“Lex injustia no est lex ! “ Tha Shën Augustini. Të njëjtën tezë, më vonë e mori edhe Thomas Jefferson: “Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrë!” Edhe Henry David Thoreau kur tha se “Kur në një shoqëri të lirë, ligjet janë të padrejta, të gjithë e kanë për detyrë që ta thyejnë ligjin”. Duket përgjatë historisë në fakt se Morali me Ligjin është si Tradita me Zakonet, Këto të parat janë të pandryshueshme e duhen ruajtur me kujdesim, ndërsa të dytat thjesht përshtatin zbatimin e të parave në kohë, rrethana e kushte të ndryshme.
Moralin nuk e shpikim dot, atë e gjejmë këtu, kur vijmë në jetë, ashtu sikurse e gjeti Adami dhe Eva kur Zoti u tha “Mos hani nga frutat e kësaj Peme”, gjë që, prej Kierkegardit e filozofësh të tjerë është zbërthyer si “Mos kryeni marrëdhënie seksuale të parakohshme”. Ligjin ndërkohë e kanë shpikur njerëzit, sa herë që kanë parë se për probleme të ndryshme të shoqërisë, felonët, kishin nevojë edhe për një ndëshkim, përveç turpërimit. Kështu ligji nisi të ndërtohej mbi moralin i cili rridhte prej shkrimeve të shenjta. E megjithatë, me kohën që kalonte, me ardhjen e modernitetit, ligji u bë më i fuqishëm se morali, ngase njerëzit e harruan se nga u vinte morali, e menduan të bëheshin zotër të vetes.
E njëjta gjë ndodh edhe me traditën. Tradita, e cila nuk është më shumë sesa metodika e zbatimit të moralit në shoqëri, shfaqet përmes zakoneve të njerëzve. Zakonet, ndryshojnë kohë pas kohe, e vend pas vendi, por tradita mbetet e njëjta. Për shembull, dikur për të respektuar mikun e mbaje në dhomën më të ngrohtë të shtëpisë, ndërsa sot e çon në hotel me 5 yje. Tradita mbetet e njëjtë: “Respektimi i mikut”, zakoni ndryshon. Mirëpo shpesh njerëzit zbatojnë zakone që kohë pas kohe janë shkëputur plotësisht prej traditës.
Thënë këto, mund të ndalemi pak edhe tek koncepti i dobisë, sa për të forcuar premisën tonë. Kur mendojmë për ligjin, si për atë pozitivin të shpikur nga njerëzit, edhe për atë natyrorin, duhet të mbajmë parasysh konceptin e dobisë. Çfarë të mire na sjell ligji. Për të mirën e përbashkët e për atë individuale flasin Ruso e Monteskjë, ndaj ne nuk do të ndalemi. Mirëpo do të përmendim një maksimë që e përmbledh filozofinë e të mirës së përgjithshme që është ajo e J.S. Mill-it “ E mira më e madhe për numrin më të madh të njerëzve”. Këtu duhet të bëjmë kujdes të mos rrëshqasim drejt utilitarizmit, porse të mbajmë parasysh se kjo maksimë vlen vetëm nëse rezultati nuk bie ndesh me frymën religjioze të drejtësisë, pasi kjo na vjen nga krijuesi e nuk mund ta mposhtim.
E sidoqoftë, përgjatë historisë nuk ndodhi gjithnjë që ligji të vinte prej moralit. Madje, ndodhi që gjithnjë e më shumë ligji të rridhte prej amoralit. Për ta kuptuar ndryshe, ligji gjithnjë e më tepër shkon drejt pranimit të fenomeneve që dikur quheshin degjenerime si për shembull marrëdhëniet homoseksuale, prostituimi, përdorimi i drogërave etj. Dhe gjithmonë e më në përbuzje të përdorimit të simboleve fetare në ambientet publike, mos-abortimit, etj. Kështu, ligji, e ka humbur origjinën prej nga nisi, urdhëresën e Zotit ndaj Adamit dhe Evës, si simbol, se lirinë e fiton vetëm nëse përmbush përgjegjësinë.
A është atëherë e drejtë që të mos i bindemi ligjeve të padrejta. Sigurisht, sipas autorëve që kemi cituar më sipër. Mosbindja civile, nuk kërkon vetëm një sens logjik matematikor: Më leverdis apo jo ky ligj. Por mbi të gjitha një sens moral drejtësie: A është ky ligj në përputhje me ndërgjegjen njerëzore. A e garanton ky ligj jetesën dinjitoze në komunitet të secilit. A bazohet ky ligj në traditë, apo është sporadik e i pabosht. Në histori ka shumë shembuj të mosbindjes civile, por kazuset më të spikatura janë 4 që i përkasin edhe shekullit të XX-të. Dhe që të gjitha janë mosbindje civile paqësore.
Mohandas Gandhi
Një jurist i ri indian, i shkolluar në metropolin e Perandorisë Britanike në vitin 1915 kthehet në vendlindje dhe organizon popullin në një rezistencë të padhunshme. Kjo rezistencë ishte një formë e fuqishme e mosbindjes civile ndaj taksave të kolonizatorit dhe diskriminimit. Ai udhëhoqi popullin e vet edhe institucionalisht, edhe shpirtërisht e simbolikisht përmes marshimit të famshëm të kripës, deri në vetëvendosje dhe më pas largimin e britanikëve nga India. Protestat e tij sociale përfshinin agjërimet e gjata dhe meditimet. Shembulli i tij i mosbindjes së padhunshme është i përbotshëm dhe datëlindja e tij 2 tetori, konsiderohet si Dita Ndërkombëtare e Rezistencës së Padhunshme.
Mosbindja Civile ndaj segregimit të njerëzve me ngjyrë në Nashville, Tennessee (1960)
Një pastor protestant me ngjyrë, i quajtur James Lawson, organizoi të rinjtë e famullisë së tij për të demonstruar në mënyrë të padhunshme kundër segregimit të zezakëve. Ata e nisën mosbindjen e tyre duke vizituar për çdo të shtunë paradite, restorantet popullore të Nashville-it, të cilat e ndalonin hyrjen e zezakëve, dhe refuzonin t’iu shërbenin atyre. Studentët, i rezistuan për javë me radhë ofendimeve, dhunës fizike, arrestimeve dhe intimidimeve sistematike, pa u kundërpërgjigjur asnjëherë. Brenda 4 muajsh ata arritën që të grumbullonin rreth vetes mbi 10’000 demonstrues të tjerë, dhe pak nga pak mundësuan që edhe vetë kryebashkiaku të mos i quante më shkelës ligji, por ta quante ligjin si shkelës të të drejtave të tyre. Kjo lëvizje, bashkë me marshimet e padhunshme të Dr. Martin Luther King Junior-it, arritën që të zgjonin shpirtin e drejtësisë jo vetëm tek zezakët por edhe tek e gjithë shoqëria amerikane.
Kili
Në vitin 1983, punëtorët kilenë nisën një varg protestash kundër regjimit ushtarak të gjeneralit Augusto Pinochet. Edhe pse ishin bërë tashmë dhjetë vite në pushtet, askush nuk e quante diktatorin, diktator, dhe askush nuk e quante dot diktaturën, diktaturë. Ishin minatorët, ata që nisën demonstratat e para që bënin thirrje për një grevë mbarëkombëtare. Kësaj thirrjeje iu bashkua papritur i gjithë populli që nisi të protestonte duke përplasur tenxhere dhe enë kuzhine nëpër rrugë. Protestat u vendosën që të mbaheshin çdo muaj, dhe për çdo muaj ato rriteshin. Kjo, derisa në marshime nuk ishin më punëtorët, por i gjithë populli që deri dje nuk lejohej as te komunikonte lirshëm me një të panjohur. Siç ndodh rëndom në këto raste, arrestimet e disa protestuesve dhjetëfishojnë numrin dhe agresivitetin e turmës. Në lojë u fut edhe kisha katolike e cila bënte thirrje për mosbindje paqësore. Pasi kisha gjykon se dhuna është mjeti i të dobëtëve, të cilët nuk kanë mënyrë tjetër për të mbrojtur të tyren. Mundësia e vetme për ta realizuar këtë, ishte vetë kushtetuta e Pinochet-it, e cila parashikonte një plebishit për çdo tetë vjet, ku njerëzit votonin me “PO” ose “JO” për të vazhduar regjimin. Menjëherë nisi një fushatë e palodhur për të bindur njerëzit që në referendumin e vitit 1988 të votohej “JO”. Ajo që mund të bëhej tashmë, ishin spotet televizive. Mirëpo duke qenë se vetëm një pjesë e popullit ishin të gatshëm për ta rrëzuar pushtetin, u desh ndihmë nga jashtë. Me ndihmën e konsulentëve amerikanë, opozitarët ndërtuan spote televizive gazmore ku njerëzit thoshin “JO” në mënyra të ndryshme. Spotet u bënë një sensacion për të cilin njerëzit vraponin për t’i parë në TV. Pasi rezultatet e votimit treguan një “JO” vendimtare në mbarë Kilin, gëzimi popullor ishte ekzaltues jo vetëm për rrëzimin e Pinochetit, por sepse edhe një herë kjo përpjekje kishte vërtetuar se pushteti i njerëzve është shumë më i madh sesa njerëzit në pushtet.
Bojkotimi i bizneseve që mbështesnin Aparteidin
Lëvizja kundër Aparteidit e Nelson Mandelës, shpesh ka përdorur dhunën për të intimiduar pushtetarët afrikano-jugorë të kohës. Kjo e çoi edhe kryeministren britanike Margaret Thatcher që të deklaronte asokohe se Mandela ishte thjesht një terrorist. E patjetër që me të drejtë. Mirëpo, brenda të diskriminuarve me ngjyrë në Afrikën e Jugut, kishte edhe njerëz të guximshëm të cilët ia dolën të shënonin emrin e tyre në histori, pa përdorur dhunë, por vetëm përmes mosbindjes civile paqësore. Ky është rasti i një të riu afrikano-jugor të quajtur Mkhuseli Jack. Më 1985-ën, ai udhëhoqi një lëvizje masive kundër diskriminimit të ligjësuar të asaj kohe, të njohur me emrin Aparteid. Ai dhe ndjekësit e tij bënin thirrje për një bojkot të gjerë konsumatorësh ndaj të gjitha bizneseve. Ekonomia lokale u shkatërrua vetëm brenda pak ditëve, pasi asnjë njeri me ngjyrë nuk shpenzonte më para në shitoret e Cape Town-it. Shumë shpejt, kjo lëvizje e ktheu vëmendjen e të bardhëve tek vuajtjet e përditshme të zezakëve me të cilët ata jetonin. Pas pak kohe, asnjë biznes nuk e mbështeste më sistemin e aparteidit.
Të gjitha këto raste, por edhe të tjera nëse i merrni në shqyrtim do të tregojnë se një mosbindje civile paqësore, është e suksesshme vetëm nëse zbatohen disa kritere kryesore. Kritere që i gjejmë dukshëm në rastet e mësipërme: a) Thirrja për mosbindje civile vjen nga populli. Jo nga partitë, jo nga institucionet, nga populli. b) Çështja që e thërret mosbindjen civile i takon një pjese të popullit dhe jo të gjithëve. c) Çështja, është një e vetme, segregimi; diskriminimi; liria e fjalës; varfëria;. d) Mirëorganizimi dhe koordinimi i njerëzve prej liderëve në të cilët ata kanë besim, është element thelbësor për mosbindjen civile.
Për t’u kthyer në Shqipëri, dhe për t’u kthyer në 2016-ën. Qeveria shqiptare sot ka zhgënjyer. Sigurisht që fryma e përgjithshme e popullit sot, e përbuz qeverisjen që po përjeton. Në shumë biseda informale, me taksistin, me kamerierin, me shitësen e preshit e me cilëndo kategori tjetër qytetari, ti mund ta kuptosh se si njerëzit e krahasojnë këtë qeveri me atë paraardhësen. “Erdhi me premtime të mëdha, dhe u zhyt edhe më në korrupsion sesa paraardhësja”. Kështu ndodhi me Berishën pas Nanos, kështu edhe me Ramën pas Berishës. Ndërkohë pakkush ka besim se Basha nuk do të përfundojë në të njëjtin rreth vicioz nëse vjen në pushtet. Fundja çfarë modeli ndryshe tregoi si ministër i jashtëm, i infrastrukturës apo i brendshëm, apo si kryetar bashkie i kryeqytetit?
Përtej besimeve popullore ama, kemi përpara një thirrje të madhe të Bashës dhe Berishës për mosbindje civile. Ndoshta jo për herë të parë në botë, por për të disatin absurditet radhazi në historinë e studimeve politike, do të rreshtohet edhe thirrja për Revolucion, që bëhet një parti e vetëquajtur e djathtë. Revolucion Demokratik Paqësor, Mosbindje Civile, Valë Protestash Popullore. Këto janë togfjalëshat e përdorura si kërcënim i mezidësgjueshëm prej të djathtës shqiptare. Sigurisht që këtu nuk ka asgjë të djathtë. Se çfarë duhet, dhe mund të bëjë, një parti e djathtë si PD sot, këtë do ta shtjellojmë në një tjetër artikull në të njëjtën gazetë. Mirëpo, revolucione, dhe madje popullore, sigurisht që nuk mund të bëjë.
Nëse u rikthehemi kritereve që kemi rreshtuar më sipër, për suksesin e një mosbindjeje civile popullore, do të shohim se PD, nuk përmbush asnjë. a) Thirrja duhet të vijë nga populli. Në këtë rast vjen nga një parti. Vetë etimologjia e fjalës parti, nënkupton një pjesëz të popullit. Është pra absurde të mendosh se interesi i një populli të tërë mund të përfaqësohet prej një partie, prej një pjesëze, prej një copëze. Partia Demokratike, nuk mund të bëjë thirrje për mosbindje civile, pasi edhe nëse ata e iniciojnë, ajo është e destinuar të dështojë, pasi nuk përmbush kriteret që më sipër i kemi deduktuar prej kazuseve të eksperiencës botërore. b) Çështja për të cilën bën thirrje PD, është Edi Rama, kryeministri keqdashës i vendit. Cilido studiues politik, menjëherë (ashtu sikurse ka ndodhur) do të qeshte me ketë pretendim. Kemi deduktuar sërish më sipër, se çështja duhet të prekë vetëm njërën pjesë të popullit dhe t’i bëjë ata të bashkohen duke u dalluar prej pjesës tjetër: punëtorët e minierave në Kili, lypsarët dhe të varfrit e Indisë, zezakët e diskriminuar të Cape Town-it, dhe të rinjtë e krishterë me ngjyrë të segreguar. Nuk mund t’i bësh thirrje të gjithë popullit për të gjitha çështjet. c) Kryetari Basha, e ka thuajse të pamundur të gjejë një çështje të vetme që të jetë aq e rëndësishme saqë të zgjojë shpirtin e indinjatës tek populli, pasi sërish, për frymën e përgjithshme të popullit, këto që bën Rama sot, i bëri Berisha dje dhe do t’i bëjë Basha nesër. d) me ardhjen në krye të PD, Basha përzgjodhi 24 koordinatorë kombëtarë të cilët veprojnë të gjithë në tiranë dhe thuajse nuk e njohin bazën. U bënë zgjedhjet për forumin rinor, dhe u dëgjuan ofendime nga më të larmishmet që vërtetojnë fraksionet brenda partisë. Drejtuesit e partive nëpër qytete të ndryshme konsiderohen nga vetë njerëzit e qytetit ose si të korruptuarit e dikurshëm (kur ishin në pushtet), ose si arrogantët apo të fortët e lagjes (që kanë bërë para prej pushtetit). Kështu që praktikisht PD është e paaftë edhe të organizojë partinë e vet, e jo më një grupim qytetar apo popullor që t’i mosbindet ligjit për të gjitha çështjet që partia ngre.
Një parti e djathtë duhet medoemos të kërkojë të rigjallërojë traditën dhe moralin. Vlerat e njerëzimit qëndrojnë tek tradita, e cila në vetvete rrjedh prej religjionit. Një parti e djathtë bën thirrje për rigjallërimin e traditës dhe vlerave si Ted Cruz dhe Marco Rubio. Një parti e djathtë ofron një program qeverisës përmes një qeverie në hije sikurse suksesoi David Cameron kur në pushtet ishin laburistët. Një parti e djathtë i kërkon t’i përshtatë ligjet me traditën dhe jo të shpikë zakone përmes ligjeve e aq në pak përmes mosbindjes ndaj ligjeve. Një parti e djathtë kurrsesi nuk bën thirrje për revolucion nëse frymëzohet prej Edmund Burke-ut, dhe Joseph de Maistres.
Kësisoj, sikurse e kanë treguar këto muaj, sikurse e ka treguar eksperienca botërore, sikurse e tregon literatura (Gene Sharp, P.Sh.) dhe sikurse kemi argumentuar gjerësisht më sipër, kjo thirrje, është një blof amator, që nuk do të merret seriozisht sikurse nuk është marrë derimë tani. Dukshëm, opozita sot, po zhgënjen njësoj si qeveria. Dukshëm, mosbindja dhe protesta duhet të nisë ndaj partive dhe klasës politike në pushtet.
Brenton Kotorri