Nga Rezarta Caushaj
Rreziqet e krijimit të Zonës së Lirë Ekonomike në Ballkan
“Është Jugosllavia e vjetër, plus Shqipërinë. Është një ide politike, por pa rrezikuar sovranitetin e tyre. Kjo do të nxisë ekonomitë tona”[1]: Kështu e përshkruajti Presidentit Serb, Z.Vuçic, planin e mbështetur edhe nga BE për krijimin e një Zone Ekonomike Rajonale mes vendeve te Ballkanit Perëndimor, të trumbetuar si një mënyrë e shpejtë për të arritur progres ekonomik, para se të anëtarësohen në BE. Kjo e fundit e konsideron si një treg të përbashkët prej 20 milion banorësh, ku të mirat, shërbimet, investimet dhe fuqia e aftë punëtore mund të lëvizin lirshëm, por edhe të rrisin aftësinë tërheqëse ndaj investimeve të huaja[2].
Kjo ide u konsolidua më tej në Samitin e Triestes, ku udhëheqësit e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dolën me një deklaratë të përbashkët. Tashmë, ka dhe një Plan Aksioni[3], ku është ravijëzuar një koncept se si do të vihet në zbatim më ndihmën e Bankës Europiane për Zhvillim Rajonal, që ka investuar deri tani rreth 11 miliardë euro në rajon. Ky zbatim do të mbështetet në implementimin e protokolleve shtesë të CEFTA-s për lehtësimin e tregëstisë dhe kërkon miratimin e një protokolli tjetër mbi zgjidhjen e konflikteve.
Gjithashtu synohet të miratohet një axhendë e përbashkët investimesh, sigurimi i lëvizjes së studentëve, akademikëve dhe profesionistëve nëpërmjet njohjes së përbashkët të kualifikimeve, si dhe një dimension digjital rajonal mbi sigurinë dhe privatësinë.
Ajo çka filloi me Procesin e Berlinit, si një proces plotësues i integrimit ne BE, duket se ka marrë një rrugë të vetën, në momentin që perspektiva e zgjerimit është e largët, konfimuar në 2014 nga Presidenti i Komisionit Junker si dhe mungesa e zgjerimit mes synimeve të shpallura në atë ashtuquajturën Karta e Bardhë për të Ardhmen e Europës[4].
Megjithëse BE ka theksuar se ky nuk është një zëvendësues i integrimit dhe se kërkesa për projektin ka ardhur nga vetë vendet e Ballkanit Perëndimor, nuk mund të mohohet se koha e pranimit është shumë e përshtatshme për Europën dhe një mënyrë për të ruajtur besueshmërinë e saj, përballë rritjes së ndikimit të vendeve si Rusia dhe Turqia në rajon.
Por si do të ndikonte krijimi i kësaj Zone Ekonomike Rajonale në vendin tonë?
Në thelb vlerësojmë se nxitimi për t’i dhënë një zgjidhje dilemës se zgjerimit, ka prodhuar një projekt që mund të ketë pasoja negative në të ardhmen. Duke patur parasysh se vendet janë të pllakosura nga grindje politike[5], probleme të zbatimit të ligjit, udhëheqës autokrat që flirtojnë hapur me vende kundërshtare të BE, konflikte të krijuara nga shpërbërja e Jugosllavisë, krijimi i ZER mund të krijojë iluzionin se do të bëhet përparim në ekonomi e duke përsëritur suksesin e Europës, të kapërcejë konfliktet historike.
Në fakt, pikërisht në kontrast me Europën, ky do të ishte një bashkim shtetesh të varfëra, ku detyrimisht shteti më i fortë do të dominojë mbi të tjerët. Maqedonia e Bosnja kanë probleme etnike e politike[6], Kosova është një shtet i ri që nuk njihet nga Serbia dhe kjo e fundit mund ta ketë propozuar jo vetëm për të fituar epërsi si aktor në rajon, por edhe në procesin e integrimit. Një tjetër rrezik është që, shqiptarët etnikë ka mundësi të konkurrojnë me serbët etnikë në numra dhe konflikte të reja mund të ndizen si pasojë. Pra, kjo zonë nuk do ishte aspak e aftë të ofronte një balancë, si parakusht për suksesin. Megjithëse Z. Vuçic thotë se do të respektohet sovraniteti, rrallë herë në marrëdhëniet ndërkombëtare kjo përkthehet në aftësi për të vendosur i pakushtëzuar.
Por problemi më i madh ka të bëjë me dy fakte: së pari me uniformizimin e problemeve të rajonit e rrjedhimisht dhe zgjidhjeve, përkundër qasjes së zbatuar deri tani dhe zhvendosjen e vëmendjes nga ana e BE drejt ZER, që do të heqë presionin, deri tani jo të mjaftueshëm, ndaj udhëheqësve rajonal për zbatimin e reformave politike për zbatimin e ligjit, refomimin e institucioneve, antikorrupsionit dhe luftën ndaj krimit të organizuar. Këta të fundit do të jenë tërësisht të lirë për të ndjekur axhendat personale dhe kjo do e bëjë procesin e integrimit “de fact” të papërfillshëm, për të mos folur se sa do të ndikojnë këto në dështimin e Zonës Ekonomike Rajonale.
Në rastin e vendit tonë kjo ka filluar të reflektohet në qëndrimet e Kryeministrit, Z. Rama, i cili këmbngul në hapjen e negociatave nga ana e BE, duke ditur se edhe një hap i tillë nuk do ta lëvizte Shqipërinë në procesin e integrimit, por që mund gjithmonë të shfrytëzohet për qëllime elektorale e propagandistike.
Për më tepër, pas një mohimi të vazhdueshëm të problemit të prodhimit dhe tregtimit të drogës, pas zgjedhjeve, si për mrekulli ai e konsideroi të fituar luftën ndaj tyre dhe problemin të zhdukur. Në mënyrë shumë të drejtëpërdrejtë ai ka shkarkuar çdo përgjegjësi për moszbatimin e reformave, duke u fshehur pas miratimit të reformës së diskutueshme në drejtësi e duke injoruar kushtin e qartë për implementimin e suksesshëm të saj. I njëjti qëndrim është mbajtur së fundmi edhe ndaj mundësisë se rikthimit të regjimit të vizave nga vendet si Franca dhe Hollanda për shkak të kriminalitetit në rritje që vendi jonë po prodhon, duke e quajtur një fenomen normal, që nuk ka atdhe dhe si rrjedhim, asnjë përgjegjësi nuk buron prej tij. Një tjetër shenjë e kalimit të integrimit në plan të dytë mund të merret edhe shkrirja e Ministrisë së Integrimit dhe ristrukturimi i saj brenda Ministrisë së Jashtme. Këto zhvillime, të gërshetuara me deklaratën e znj. Mogherini se BE nuk do të rifillojë zgjerimin të paktën deri në 2019, ku vendet me përparësi janë Serbia dhe Mali i Zi, e vendosin përfundimisht në krizë gjithë përparimin e bërë për integrim deri më sot.
[1] http://www.politico.eu/article/for-serbias-vucic-road-to-eu-runs-through-balkans/
[2] http://europa.eu/rapid/press-release_MEMO-17-1967_en.htm
[3] http://www.esteri.it/mae/resource/doc/2017/07/map_regional_economic_area_06_july_2017_clean_version.pdf
[4] https://ec.europa.eu/commission/white-paper-future-europe-reflections-and-scenarios-eu27_en
[5] https://www.economist.com/news/europe/21725020-europes-inner-courtyard-drifting-towards-crime-and-authoritarianism-eu-must-show
[6] https://www.welt.de/politik/ausland/article166545556/Warum-die-EU-auf-dem-Balkan-ein-Mini-Jugoslawien-schafft.html