Sokol KONDI, MSc
Diplomacia jo diplomatike e MPJ
Megjithëse në vitin 2015 Ministria e Punëve të Jashtme, miratoi një ligj të ri për shërbimin e jashtëm dhe u mendua se shumë probleme të mbartura nga e kaluara do të eliminoheshin, përkundrazi ato vazhdojnë të mbeten. Për këtë nuk mund të fajësohet vetëm përplasja tashmë e njohur midis Presidentit dhe MPJ për sa i takon bllokimit të disa emërimeve. Në fakt, kjo përplasje ka një ndikim shumë më të vogël se sa kandidatët e emëruar vetë nga MPJ në shkelje të ligjit, të propozuar nga vetë MPJ, dhe të miratuar nga shumica qeverisëse dy vite më parë.
Ndërkohë që ligji i vjetër kishte në letër aq shumë kritere, shkallë karriere dhe kufizime të tjera deri në etalonin e karrierës, atë të ngjitjes në piedestalin e ambasadorit, sa që ishte thuajse e pamundur që të kënaqte orekset afatshkurtra politike dhe nepotike në shërbimin e jashtëm, ndaj edhe shkelej me të dyja këmbët gjatë gjithë ekzistencës së tij si ligj, ligji i ri u mendua se do ta thjeshtonte shumë këtë procedurë. Në fakt, kushtet për t’u bërë ambasador u lehtësuan ndjeshëm. Dhe kështu që do të mjaftonte që një diplomat karriere të mbante të paktën një gradë jo më të ulët se “Këshilltar” që të mund të emërohej direkt në postin e kreut të misionit diplomatik.
Për t’ia bërë edhe më të lehtë politikës këtë detyrë, ligji parashikon që edhe kur një ambasador nuk e ka këtë gradë, pra nuk është i karrierës, mjafton që ai gjatë 10 viteve të fundit të ketë qenë i përfshirë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Por as ky nen nuk ka mjaftuar për të shmangur shkeljen e ligjit nga MPJ. Jeta (sidomos ajo politike) në disa raste është shumë e shkurtër për të mos u bërë ambasador me çdo kusht. Me shifra në dorë, nga 44 ambasadorët apo të ngarkuarit me punë të Shqipërisë nëpër botë, 9 prej tyre janë emëruar dhe dekretuar, edhe pse nuk përmbushnin asnjë nga kriteret ligjore. Pra 20.4% nga totali i ambasadorëve e ushtron këtë detyrë në shkelje të ligjit.
Si referencë për ta dëshmuar këtë, janë marrë vetë CV-të që ambasadorët kanë paraqitur në faqet zyrtare në internet të ambasadave përkatëse ku ata janë caktuar. Gjithashtu, i jemi referuar debatit dhe pohimeve që vetë ambasadorët apo Ministria e Punëve të jashtme ka bërë gjatë dëgjesave në Komisionin parlamentar për Politikën me Jashtë. Por le ti shohim më në detaj se si paraqitet vërtetë kjo situatë dhe se cilët janë ambasadorët në fjalë.
- Ravesa Lleshi, e ngarkuara me punë e Shqipërisë pranë OSBE-së, së pari nuk e ka të vendosur CV-në e saj në faqen e përfaqësisë që drejton. MPJ për të ka dhënë këto kredenciale në Komision: “3 vjet si kryeredaktore e një reviste në fushën e së drejtës ndërkombëtare…. Prej dy vjetësh është Këshilltare në kabinetin e Ministrit Bushati…. Ravesa nuk vjen nga karriera diplomatike, i referohet nenit përkatës e cila duhet të ketë një karrierë të paktën 10 vjet në marrëdhëniet me jashtë, në pozicione drejtuese të cilat Ravesa i ka plotësuar, ka kaluar të gjitha ato çka parashikon ligji për këtë funksion”.
Por MPJ nga 10 vitet e nevojshme ka mundur të argumentojë vetëm 5 vjet, sikurse mund të lexohet më sipër. Vetë Lleshaj është mjaftuar të mbrohet duke thënë se: “Kam pasur një përvojë shumë të afërt në dy vitet e fundit në nivelet më të larta të diplomacisë, e njoh punën e organizatave ndërkombëtare, teorisë dhe praktikës së tyre shumë mirë nga jashtë, nga bota akademike”, çka gjithashtu nuk është asnjë argument në favor të respektimit të ligjit.
- Leonard Demi – Përfaqësues i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë në NATO, ka dëshmuar se ka qenë 5 vjet nënkryetar i komisionit të jashtëm, dhe 4 vjet drejtor në MPJ, që në total bëjnë 9 vjet dhe jo 10 vjet përvojë në fushën ndërkombëtare, në momentin kur ai është emëruar ambasador, aq më tepër kur dihet mirë se Z. Demi vjen nga fusha e politikës.
- Aida Sakiqi, ambasadorja e Shqipërisë në Holandë, që nuk është një diplomate karriere, dhe që nuk ka qenë pjesë e shërbimit të jashtë shqiptar në momentin kur është emëruar, është emëruar në shkelje të ligjit të vjetër, i cili nuk e parashikonte një mundësi të tillë.
- Gent Gazheli, ambasadori i Shqipërisë në Turqi, nuk ka asnjë gradë diplomatike dhe as përvojë 10 vjeçare në marrëdhëniet ndërkombëtare. Për 10 vitet e fundit ai ka dëshmuar se ka qenë “2005-2007 Ortak/Shoqëri Aksionere, në Aktivitet Privat, 2007-2013 Kryefinancier i Partisë Socialiste të Shqipërisë, 2011-2015 përfaqësues i Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak Tiranë/ Kryetar i Grupit, Bashkia Tiranë” dhe në vitet e mëparshme karriera e tij ka qenë kryesisht në fushën e ekonomisë brenda Shqipërisë.
- Gjergj Teneqexhi, ambasadori i Shqipërisë në Japoni nuk i përmbush gjithashtu vitet e kërkuara në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe nuk është diplomat karriere. “Zoti Teneqexhi… ka eksperiencë… si përfaqësues i Ministrisë së Financave në Grupin negociator për integrimin në NATO në vitet 98-2000, njëherazi dhe si bashkautor i dokumentacionit, si dhe në cilësinë e anëtarit të grupit negociator për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me BE-në në vitin 2001-2006”, – ka argumentuar MPJ për përzgjedhjen e tij, por mbaron me kaq. Z. Teneqexhi në të kaluarën ka punuar: “97-2001 pranë Ministrisë së Financave, Sekretar i Përgjithshëm i po kësaj Ministrie në vitet 2001-2006, ekspert pranë Euralius në vitet 2009-2010, këshilltar i Zëvendës Kryeministrit, Sekretar i Përgjithshëm pranë Institucionit të Avokatit të Popullit, Drejtor i Kabinetit te Ministria e Mbrojtjes, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe të Rinisë”, çka nuk i japin atij përvojën e duhur në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.
- Pëllumb Qazimi, ambasador në Slloveni, nuk mbush vitet si diplomat karriere, dhe vjen nga fusha e ushtrisë, çka dëshmon një rast të pastër të shkeljes së ligjit të vjetër. Ai ka qenë 7 vjet ambasador i Shqipërisë në Kroaci në vitet 2007-2014, dhe nuk kishte vitet e nevojshme në marrëdhënie ndërkombëtare as në vitin 2015 kur hyri ne fuqi ligji i ri dhe kur ai u emërua ambasador në Slloveni.
- Visar Zhiti, i ngarkuari me punë në Vatikan nuk plotëson vitet e nevojshme në marrëdhënie ndërkombëtare. Ai ka dëshmuar se ka qenë në vitet 1995-1999 Ministër Këshilltar pranë Ambasadës shqiptare në Romë. Në vitet 2006-2010 ka qenë sërish Ministër Këshilltar po në ambasadën e Romës dhe ka punuar 1 vit për Komitetin e Helsinkit.
- Edmond Caca, ambasadori i Shqipërisë në Katar, spikat pasi në CV përveç e-mailit zyrtar paraqet edhe e-mailin personal edmondcaca@yahoo.com. Ai nuk plotëson vitet në marrëdhënie ndërkombëtare. Ai ka përvojën 2006-2010, si Sekretar i Parë prane Ambasadës shqiptare në Riad. Nga 2010 në 2013 ai ka patur detyra në ambasadën shqiptare në Kuvajt. Viti 2015 i ligjit të ri e gjen në detyrë pa profilin dhe vitet e nevojshme në marrëdhënie ndërkombëtare. Në CV-në e tij rezulton edhe se ka qenë financier në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë.
- Filloreta Kodra, përfaqësuese e përhershme pranë organizatave ndërkombëtare në Gjenevë, e ka marrë këtë detyrë që në vitin 2012, dhe është në detyrë edhe pse i ka përfunduar mandati. Ajo nuk vjen nga shërbimi i jashtëm dhe nuk ka 10 vite përvojë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në faqen e përfaqësisë në internet nuk ka të vendosur një CV dhe faqja është jashtëzakonisht e varfër në informacione dhe plot gabime teknike.
Nga ngërçi me presidencën, duket se vetëm 2 diplomatë të lartë kanë mbetur në pozitat e të ngarkuarit me punë, pra 7% e totalit. Ata janë, Visar Zhiti në Vatikan, për arsye të qarta politike (ish-ministër i Kulturës i qeverisë të djathtë, që pranoi emërimin nga qeveria e majtë) dhe Ravesa Lleshi, e cila sikurse u dëshmua, është emëruar në shkelje të ligjit.
Për dy ambasadorë, ose 4.5% e totalit është e pamundur të merret informacion zyrtar nëpërmjet mjeteve moderne të komunikimit. Ata janë Z. Nuri Domi në Brazil dhe Z. Riza Poda në Republikën Çeke, të cilët nuk i kanë afishuar CV-të përkatëse dhe për ta është e pamundur të gjendet informacion edhe në ueb-sajtin e parlamentit, ku duhet të ishin bërë dëgjesat në Komisionin e Jashtëm.
Gjithashtu, në faqet përkatëse të ambasadave mungojnë edhe CV-të e ambasadorëve: Ravesa Lleshi, pranë OSBE-së, Selim Belortaja në Kinë, Filloreta Kodra pranë Organizatave Ndërkombëtare në Gjenevë dhe Anila Bitri në Itali, ose më saktë 9% e totalit të ambasadorëve nuk japin asnjë informacion për jetëshkrimin e tyre. Edhe pse thuajse prej një muaji Presidenti i Republikës ka dekretuar si ambasador të Shqipërisë në Kinë Z. Selim Belortaja, në faqen zyrtare të MPJ, rezulton se në Kinë ndodhet Z. Andi Xhoi, i Ngarkuar me Punë. Një mos-azhornim i tillë informacioni, duket një pakujdësi serioze karshi një shteti të rëndësishëm dhe në kohën kur promovohet fort “Konsullata Dixhitale”. Gjithashtu në ueb-sajtin e përfaqësisë së përhershme të Shqipërisë në UNESCO ka një mungesë të theksuar informacioni.