Gjatë muajve të fundit është vënë re një tendencë në rritje e shtetasve shqiptarë që largohen nga vendi amë, me synim marrjen e strehimit politik në vende të Bashkimit Europian. Ky fenomen ka patur si destinacion shtete si Suedia, Franca apo Gjermania.
Dy vendet e fundit kanë reaguar menjëherë ndaj këtij trendi, kur disa javë më parë ambasadorët përkatës të akredituar në Tiranë dolën me një deklaratë të përbashkët, për të informuar opinionin publik shqiptar se qeveritë që ata përfaqësojnë nuk japin strehim politik për arsye ekonomike.
Sakaq, dy ditë më parë ambasadori gjerman vazhdoi ta trajtonte me seriozitet këtë problem të mprehtë, kur u paraqit përpara komunitetit rom në zonën e Unazës së Re në Tiranë, për të ritheksuar konceptet që ishin bërë të ditura nga ambasadat e sipërpërmendura pak kohë më parë.
Si një përfaqësues serioz i Gjermanisë në Shqipëri, ambasadori e bëri më së miri detyrën e tij. Dhe ky nuk është vetëm një problem i njëanshëm, por dypalësh dhe lyps angazhimin e të dyja vendeve për një çështje që mund të ketë ndikime dhe pasoja serioze në marrëdhëniet reciproke.
Ndërkohë që në nivel të brendshëm ka patur njëfarë reagimi institucional me ministrin Sajmir Tahiri, të pranishëm së bashku me ambasadorin gjerman në zonën e Vlorës, për të informuar qytetarët lidhur me padobishmërinë e aktit të tyre për t’u larguar me qëllim marrjen e azilit, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për sa i takon veprimit nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme shqiptare dhe rrjetit të saj diplomatik.
Që nga momenti që qytetarët shqiptarë ndodhen në dhe’ të huaj, ligji iu atribuon ambasadorëve dhe konsujve tanë jashtë detyrimin që të kujdesen për interesat e tyre, parim ky i shënuar mirë edhe në Kushtetutë. Por cili ka qenë reagimi i Shqipërisë në sferën ndërkombëtare? Është e vështirë të gjesh ndonjë element të rëndësishëm për t’iu përgjigjur pozitivisht kësaj pyetjeje.
Në shembullin e reklamës televizive të tenderuar nga MPB-ja në Shqipëri lidhur me informimin e qytetarëve për sa i takon rregullave të lëvizjes në hapësirën Shengen, edhe MPJ mund të kishte luajtur një rol më aktiv për të ndërgjegjësuar qytetarët shqiptarë që ndodhen në territor të huaj mbi këtë problematikë. Kujdesi për një gjë të tillë ka qenë pothuajse zero.
Përveç sajtit të ambasadës shqiptare në Gjermani, që ofron informacione të detajuara për sa u përket lëvizjeve në hapësirën Shengen, një gjë e tillë nuk vërehet në asnjë ambasadë tjetër nga ato të prekura më shumë nga azilkërkuesit shqiptarë (Franca, Suedia, Mbretëria e Bashkuar etj). Te këto të fundit ka vetëm informacione noteriale lidhur me legalizimin e dokumenteve në seksionin e shërbimeve që ofron ambasada.
Dhe më keq akoma, në sajtin e ambasadës shqiptare në Suedi, si seksioni i shërbimeve, ashtu edhe ai i marrëdhënieve dypalëshe janë bosh! Shembulli i sajtit të ambasadës shqiptare në Gjermani duhet ndjekur edhe nga ambasadat e tjera. Bëhet fjalë vetëm për hedhjen e linkut të një materiali të përpunuar nga MPJ dhe nuk kuptohet se përse e kanë patur kaq të vështirë edhe ambasadat e tjera që preken nga problemi i kërkimit të azilit që të bëjnë të njëjtën gjë.
Sidoqoftë, edhe vetë ambasada e Shqipërisë në Gjermani që merret si model, mund të kritikohet për faktin se nuk i ka bërë jehonën e nevojshme këtij problemi. Në fakt, çështja e lëvizjes në zonën Shengen është e vendosur në një seksion që duhet të jesh mjaft kërkues për ta gjetur dhe jo në faqen e parë, vend ku do të meritonte të trajtohej problemi dhe ku përkundrazi ndodhen lajmë të vjetruara. Përveç kësaj, ashtu sikurse u ideua ndërgjegjësimi televiziv në Shqipëri, zyrtarët e MPJ-së mund t’i kishin dhënë vazhdim kësaj fushate edhe përtej kufijve, me botime broshurash dhe fletëpalosjesh për t’u shpërndarë nëpër vendet ku ka më tepër përqendrim shtetasish shqiptarë.
Por detyra e ambasadave dhe e ambasadorëve apo konsujve nuk mund të përfundojë kurrsesi me kaq. Interesi i qytetarëve nuk bëhet vetëm në web-site dhe duke e kthyer institucionin e shërbimit diplomatik në një zyrë noterie par exellance. Le të marrin shembull nga kolegu i tyre gjerman në Tiranë dhe përveç kollares diplomatike të veshin edhe çizmet e terrenit dhe të shkojnë të presin nëpër vendmbërritjet apo kampet ku përqendrohen përkohësisht azilkërkuesit shqiptarë, për t’i sensibilizuar ata mbi problematikën dhe për të verifikuar trajtimin dhe kushtet e qëndrimit të përkohshëm.
Një urdhër i Ministrit përkatës në këtë drejtim do të ishte tejet i udhës. Por mbase po kërkojmë shumë, kur pas 1 viti e 4 muajsh qeverisje të re, ambasadat nuk kanë zgjidhur ende probleme minimale si ato të përditësimit të sajteve zyrtare. Në vend të replikave mediatike në kohë emergjencash të brendshme, krerët e diplomacisë shqiptare, Presidenti i Republikës dhe Ministri i Punëve të Jashtme, nuk duhet të harrojnë se ka edhe një emergjencë të jashtme.
Leave a Comment