Nga Gerion Treska
Analiza plot dhe tashmë gjithkush le të flasë, në këtë atmosferë post-zgjedhore. Krerë që lëvdohen apo shahen, partiakë që gëzojnë se do të mbajnë ose përfitojnë vende pune të reja, të zhgënjyer të cilët nuk e imagjinojnë dot as se çfarë mund të ndodhë, sidomos pas marrëdhënieve të dhe për rrjedhoje veprimeve të përbashkëta PD-PS para zgjedhjeve. Duket sikur të paktën dy koka e kanë gjetur bashkëjetesën simbiotike në një mënyrë, qoftë për aq sa zgjati apo aq sa edhe mund të zgjasë në të ardhmen.
Por, me fokusin tek shqiptarët u ngacmova nga një artikull i një medie digjitale, “Hynë në grevë urie, por kjo është partia që u votua më shume nga banorët e Zharrëzës”. Thjeshtësisht përmes faqes online të KQZ vërtetohet se PS ka marrë 2209 vota, PD ka marrë 1005 ndërsa LSI 271 vota.
“Dolëm në rrugë, shkuam te vendi ku bëhen plasjet, por na përzuri policia”, tha një banor; “S’ishte tërmet ai. Erdhi nga poshtë. Unë para dy vjetësh e rregullova shtëpinë, s’kam më para”, u shpreh një tjetër; “Na rrëzuan shtëpinë. Po na varrosin të gjallë”, protestoi një tjetër; këto raporton në një kronikë të Dhjetor 2016 faqja e Top Channel. (lexo këtu)
Nëse merren në një krahasim këta dy paragrafë, me shifra, fakte, madje edhe citime të vetë banorëve, u bashkojmë edhe zgjidhjen për 100% dëmshpërblim që i dha Qeveria kësaj situate në Mars të vitit 2017, 2209 votat e PS bëjnë sens. Përse të mos votohet një Qeveri e cila u dha zgjidhje një sërë problemesh që ata kishin? Përse të mos votohet një Qeveri që më pak vështirësi apo edhe vonesë i dëgjoi?
Patjetër, banorët morën dëmshpërblimin si zgjidhje pas pothuajse 4 muaj, mes grevash urie, sfilitjesh dhe jetësh njerëzish të ndryshuara, apo edhe shtëpish të rrënuara. Përse të mos votohet dhe promovohet një Qeveri që paguan dy herë faturë? Përse të mos votohet një Qeveri e cila mund ta kishte monitoruar Bankers-in nga afër duke mos shkaktuar lëkundjet dhe dëmet e tjera. Në fund të fundit të gjitha këto janë jetë njerëzish në më të paktën, dhe në më të shumtën para të taksapaguesve të pakët shqiptar të cilëve u janë rritur taksat rregullisht progresivisht.
Po, të votohen partitë shpëtimtare! Po ato të cilat nuk i hapin vetë telashet dhe pastaj me një të rënë të lapsit dalin si shpëtimtar.