Ergisa BEJKOLLARI, MBA
1- Loja 18-vjeçare e KURUM International sh.a me shqiptarët!
Ndërkohë që ministri Gjiknuri kryeson listën e Partisë Socialistë në Vlorë, duket se ministrinë e Energjisë dhe Industrisë nuk po e kryeson askush. Vetë ministri është përkushtuar totalisht në fushatë, një gjë që vërehet dhe nga profili i tij zyrtar në Facebook. Raportime jo vetëm nga brenda ministrisë, por edhe nga vëzhgime të APPA-s në terren, identifikojnë përfshirjen e administratës në fushatë. Por, midis përfshirjes së administratës në fushatë dhe skandalit të Kurum që në qershor doli sërish në sipërfaqe, cila është më e rëndë?
Më 14 qershor emisioni investigativ “Stop”[1] bëri publik shkatërrimin që po i shkaktonte kompania qytetit të Elbasanit jo vetëm duke ndotur ajrin dhe ujin, por edhe duke lënë të papunë më shumë se 200 punonjës. Kurum, e cila disa muaj më parë shpalli falimentin me qëllim ristrukturimin, refuzon t’i paguajë, por, nga ana tjetër vazhdon aktivitetin që po helmon qytetin.
Punonjësit shprehen se kompania ka dhënë njoftimin për pushim kolektiv në muajin tetor për shkak se nën administrimin e kontrolluar, ajo po i nën shtrohet procesit të falimentit. Ndërsa pamjet dhe videot e publikuara nga “Stop” tregojnë që kompania vazhdon përpunimin e hekurit dhe çelikut për t’i shitur ato më pas me pakicë ose shumicë
Që prej vitit 1999, thuajse çdo vit kompania turke Kurum është bërë shkak i një sërë skandalesh.[2]
Në muajin prill të vitit 2016, ekspertët e Bankës së Shqipërisë deklaruan gjatë prezantimit të Raportit të Stabilitetit Financiar për 6-mujorin e dytë të vitit 2015 se rreziku kryesore në sistemin bankar në vend vijonin të mbeteshin kreditë e këqija ku përqendrimin më të madh e ka në dy kompanitë në vend ARMO dhe KURUM. Përballë huave të pashlyera të Kurum rrezikoheshin disa institucione. Në total, sipas bilancit, Kurum ka rreth 300 milionë euro detyrime, gjysma e të cilave ndaj bankave e institucioneve financiare e pjesa tjetër ndaj të tretëve ku ekspozimin më të lartë e ka Raiffeisen Bank. Por, Pro Credit dhe NBG kanë kërkuar bllokimin e kuotave të Kurum për mos kthim kredie.
Aktiviteti i kompanisë lidhet dhe favorizohet nga marrëdhënia me qeverinë. Kështu shkruhej në vitin 2015 nga një investigim i bërë nga gazeta Telegraf, sipas të cilit qeveria shqiptare në vitin 2014, i kishte falur kompanisë turke shumën e gjobave prej 838 milionë lekësh. [3]
“Kurum’ është gjobitur nga Inspektorati Qendror Teknik (IQT) me 7 milionë lekë në datën 2 prill 2014, me nr. gjobe 118, mbasi ushtron aktivitet pa certifikatë prodhimi për të dhënat e pikës së flakërimit në shkrirje, për të dhënat e përqindjes së squfurit, për pikën e flakërimit minimal për përqindjen maksimale të përqindjes së squfurit, për mos matje të tyre për shkak të mungesës së aparateve matës teknologjik. Po në datën 20 gusht 2014, me gjobë nr. 5616 “Kurum” është gjobitur përsëri nga Inspektorati Qendror Teknik (IQT) në vlerën 100 milionë e 66 mijë lekë, për të njëjta shkaqe si në gjobën e datës 2 prill 2014. Ppor nuk i ka paguar këto gjoba, duke iu zhdukur edhe “letrat” nga Inspektorati Qendror Teknik” , shkruan Telegraf.
Akoma dhe më herët, në vitin 2013, kujtojmë procesin e shitjes së katër hidrocentraleve, dy Bitricave, Ulëzës dhe Shkopetit. Sikur të mos mjaftonte dëmi i shkaktuar në industrinë e përpunimit të hekurit të çelikut, tashmë Kurum e vendoste qeverinë përballë një tjetër vështirësie në industrinë e prodhimit të energjisë. Shuma fillestare prej 109 milionësh e ofruar nga kompania, do të paguhej kur qeveria t’i shlyente kompanisë tatimin mbi vlerën e shtuar.[4] Por, tashmë nuk dihet ende se çfarë ka ndodhur me pjesën e pagesës që mbeti pa u shlyer, ndërkohë që nga ana tjetër statistikat tregojnë se Kurumi ia shet energjinë OSSHE-së shtatë herë më shtrenjtë se kosto.[5]
“Qershia mbi tortë” mbetet rinovimi i licencës së shoqërisë “Kurum International” sh.a., në aktivitetin e furnizimit me energji elektrike në 11 maj të këtij viti, sipas publikimit në fletoren zyrtare.[6] Pasi edhe pse Kurum është operator tregu në pozita korrekte, historia e kompanisë ndër vite në vendin tonë, tregon ironinë të cilën sjellin me vete kompanitë e huaja: nën mungesën e qëllimshme ose të paqëllimshme të vëmendjes nga ana e qeverisë, luajnë me fatin e njerëzve dhe komunitetit ku vendosen.
[1] http://tvklan.al/skandali-i-kompanise-kurum-shpall-falimentin-dhe-pushon-punonjesit-por-vijon-punen/
[2] http://energjia.al/tag/kurum/
[3] http://www.lapsi.al/lajme/2015/07/07/standartet-e-dyfishta-t%C3%AB-qeveris%C3%AB-i-fal-kurumit-838-milion%C3%AB-lek%C3%AB-gjoba#.ËU-Y3GiGPIV
[4] http://shqiptarja.com/home/1/qeveria-shlyen-borxhin-34-miliarde-leke-te-kurum-157092.html
[5] http://www.monitor.al/kurum-ia-shet-energjine-oshee-7-shtrenjte-se-sa-kosto/
[6] http://www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2017/PDF-2017/124-2017.pdf