Nga Flutura GJANA
Pyjet në rënie
Pyjet shqiptare çdo vit riskohen nga faktorë të ndryshëm si prerjet, zjarret, erozioni, lejet për ndërtimin e HEC-eve etj. Imazhet satelitore kanë treguar se në 10 vitet e fundit sipërfaqet e pyjeve në të gjithë territorin e Shqipërisë janë ulur[1] me 7%, nga 33% që ishin 10 vite më parë sot janë 26%. Edhe pas vendosjes së moratoriumit të pyjeve në shkurt të këtij viti, situata mbetet përsëri problematike.
Nuk duhet harruar një hallkë shumë e rëndësishme. Ajo e institucioneve përkatëse që kanë për detyrë të monitorojnë pyjet. Duhen përcaktuar mirë përgjegjësitë dhe detyrat që ka secili punonjës i këtyre institucioneve dhe në rast të mos përmbushjes së tyre të merren masa e duhura ndëshkuese. Në këtë mënyrë rritet dhe cilësia e punës së tyre dhe ulet rreziku që mund t’i kanoset pyjeve.
Por me ardhjen e sezonit të verës, pyjet rrezikohen të përfshihen nga zjarret, të cilat të shumtën e rasteve kanë qenë me dashje. Fenomen që nuk ka munguar as këtë vit. Gjatë këtij sezoni veror ka pasur mbi 40 vatra zjarri në qarqet Tiranë, Dibër, Elbasan, Vlorë, Gjirokastër. Ku si pasojë janë djegur sipërfaqe me kullota, ullishte, pisha, dushk, ah, shkurre etj.
Kush janë masat që do merren që të paraprijmë këto vatra zjarri të papritura? Monitorimi i fondit pyjor nuk realizohet me rigorozitet, duke krijuar kushte të favorshme për prerjet e paligjshme, për zjarrëvënie me dashje apo abuzime nga subjektet e licencuara për të shfrytëzuar pyjet.
Që më qershor të 2015 Ministria e Mjedisit ka deklaruar se zgjidhja e vetme për përmirësimin e kësaj situate dhe shpëtimin e pyjeve është implementimi i sistemit elektronik të monitorimit.
Ky sistem do të mundësonte monitorimin e çdo individi që hyn në fondin pyjor, gjithashtu do të ndihmonte lokalizimin e shpejtë të zjarreve në sajë të kamerave termike që ka. Por deri më tani asgjë nga planet e ministrisë nuk është realizuar.
Ksamili ’’turistik’’
Ksamili u lakua shumë gjatë sezonit turistik dhe jo për mirë. Ngjarja që tronditi të gjithë ishte humbja e jetës së turistes ruse pas përplasjes me skaf dhe një javë më vonë tubacionet e ujërave të zeza shpërthyen duke ndotur plazhin ’’Gjiri Poda’’ brenda pak minutash.
Ditë më parë se të ndodhte kjo tragjedi kanë qenë vetë banorët e zonës që kanë ngritur zë[2] për erën e keqe që vinte nga pusetat e ujrave të zeza. Por nga ngjarja që pasoi, ndërhyrja dhe menaxhimi që duhet të vinte nga Ujësjellës Kanalizime Sarandë ka munguar.
Autoritetet përgjegjëse Bashkia Sarandë dhe Drejtori i Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve të Sarandës (UKS) drejtuan gishtin drejt Bashkimit Europian si përgjegjësin e kësaj katastrofe. Kryetarja e bashkisë Florjana Koka ka cituar: “Dëshiroj të theksoj se projekti në fjalë nuk është një projekt i Bashkisë Sarandë, por një projekt i tenderuar, zbatuar dhe supervizuar në mënyrë të pavarur nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri… projekti nuk është dorëzuar ende në bashki…’’
Por më datë 1 gusht Bashkimi Europian, në zërin e zëdhënësit Ernest Bunguri ka deklaruar[3] se:
- Rrjeti i ri i kanalizimeve në Ksamil, i financuar nga BE, është përfunduar, testuar dhe i është dorëzuar Qeverisë shqiptare në prill 2017, e cili e ka marrë dhe ja ka transferuar projektin Bashkisë Sarandë.
- Që nga maji i vitit 2017, rrjeti i kanalizimit operohet dhe menaxhohet nga Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve të Sarandës.
- Në rast defektesh, rrjeti është nën garanci nga kontraktuesi për një periudhë njëvjeçare që përfundon në prill 2018.
Pra projekti i kanalizimeve në Ksamil sipas BE-esë i është dorëzuar qeverisë shqiptare dhe përgjegjësia i qenka transferuar Bashkisë Sarandë, ndryshe nga ajo çka u citua nga kryebashkiakja.
Kanë kaluar 2 muaj dhe nuk ka asnjë deklaratë as nga qeveria shqiptare as nga BE. Deri më tani përgjegjësia për incidentin është jetim.
Çdo vit, në vend që të ngreme imazhin tonë tek turistët po ndihmojmë ta ulim akoma e më shumë. Kjo mungesë përgjegjësie për zonat turistike është e pafalshme. Mos funksionimi i institucioneve vazhdon. Paaftësia e shtetit për të siguruar zbatimin e ligjit vazhdon. Edhe për sa kohë?
[1] Artikull: Zvogëlohen pyjet e Shqipërisë, në 10 vjet kemi humbur 7 përqind
(www.top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=305201)
[2] Video: Problem për pushuesit – Ksamil, ujërat e zeza mbysin me erë të keqe rrugët e qendrës
(www.youtube.com/watch?v=jbOHzAsuuYY )
[3] Artikull: Bashkimi Evropian, Shpërthimi i ujërave të zeza në Ksamil përgjegjësi e Bashkisë Sarandë
(www.exit.al/2017/08/01/bashkimi-evropian-shperthimi-i-ujerave-te-zeza-ne-ksamil-pergjegjesi-e-bashkise-sarande/)