Në 6 Maj të 2016 me kërkesë të deputetëve të Partisë Demokratike konsitutohet Komisioni Hetimor “Për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe mbrojtjes e interesit të shtetit shqiptar nga realizimi i marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, A. S.”
Kjo kërkesë e PD erdhi pas pretendimeve të demokratëve se “marrëveshja, sipas të cilës qeveria do i kthejë CEZ 95 milionë euro në këmbim të rimarrjes së pronësisë në katër vjet është e paligjshme dhe jo transparente”.
Në deklarimin e qëllimit të ngrijtes së komisionit, demokratët vlerësojnë “se është detyrë e Kuvendit të Shqipërisë që të kryejë një kontroll të plotë parlamentar për të evidentuar nëse gjatë procedurave të arritjes së kësaj marrëveshjeje është cenuar interesi i shtetit dhe nëse grupi negociator ka respektuar legjislacionin në fuqi dhe është udhëhequr nga interesi publik.”
Por prej Majit e deri më sot ky komision që ende nuk i ka mbyllur punimet, në vend që të hetojë dhe arrijë rezultate, (sikurse thuhet në ligjin për komisionet hetimore), rezulton të jetë shndërruar në shembullin se si rregullorja dhe ligjet, shkelen në mënyrë flagrante, para mediave, në tempullin e ligjit, Kuvendit të Shqipërisë.
Nga një monitorim i detajuar i 24 procesverbale të bëra publike në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë (parlament.al) ku gjenden të zbardhura mbledhjet e komisionit nga data 06.05.2016 deri në 10.02.2017, dalin në pah shkeljet ligjore të anëtarëve të komisionit, të cilat i bëjnë mbledhjet e komisionit të pavlefshme dhe jofunksionale, po aq sa edhe etikisht të papranueshme.
Gjatë monitorimit dhe analizimit të procesverbaleve është parë nëse anëtarët e këtij komisioni kanë shkelur dokumentet ligjore që përcaktojnë funksionin e këtij komisioni dhe rregullojnë veprimtarinë e tij:
- Ligji Nr. 8891, datë 2.5.2002 -PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KOMISIONEVE HETIMORE TË KUVENDIT.
- Rregullorja e brendshme e Komisionit Hetimor “Për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe mbrojtjen e interesit të shtetit shqiptar nga realizimi i marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a. s.”
- Kodi i Procedurës Penale (Pjesa e dëshmitarit)
- Rregullorja e Parlamentit
Mbi këto baza ligjore, janë evidentuar fillimisht paragrafët ku dallohet se anëtari/anëtarja ka kryer shkeljen dhe përkrah paragrafit, ligji apo neni i caktuar i tij që është shkelur nga qëndrimi, pohimi, deklarimi i anëtarit në fjalë. Këto konstatime gjenden të detajuara, në analizat specifike për cdo procesverbal, në këtë dokument.
Në fund të analizës gjenden tabelat përmbledhëse me ligjet/ nenet që janë shkelur më shpesh dhe se nga cili anëtar janë shkelur më shpesh.
***
Konkretisht, rezulton se Rregullorja e brendshme e Komisionit hetimor është baza ligjore e shkelur më shumë nga anëtarët, veçanërisht në nenin 19/ pika 4 të saj:
Anëtarët e Komisionit nuk kanë të drejtë të komentojnë njëri tjetrin për karakterin e pyetjeve që u drejtohen personave të thirrur.
Siç mund të shihet nga analiza e detajuar, mbledhjet e komisionit janë shndërruar shpesh në vatra ndërhyrjesh e debatesh mes anëtarëve, që komentojnë pyetjet dhe qëndrimet e njëri tjetrit, duke krijuar rrëmujë në komunikim, shmangie totale nga fuknsioni që ka komisioni për të hetuar.
Rezulton se deputeti që ka shkelur më shumë këtë nen të rregullores është pikërisht kryetari i komisionit, Edmond Spaho, të cilit ligji dhe rregullorja i përcakton e ruajtjes së normalitetit në komunikimin mes anëtarëve dhe personave të thirrur në komision, përmes dhënies së fjalës sipas një rendi të caktuar.
Pas tij është deputeti socialist Eduard Shalsi si bashkë-protagonist i debateve që nxjerrin komisionin nga shinat e rregullores.
Neni 19 i rregullores së brendshme të komisionit “Për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi…”, (Pjesëmarrja e anëtarëve të komisionit në seanca dëgjimore):
Pika 4 : Anëtarët e Komisionit nuk kanë të drejtë të komentojnë njëri tjetrin për karakterin e pyetjeve që u drejtohen personave të thirrur. |
|
Edmond Spaho | 21 herë |
Spaho-Shalsi (DEBAT) | 7 herë |
Gent Strazimiri | 2 herë |
Spaho- Gjiknuri (DEBAT) | 1 herë |
Edmond Spaho-Robert Bitri-Edi Rama (DEBAT) | 1 herë |
Blerina Gjylameti | 1 herë |
Namik Kopliku | 1 herë |
Edmond Spaho- Ervin Bushati (DEBAT) | 1 herë |
Vasilika Hysi | 1 herë |
Seancat dëgjimore në të cilat dëshmitarët thirren për të dëshmuar mbi faktet kanë degraduar në fyerje, konkluzione, akuza mbi dëshmitarët, gjatë momenteve që ata flisnin.
Në analizën e detajuar mund të shihet si anëtarët, apo në shumicën e rasteve, kryetari Spaho gjatë kohës që drejtojnë pyetje, ndërpresin fjalën e dëshmitarit për të dhënë komente, fyerje, konkluzione mbi përgjigjet e tyre.
Por më flagrante mbeten etiketimet “mashtrues/e” ndaj dëshmitarëve dhe akuzat se “dëshmia e tij/saj është e rreme”.
Neni 19, pika 3 e Rregullores së Brendshme të Komisionit Hetimor:
Anëtari i Komisionit që pyet nuk ka të drejtë të japë konkluzione në seancën e pyetjeve. |
|
Edmond Spaho | 18 herë |
Vasilika Hysi | 1 herë |
Florion Mima | 1 herë |
Gent Strazimiri | 2 herë |
Namik Kopliku | 1 herë |
Helidon Bushati | 2 herë |
Jorida Tabaku | 1 herë |
Kryetari Spaho mban po ashtu rekordin e shkeljeve të Ligjit Nr. 8891, datë 02.05.2002, “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të kuvendit”, neni 12, pika 2:
“Anëtarët e komisionit shprehin lirisht mendimin e tyre dhe votojnë sipas bindjes së tyre. Në asnjë rast nuk lejohet që të fyejnë ose të prekin dinjitetin personal të personave të thirrur në komision”.
Në analizë spikasin fyerjet e Spahos ndaj dëshmitarëve si kjo ndaj kryeministrit Edi Rama: “Nuk të zhveshim, të jini të sigurt në këtë, mos kini frikë në këtë…”
Ligji Nr. 8891, datë 02.05.2002, “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të kuvendit”, neni 12, pika 2:
“Anëtarët e komisionit shprehin lirisht mendimin e tyre dhe votojnë sipas bindjes së tyre. Në asnjë rast nuk lejohet që të fyejnë ose të prekin dinjitetin personal të personave të thirrur në komision”. |
|
Spaho | 12 herë |
Gent Stazimiri | 1 herë |
Florion Mima | 1 herë |
Edmond Spaho- Damian Gjiknuri (DEBAT) | 1 herë |
Helidon Bushati | 1 herë |
Edmond Spaho- Edi Rama (DEBAT) | 1 herë |
Blerina Gjylameti | 1 herë |
Spaho gjithashtu, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit dallon për njëanësinë e tij përmes qëndrimeve politike, dhe akuzave të drejtpërdrejta me karakter politik ndaj dëshmitarëve, duke shkelur rregulloren e brendshme.
Rregullorja e Brendshme-Neni 4 , “Parimet e veprimtarisë”, pika 3:
“Anëtarët duhet të jenë të paanshëm gjatë veprimtarisë dhe vendimarrjes së tyre dhe duhet të shprehin mendimin e tyre për cështjen mbi bazën e parimit të ligjshmërisë dhe profesionalizmit. Ata duhet të vendosin vetëm mbi bazën e ligjit dhe të provave që shqyrtohen e verifikohen në mbledhjet e Komisionit hetimor.” |
|
Kryetari Edmond Spaho | 4 herë |
Debatet dhe fyerjet kanë degraduar jo pak herë në fjalor banal, të cilin anëtarët e përdorin kundrejt njëri tjetrit ose dëshmitarëve duke i ofruar publikut një spektakël vulgar brenda institucionit më të rëndësishëm shtetëror, Kuvendit të Shqipërisë.
Kryetari Spaho shënon rekordin e shkeljes së Kodit të Etikës, herë me fyerje të drejtpërdrejta nga kolegëve dhe dëshmitarëve, dhe herë gjatë debateve të personalizuara me deputetin Shalsi, me të cilin shkëmbejnë fyerje si: “Palaço”, “njeri pa integritet”, “avokat i plehrave”, etj.
Ashtu sikurse nuk përjashtohet rasti kur dëshmitari komenton e fyen anëtarët e komisionit.
Rregullorja e Kuvendit, neni 40 (veprimtaria parlamentare) pika 3:
“Anëtarët e Kuvendit, gjatë veprimtarisë së tyre, zbatojnë Kodin e Sjelljes”. |
|
Kryetari Edmond Spaho |
12 herë (fyen dëshmitarët Gjiknuri, Rama, kolegët Shalsi, Gjylameti)
|
Shalsi-Spaho Spaho-Shalsi (DEBAT) | 8 herë |
Eduard Shalsi | 2 herë (fyen Spahon) |
Gent Strazimiri | 2 herë |
Spaho- D.Gjiknuri (DEBAT) | 2 herë |
Dëshmitari Edi Rama | 1 herë |
Spaho-Ervin Bushati (DEBAT) | 1 herë |
Helidon Bushati | 1 herë |
Namik Kopliku | 1 herë |
Blerina Gjylameti | 1 herë |
Shkak i mos-funksionalitetit të këtij komisioni nuk bëhen vetëm sjelljet e anëtarëve, por edhe ajo e dëshmitarëve të thirrur, që sic mund të shihet nga analiza, dalin jashtë kuadrit ligjor që përcakton rolin e tyre si dëshmitar. Duke dhënë opinione, jo fakte, ata shkelin Kodin e Procedurës Penale.
Ashtu sikundër, anëtarët e komisionit shkelin Kodin e Procedurës duke i drejtuar pyetje mbi opinione , jo mbi faktet, dëshmitarëve.
Neni 153 i Kodit të Procedurës Penale “Objekti dhe kufijtë e dëshmisë”, pika 3:
Dëshmitari pyetet për FAKTE të caktuara. Ai nuk mund të dëshmojë për cka flitet në publik dhe as të shprehë VLERËSIME PERSONALE, me përjashtim të rasteve kur ato nuk mund të ndahen nga dëshmia për faktet. |
|
Dëshmitari Bujar Leskaj jep mendime e vlerësime. | 2 herë |
Dëshmitari Damian Gjiknuri bën diversion, nuk flet për faktet. | 1 herë |
Gjiknuri shfaq qëndrime personale. | 1 herë |
Gjiknuri nuk flet për fakte, fyen kryetarin Spaho. | 1 herë |
Kryetari Spaho nuk pyet dëshmitarin Rama për faktet por mbi disa konkluzione të vetat. | 1 herë |
Gent Strazimiri pyet dëshmitarin Rama jo mbi fakte, por mbi konkluzione personale. | 1 herë |
Dëshmitari Edi Rama bën komente e batuta, fyen anëtaret, duke dalë jashtë kuadrit ligjor që përcakton rolin e tij si dëshmitar. | 3 herë |
Namik Kopliku i kërkon opinion, dëshmitarit Erjon Luçi. | 1 herë |
Dëshmitari Alfred Rrushaj kërkon të japë opinion dhe koment. | 1 herë |
Deputeti Ervin Bushati pyet dëshmitarin për vlerësime personale. | 1 herë |
Kryetari Spaho shfaq një sjellje problematike edhe në detyren që ka për ti dhënë fjalëve anëtarëve, duke shkelur rregulloren e parlamentit teksa në mënyrë arbitrare i mohon fjalën anëtarëve, ndonëse e kanë kërkuar për procedurë.
Neni 49 i rregullores së parlamentit “Çështje të procedures”, pika 1:
“Për çështje të procedurës fjala jepet menjëherë. Janë çështje të procedurës kërkesat që kanë të bëjnë me zbatimin e Rregullores, kërkesat që përmbajnë propozime për ndryshime ose plotësime të rendit të ditës të miratuar…” |
|
Spaho i ndërpret fjalën Shalsit ndonëse e ka kërkuar për procedure | 1 herë |
Spaho i mohon të drejtën e fjalës Blerina Gjylametit ndonëse e ka kërkuar për procedure | 2 herë |
Ligji për komisionet hetimore përcakton se ky komision hetimor ka si funksion hetimin për një cështje, por nuk mund të ngrejë akuza penale dhe as të ushtrojë atributet e gjykatave. Sipas ligjit, pas përfundimit të hetimeve, kryetari i komisionit paraqet raportin përfundimtar të hetimeve, i cili përmban konkluzionet e hetimit, provat që kanë çuar komisionin në këto konkluzione, si dhe propozime për zgjidhjen e çështjes ose masa ndëshkimore për persona përgjegjës, kur ka të tillë.
Spaho në 11 raste ka ngritur akuza kundrejt dëshmitarëve dhe kolegëve të mazhorancës.
Neni 3, pika 4 e Ligjit për Komisionet hetimore:
Komisioni nuk mund të ngrejë akuza penale dhe as të ushtrojë atributet e gjykatave. |
|
Florion Mima akuza ndaj dëshmitarit | 1 herë |
Spaho akuza të mbështetura në konkluzione ndaj dëshmitarëve Gjiknuri, Luçi, Hicka dhe kolegëve të mazhorancës për fshehje të së vërtetës. | 11 herë |
Që një mbledhje e komisionit të jetë e vlefshme duhet që në të, të marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve të tij, pra të ekzistojë ai që quhet kuorum i nevojshëm. Ka raste kur mbledhja zhvillohet pa kuorum, por më flagrante, kur Kryetari Spaho deklaron hapur se mbledhjen do ta zhvilojë pa kuorum, përkundër asaj që përcakton ligji dhe rregullorja.
KUORUMI I NEVOJSHEM PER ZHVILLIMIN E MBLEDHJEVE
· Neni 13, pika 1, ligji nr 8891 për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të kuvendit thotë: Mbledhjet e komisionit janë të vlefshme kur në to merr pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve të tij. · Neni 34, pika 1 e rregullores së Parlamentit: Mbledhjet e komisionit janë të vlefshme kur në to merr pjesë më shumë se gjysma e të gjithë anëtarëve të komisionit. · Neni 8 (Kuorumi dhe Vendimarrja), e Rregullores se brendshme te Komisionit, pika 1: Hetimor: Mbledhjet e komisionit quhen të hapura dhe janë të vlefshme vetëm nëse në to marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve të tij. |
Mbledhja e datës 10.10.2016.
Spaho zhvillon mbledhjen me vetëm 4 anëtarë Mbledhja e datës 06.02.2017. Spaho deklaron hapur se mledhjen mund ta zhvillojë edhe pa kuorum. Mbledhja e datës 08.02.2017. Mbledhja po zhvillohet pa kuorumin e nevojshëm. Spaho deklaron: Edhe po të jem vetëm unë, seanca do të zhvillohet. |
Analiza e detajuar e procesverbaleve
Tabelat e shkeljeve
Përgatitur nga:
Adela Zeneli- adela.zeneli@ymail.com
Alteo Hysi- hysialteo@gmail.com
Elsa Cerpja- elsa.cerpja@live.com