe pse më shumë juridikisht se sa fatkikisht (ka ndërhyrje politikash greke, pensionesh, apo përmes qasjes së kishës autoqefale shqiptare që drejtohet me një politike të pastër të shovinizmit dhe irredentizmit të vjetëruar grek nga Janullatos).
Ajo me të cilën duhet bërë kujdes, është interesi madhor kombëtar shqiptar që është në rendin e ditës dhe që është celja zyrtare e bisedimeve për anëtarësimin në BE.
Përballë këtij interesi, duhen lënë përkohësisht në kalendat “shqiptare” cështje të tjera, si ligji i luftës që Greqia e mban ende në fuqi, debati për planin urbanistik të Himarës, etj. Në kuptimin që këto cështje duhet të lihen stand-by, në mënyrë që Greqia të mos vendosë veto për hapjen e negociatev për antarësim në BE.
Greqia mund ta vendosë sërish veton edhe pas përfundimit të negociatave. Pra mundet që thjesht ta bllokojë anëtarësimin e Shqipërisë, pasi kjo e fundit t’i ketë plotësuar të gjitha kushtet e vendosura nga Bashkimi Evropian. Në fakt, e ka një të drejtë të tillë dhe mund ta ushtrojë. Fakti që po kërcënon se mund ta ushtrojë që tani, pa arritur puna deri në hapin e fundit, është tregues se Greqia nuk e kapërdin dot këtë kapadaisje shqiptare, kur në tryezë grekët paraqiten me karta shumë më të forta se sa shqiptarët. Në fakt, pas retorikës shqiptare qëndron një vetëizolim i rrezikshëm dhe pa perespektivë, ndërsa pas kërcënimeve greke, qëndrojnë disa instrumenta të fortë ligjorë dhe bllokues.
Pra si i bëhet punës?
Shqipërinë nuk e pengon asgjë që të qepi gojën, të marrë pa pengesa celjen e negociatave, të marrë antëtarësimin dhe më pas t’i kërkojë faqe Evropës së Madhe të gjitha të drejtat e saj Greqisë, kësaj herë si e barabartë mes të barabartësh, në tryezat e mëdha, të Brukselit, Strasburgut apo Gjenevës.
Por Greqia e di shumë mirë këtë, ndaj po përpiqet t’i lajë hesapet që tani. Nëse nuk zgjidhen të gjitha problemet e mbartura dypalëshe përpara hapjes së negociatave apo përpara anëtarësimit final, Greqia padyshim që mund dhe do ta vendosë veton e saj.
Në këtë pikë, gjëja e parë që mund të bëjë qeveria shqiptare, është të tërhiqet nga plani urbanistik i kontestuar i Himarës, ta lërë për një periudhë tejtër. Le të vijojë me planet urbanistike të të gjitha skutave më të largëta të vendit dhe të shprehet publikisht se Himaren do ta bëjë në një moment tjetër, pas zgjidhjes së mosmarrëveshjes me fqinjët.
Kjo është shumë e vështirë të bëhet, pasi për Kryeministrin populist dhe triumfues mbi bazë të këtij populizmi, do të tingëllonte si tërheqje dhe humbje. Por për artin e marrëveshjes do të ishte një lëvizje taktike perfekte.
Në fakt, pas këtij hapi Rama dhe Bushati do të kishin një fuqi të re negociuese, ose më saktë, do të mund t’i kërkonin palës greke që edhe ajo të jepte një shembull tërheqjeje nga qëndrimet e saj, në mënyrë që të arrihej një marrëveshje edhe për cështjet e tjera që janë pezull.
Sigurisht që Greqia do të mjaftohej duke thënë se mosvendosja e vetos nga ana e saj është e mjaftueshme për t’u konsideruar si një tërheqje.
Shqipëria në këtë pikë mund të bazohej te një qasje graduale dhe e shkallëzuar. Pra një tjetër tërheqje e saj nga qëndrimet e mëparshme, kësaj here do t’ia linte padyshum topin në dorë grekëve për të dhënë një shembull se duan zgjidhje të problemeve. Le të shtrohen mbi tryezë të gjitha cështjet nga të cilat palët nuk tërhiqen dhe të lihen në një qoshe. Të vijohet me ato të cilat mund të zgjidhen, si cështja e toponimeve në pasaporta, e rishikimit të teskteve shkollore nga të dyja palët, të nisë një valë vëllazërimi kulturor me koncerte, sport, binjakëzim shkollash e bashkish, lëvizhsmëri e lirë nxënësish e studentësh e kështu me radhë. Nuk kuptohet pse një gjë e tillë ka qenë më intensive vitet e fundit me Serbinë, se sa me Greqinë, kur dihet fare mirë se interesat e ngushta të Shqipërisë lidhen shumë më tepër dhe në mënyrë direkte me grekët. Ky propozim mund të vijë edhe nga qeveria shqiptare, e jo domosdoshmërisht të pritet nisma greke, e cila sdo të vinte kurrë në këtë drejtim. Por grekët nuk kanë pse e refuzojnë një kërkesë të tillë paqtuese shqiptare. Klutura, sporti dhe arsimi si përçapje paqëtimi gradual edhe për çështjet më madhore.
Të bëjmë këto një herë, pastaj të flasim për ligjin e luftës, për shelfin kontinental detar, të drejtat e pronave të çamëve dhe të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri.
Rama mund të bëhej shumë më populist pozitiv dhe triumfues nëse i vë grekët të ndjekin këtë axhendë të tijën, se sa duke u margjinalizuar në ekstremizmin e tij kokëfortë që nuk sheh dritë në fund të tunelit.
Kur të zgjidhen të gjithë këto probleme të dorës së dytë dhe të jemi pak më miq, me takime zyrtare në nivel kryeministrash, ministrash, etj atëherë mund të shtrohen për zgjidhje problemet e mëdha.
Shqipëria nuk ka pse heq dorë as nga kërkesa për zgjidhje të të drejtës së pronës për çamët, as për heqjen e ligjit të luftës, dhe as për shelfin kontinental detar.
Shelfi kontinental nëse zgjidhet me marrëveshje mes dy palëve, kjo (përjashto ndonjë habi të madhe) do të zgjidhej vetëm në dëm të Shqipërisë. Ndaj arbitrazhi ndërkombëtar mbetet zgjidhja më e mirë dhe granci për drejtësinë. Ka me dhjetëra raste kur në arbitrazh i është dhënë e drejtë shteteve që kanë qenë në pozitat e Shqipërisë në kërkesat e tyre. Në fakt, Greqia kërkon të përfitojë det territorial shqiptar duke vepruar përmes një vije të devijuar për delimitimin detar. Mjafton të respektohet vija e drejtë nga deltat, kepet më fundore territoriale, parim i të drejtës ndërkombëtare, që Shqipëria të marrë atë që i takon dhe Greqia të mos përfitojë padrejtësisdht, sikurse përfitoi mbi bazë të marrëvshjes me qeverinë Berisha, që pranoi vijën e devijuar, të kërkuar nga grekët.
Por duhet patur kujdes që palët t’i drejtohen një arbitri të zgjedhur në dakordisë mes tyre dhe jo Gjykatës së të Drejtës Ndërkombëtare Detare, në të cilën Greqia edhe pse është antëare, në marëveshje ka shprehur rezervën se nuk është e detyrurar t’i zbatojë vendimet e saj.
Pas kësja zgjidhjeje, çështja e dytë më madhore mbetet e drejta e pronës së çamëve në Thesproti apo Çamëri. Pa u hequr ligji i luftës, kjo çështje nuk zgjidhet. Greqia për këtë arsye sa herë që hapet kjo temë, fton që shqiptarët që kanë pretendime t’u drejtohen gjykatave greke. Gjykatat greke do të rrëzonin çdo pretendim, duke u bazuar te ligji i luftës, i cili i ka dhënë të drejtë shtetit që të konfiskojë pronat e çamëve të dëbuar, duke i kosnideruar si bashkëpunëtorë të fashizmit apo nazizmit.
Por në Gjykatën e Strasburgut padyshim që çamët do të gjenin të drejtë. Në fakt, është një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut konfiskimi i pronave, qoftë pa marrë as edhe një dëmshpërblim. Edhe Italia, që e pat dëbuar Mbretin Viktor Emanuel, e vendosi si një normë tranzitore kushtetuese konfiskimin e pronave të tij dhe moskthimin e tij në Itali, pasi mohimi i të drejtave të tilla nuk mund të jetë i përjetshëm.
E drejta e jetës dhe e pronës janë bazat e kushtetutave moderne evropiane, dhe janë të pacënueshme, të patjetërsueshme dhe nuk parashkruhen. Ato hyjnë te të drejtat themelore të njeriut.
Shteti shqiptar le të asistojë, që individë, grupe, apo shoqata çame ta trajtojnë individualisht apo kolektivisht këtë kërkesë në Gjykatën Evropiane Të Të Drejtave Të Njeriut në Strasburg dhe kjo ajo të marrë fund një herë e mirë. Aty ku pronat nuk janë të lira, Greqia le t’i dëmshpërblejë çamët dhe kjo çështje të mbyllet një herë e mirë. Greqia mundet edhe ti shtetëzojë për inetresa publike pronat që janë ende të lira të çamëve, është e drejta e saj, por gjithsesi duhet tu njohë të drejtën e pronësisë ish pronarëve dhe ti kompensojë për këtë.
Pra hapat për qeverinë shqiptare mund të ishn të mëposhtmet, duke parë një ripërsëritje:
1 – Tërheqje nga përplasja populiste, lënia e planit urbanistik të Himarës për një moment tjetër
2 – Ulje në tryezë për bisedimin e të gjitha çështjeve
3 – Qasje graduale, të diskutohen një herë problemet që mund të zhgjidhen lehtë, si topinimet në pasaporta, rishikimi i teksteve shkollore etj, dhe të lihen veçmas ato më të vështira
4 – Nismë nga qeveria shqiptare për një paqëtim me Greqinë, përmes sportit, kulturës, edukimit, etj
5 – Adresimi te një arbitër ndërkombëtar për çështjen e shelfit konfinetal detar
6 – Asistimi i qeverisë shqipatre, për individët, grupimet apo shoqatat çame, për adresimin e çështjes së tyre në Gjykatën e Strasburgut, në rast se Greqia nuk pranon të heqë ligjin e luftës.