Mjafton të hipësh në majën panoramike të kodrës së Kuzum Babait, e të vështrosh qytetin prej aty, për të kuptuar se as Vlora, ashtu si pjesa tjetër e Shqipërisë, nuk i ka shpëtuar masakër-betonizimit të territorit urban dhe shkatërrimit mjedisor të pjesëve të mëdha të peizazhit rural. Megjithatë kjo e dyta nuk është temë e diskutimit tonë.
Mjafton të vish nga autostrada që të lidh me Levanin, e të hysh në qytet dhe përballesh me një situatë rrugore të nivelit të Rripit të Gazës, në Lindjen e Mesme. Për më tepër, të mendosh që bëhet fjalë për një nyje që lidh segmentin e autostradës, me rrugën që të çon në fshatin e Nartës, e më tej në plazhin e Zvërnecit si një vendmbërritje tërheqëse turistike nga njëra anë dhe nga ana tjetër me qytetin e Vlorës, në hyrje të të cilit si për tallje shkruhet „Mrekullia e ka emrin Vlorë“.
Ndoshta tabela e ka fjalën për të vetmen mrekulli që ekziston këtyre anëve, natyrën.
Dhe meqë Vlora është qytet turistik, dhe të gjithë këmishëbardhët e Tiranës, nga veriu apo nga jugu qofshin, i kanë premtuar Vlorës hisenë e mbretëreshës së turizmit, madje disa syresh në nivele mesdhetare, mjafton të dalësh një pasdite gushti në të ashtuquajturën shëtitje tradicionale të vlonjatëve në bulevardin e palmave, e të vazhdosh më tej drejt ish-Turizmit të Vjetër e më tutje drejt Ujit të Ftohtë, për të kuptuar se politikanët tanë kanë një sens humori gati britanik.
E para gjë që të përplaset në fytyrë është dendësia mbytëse e njerëzve që derdhen nga të gjitha pikat e qytetit, drejt dy trotuareve të bulevardit kryesor. Zakon i optimalizuar nga turistët ky, por fillimisht i nisur nga qytetarët vendalinj. Sigurisht që bulevardi i palmave nuk mbart në vetvete ndonjë ogur për t’u shndërruar në destinacion pelegrinazhi. Nuk është as zona më e bukur e qytetit, dhe sidomos tani me prerjen sistematike të palmave, siç thuhet për shkak të buburrecit të kuq që i than ato. Në thelb, bulevardi “Ismail Qemali”, një gjysmë trashëgimi komuniste, është e vetmja hapësirë tek e cila është investuar dhe e cila është formalizuar aq sa për ta quajtur arterie kryesore zhvillimi urban.
Por edhe ky formalizim, është kryer nën koston e një shëmtie virtuoze betoni dhe hekurash.
Në shumicën e lagjeve të tjera, së bashku me errësirën e mbrëmjes, e cila bie menjëherë në sy nga ballkoni panoramik i Kuzum Babasë sepse kontraston dhunshëm me dy-tre arteriet e ndriçuara në gjithë zonën, gëlon edhe informaliteti dhe së bashku me informalitetin mbijnë pallate si kërpudha helmuese tek-tuk, e së bashku me pallatet e ngritura brenda natës, shpesh edhe gropa rrugësh që u shkurtojnë jetën makinave dhe biçikletave që e kanë hallin me ngut…
350 palma dekorative përgjatë bulevardit dhe më tej, shëtitores buzë detit, janë prerë për faj të buburrecit të kuq të ardhur nga zonat e tjera mesdhetare të Evropës. Shumëkush shpreson që buburreci i kuq të jetë vërtetë insekti, në kuptimin e parë të fjalës, dhe jo ndonjë metaforë e përdorur për ndonjë tender qeveritar palmash.
Trafiku në bulevardin kryesor dhe në rrugën kombëtare të Ujit të Ftohtë, vështirë se shkarkohet dot diku gjetkë. Rruga e unazës lindore të qytetit, e cila kalon nga spitali neuro-psikiatrik dhe del tek ish-fabrika e çimentos, përkufizohet shpesh në zhargonin e disa çunave të zonës si „Stalingrad“. Në kushte të tjera ajo mund të ishte zhbllokimi ideal i ngarkesës së trafikut që vjen nga bregdeti, por nga përkufizimi i çunave, mund ta kuptosh fare mirë se çfarë e pret automjetin po e fute andej.
Transballkanikja mund të quhet një investim shumë i vlefshëm. Kjo arterie i ka dhënë një frymëmarrje të jashtëzakonshme tregtisë, ndërtimit dhe transportit portual të qytetit. Gjithashtu, rruga transballkanike lidh pjesën historiko-moderne të qytetit me lagjet perëndimore, dikur tërësisht të izoluara. Por kjo rrugë, në disa fragmente, nuk është shoqëruar me urbanizimin e pjesëve pranë saj dhe investimet mungojnë, e nëse jo, në rastin më të mirë, janë sporadike e tepër të parregullta për ta balancuar dyndjen urbane të paraleles së saj, bulevardit Vlorë-Skelë. Mjaft të përmend që rruga Transballkanike në shumë segmente, natën nuk ka as ndriçim.
Pra e gjithë shija estetike, me demek turistike e qytetit, përkufizohet në bulevard dhe në shëtitoren e ish-Turizmit të Vjetër drejt plazhit publik dhe Ujit të Ftohtë.
Po gjendja e shëtitores si është?
Mjafton te dalësh një mbrëmje atje, për ta kuptuar se ajo nuk është as shëtitore dhe as rrugë. Një gërmadhë e pashembullt betoni të çarë e thyer gjithandej, rëre të hedhur ngado, trotuar këmbësorësh të shkatërruar plotësisht, mbeturina të pa hequra barakash e ndërtesash një katëshe të prishura nga INUK-u, errësirë që vjen nga ndriçuesit e djegur, gjithë gjysmën e gjatësisë së saj dhe në krye të këtij peizazhi, një rresht i gjatë barrikade pallatesh të cilat zënë gjithë pamjen e mrekullueshme të kodrave të Kaninës e Shashicës dhe ca lokale të frekuentuara nga makina të shtrenjta të parkuara mbi ato pak trotuare që po japin shpirt, si gjeli krenar hipur mbi plehun tek tregimi i Migjenit.
Për çdokënd me sado pak shije estetike amatore, është një pamje e dhimbshme. Çdo përrallë me perla turistike fshihet nga mendja sa hap e mbyll sytë. Është realiteti ku grushti i bajlozëve të fortë ka përdhunuar prej 20 e kusur vitesh, sistematikisht, mjedisin, hapësirën e përbashkët publike, plazhet, të drejtën e pronës, të drejtën e mirëqenies….dhe çdo gjë tjetër që mund t’i ketë rënë në dorë.
Sa më sipër, bëhet fjalë hiç më pak se për territorin, në të cilin është planifikuar të ndërtohet Shëtitorja e Re, ose Lungomare-ja, siç i thonë vlonjatët. 5 km, planifikuar prej Tunelit të Ujit të Ftohtë deri në Pyllin e Sodës, në Plazhin e Vjetër. Aktualisht, pjesa më dinjitoze e këtyre 5 km, vazhdon të mbetet ai segment rruge dhe trotuari i ndërtuar para viteve 1990 që shtrihet nga vendi ku u shkatërrua pallati skandaloz i vjehrrit të Lulzim Bashës, deri tek Tuneli.
Lungomare-ja?
Fillimi i punimeve për Vijën e Re bregdetare të qytetit është përfolur gjatë, qysh disa vite më parë, si motiv i aksioneve të herë-pas-herëshme të Bashkisë së qytetit në prishjen e ndërtimeve informale në zona të ndryshme të Plazhit të Vjetër e të Pyllit të Sodës. Me ardhjen e qeverisë së re në shtator të vitit 2013, Vija bregdetare e Vlorës u fut në prioritetet kombëtare të zhvillimit dhe urbanizimit. Që në muajt e parë të qeverisjes së koalicionit të majtë, kryeministri Rama, në daljet e tij publike në Vlorë, në raste sublime festash por edhe në ditë profane inspektimi apo shëtitjeje, e vinte theksin tek “projektet e mëdha të Vlorës së Shekullit të Ri”. Shumë shpejt, siparin e Vlorës së Shekullit të Ri e hapi buldozeri i INUK-ut, me teatrin e tij tragjik-komik. Tragjik sepse nxori në rrugë disa qytetarë që jetonin në ngrehina një ose dy-katëshe, të rrjepura nga koha në çdo kuptim, fati i keq i të cilave ishte se binin në projektin madhështor të Vlorës së „Shekullit të Ri“. Shumë e ngjashme kjo praktikë aq e dashur e qeverisë aktuale, me shtetet përpara-kushtetuese ku reformat mbështeten jo në kuadrin e frymës ligjore por në vullnetin e liderit të acaruar: „Kjo reformë do gjak, s’ka rrugë tjetër! Nuk mund të hash bukë pa bërë thërrime!“. Por të jemi të qartë, në dallim nga shtetet përpara-kushtetuese, vullneti i hekurt i këtij pushtetit bie shpesh dhe egër mbi qytetarët e pambrojtur dhe rrallë e ëmbël mbi bajlozët, sepse ata të kanë sjellë në karrige dhe po ata t’i thyejnë hundët po t’u prishësh interesat. Banorëve u erdhi urdhri për të liruar shtëpitë, 4 ditë përpara buldozerit, pa asnjë plan të mirëfilltë kompensimi apo rregullimi në bazë të ligjit. Komike, ashtu si e preka dy fjali më sipër sepse buldozerët e ligjit, punonin gjithë ditën me diell për shkatërrimin e barakave, lokaleve dhe ndërtesave përdhese, nën hijen e pallateve të bajlozëve.
Pastaj erdhi konkursi, i cili me pompozitetin e zakonshëm qeveritar, u hap dhe disa muaj më vonë u mbyll, po në teatrin e qytetit. Ato ditë të përfundimit të tij, faqja zyrtare e Ministrisë së Zhvillimit Urban lajmëronte për një bum aplikimesh nga të gjitha anët: 66 studio ndërkombëtare, 15 vendase si dhe 15 grupe studentësh, të cilat donin ta merrnin projektin e Vijës së Re Bregdetare përsipër. Në fund të kësaj maratone konkursi, në 21 shkurt të vitit të kaluar, në teatrin „Petro Marko“, nga një juri e përzier shqiptare dhe ndërkombëtare prej 9 anëtaresh, u përzgjodhën 5 projektet më të mira dhe mes tyre, vendin e parë dhe krejt konkursin e fitoi projekti i studios belge „XDGA“ përfaqësuar nga Xaveer de Geyter. Në prezantimin e fitores, përfaqësuesi belg shtroi nga ekrani i madh përpara publikut vlonjat, disa probleme të mprehta të zonës dhe disa zgjidhje, diskutimi i vlefshmërisë të së cilave është kompetencë e urbanistëve profesionistë. Megjithatë disa elementë nga e gjithë kjo histori, mund t’i marrim në shqyrtim.
Së pari, procesi i prishjes së ndërtimeve pa leje vazhdon të jetë i paqartë. Mirë ndërtimet pa leje, po ndërtimet me leje të jashtëligjshme? Si do të trajtohen nga shteti banorët? A do të trajtohen ata denjësisht duke u dëmshpërblyer sipas ligjit, apo do manovrohet duke i përjashtuar ata në mënyrë abuzive nga skemat e përfitimit, siç po bëhet me banorët e lagjes “Kushtrimi”? Për këtë nuk ekziston asnjë informacion publik. Po pallatet e ndërtuara në krah të rrugës, si kategorizohen nga qeveria dhe projekti? Të ligjshme? Të jashtëligjshme? Të nevojshme për lungomaren? Se kështu dëgjuam nga Xaveer de Geyter gjatë prezantimit. Projekti i tij do ndërthurte brenda edhe pallate banimi, gjatë Vijës se Re bregdetare.
Së dyti, nuk kemi dëgjuar në asnjë dalje publike të kryeministrit, apo të ministres së urbanizimit, qoftë edhe ditën e shpalljes së fituesve konkursit, apo në ditën e fillimit të punimeve, të përmendet shifra e investimit për projektin madhështor të Vlorës së Shekullit të Ri. E thënë më shkurt, qytetarët dhe taksapaguesit shqiptarë nuk e dinë sa lekë do të kushtojë Lungomare-ja. Por situata e mungesës së informacionit nuk paraqitet edhe aq keq. Që prej janarit, ka filluar puna për mbushjen e pazhit tek Akademia e Marinës me rërë. Kjo gjë është ligjëruar botërisht nga kryeministri dhe nga të gjithë poshtë tij, si faza e parë e punimeve në kuadrin e implementimit të projektit. Është edhe një tabelë përpara kantierit të ndërtimit. Çfarë thotë tabela? Tabela thotë që faza e parë e punimeve është mbushja e plazhit me rërë. Kjo vazhdon të bëhet me anë të kamionëve të mëdhenj që e shkarkojnë rërën aty. Po tjetër veç kësaj? Thotë që kjo fazë e parë do të zgjasë 8 muaj, pra duke qenë se jemi në shtator, tashmë duhet të kishte përfunduar. Tjetër? Thotë që kjo fazë punimesh ka kushtuar 179.928.000 lekë. (!!!)
1.8 miliardë lekë të vjetra, për të mbushur plazhin me rërë!
Nëse rëra, nuk ka ndonjë veti magjike-çudibërëse, por përkundrazi, hedhja e saj bëhet ashtu si deputetja e qarkut, Valentina Leskaj, e ka denoncuar në një nga mbledhjet e komisionit të jashtëm parlamentar, si „dhe trualli i marrë nga fshatrat e lumit të Vlorës dhe i dëmshëm për shëndetin e qytetarëve që mund të bëjnë plazh mbi të“, 1.8 miliardë lekë për hedhjen dhe shtrimin e saj, janë shumë…jashtëzakonisht shumë! Pse nuk ka një program transparence për përdorimin e fondeve të projektit? Përveç shifrës që përmenda më sipër e cila vjen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, dhe një deklarate të kryeministrit të bërë tani afër, sipas së cilës për projektin e Vijës së Re Bregdetare të qytetit, do të financojë edhe Banka Europiane e Investimit, nuk kemi asnjë të dhënë tjetër publike. Këtu kujtojmë se ndërkohë, shifra e financimit për bypass-in e Vlorës, një tjetër investim i madh prej 53 milionë eurosh , është bërë transparente së bashku me aktorët që e kanë investuar atë. Ndërsa për Lungomaren, ende asgjë.
Së treti, ekziston një paqartësi e madhe lidhur me kohën e nisjes, vazhdimit dhe përfundimit të punimeve si dhe një paqartësi mbi natyrën e punimeve në vetvete (sigurisht që kjo lidhet me shqetësimin e të gjithëve për alokimin transparent të fondeve). Një herë thuhej se do niste në verë të 2014-ës. Pastaj kronikat televizive dhe gazetat e shtynë fillimin e punimeve në vjeshtë të 2014-ës. Vjeshta e 2014-ës kaloi dhe përfundimisht punimet nisën në 23 janar të 2015-ës. Por jo vetëm kjo. Ende nuk është e qartë pse në ligjëratat e kryeministrit, projekti, pësoi një metamorfozë të çuditshme nga „shëtitore mesdhetare“, në „plazh si asnjëherë më parë“. Dhe kështu ndodhi edhe në realitet ku kamionët filluan të mbushnin plazhin me rërë për ta zgjeruar. Por ka goxha dallim mes shëtitores dhe plazhit. Shëtitorja, sipas projektit belg është me pllaka, ndërsa plazhi është me rërë. Në cilën deklaratë publike, në cilin plan është përmendur se Lungomare-ja, përpara se të bëhet shëtitore, do jetë njëherë plazh?
Dhe pse u deshën 8 muaj për të hedhur 120 mijë metër kub rërë?!
Pyetje që lindin natyrshëm janë: tani që plazhi u zgjerua me rërë, cila është faza e dytë e projektit? Kur do fillojë faza e dytë e projektit? Nëse hedhja e rërës kushtoi 1.8 miliardë lekë, sa pritet të kushtojnë punimet e tjera? A mbaron dot gjithë ky projekt i madh brenda 2 viteve të ngelura të qeverisjes së majtë? Apo këta janë tmerrësisht të sigurt se do fitojnë edhe mandatin tjetër për të vazhduar punimet me ngadalë, qetësi dhe dashuri? Po sikur të fitojë e djathta dhe kryetarit të ardhshëm të qeverisë t’i teket ta ndërpresë projektin në mes dhe ta ndryshojë atë sipas vizionit të vetë? Çfarë bëhet me Vlorën turistike atëherë?
Nëse projektet e mëdha të investimit në Vlorë filluan gjysmën e dytë të mandatit të qeverisë, pse quhet mandat pune 4-vjeçar?
Dy vite të shkuara pa asnjë kacidhe invesitm në qytetin, të cilin duan ta bëjnë një nga më të bukurit në Mesdhe! Nëse qeveria nuk ka shkop magjik që të bëjë mrekullinë në kaq pak kohë, ashtu siç u pëlqen të shprehen disa ministrave dhe vetë kryeministrit, „nga skëterra ku e la gjithçka Saliu“, pse bën premtime prej Harri Poteri atëherë?
Nëse del pasditeve të shijosh perëndimin e Diellit, të vetmin që bajlozët e kulisave nuk mund ta dhunojnë për interesat e tyre dhe tekat e kryeministrave nuk mund ta shpërfytyrojnë, sheh sesi në një cep të plazhit, një buldozer vazhdon të shtrojë qetësisht rërën e hedhur, në drejtim të detit. Është e vetmja mundësi që njerëzit t’i shohësh të lëvizin paqësisht pranë buldozerit, dhe buldozeri të vazhdojë punën e vetë i pa ngacmuar nga ata. Sepse është e frikshme të mendosh metaforën e buldozerit kundër njeriut. Atë që, politika shqiptare e ka ndërtuar prej kohësh dhe vazhdon ta ushqejë me shumë zell.
Nga Egon Loli