Gerion TRESKA, MSc
Shumë zhurmë, për pothuajse asgjë!
Kryefjala e ditëve të fundit të këtij muaji mbi ekonominë është rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), si më i larti në rajon, dhe falë Zotit që më në fund po dëgjojmë diçka nga ekonomia këto kohë sepse për pak menduam se i kishim kaluar të tëra problemet ekonomike dhe po rronim në mirëqënie të gjithë shqiptarët.
Në fjalimin e tij në rubrikën e komunikimit me mediat “Ekonomia në fokus”, Ministri Ahmetaj jo vetëm që shprehet i lumtur për shifrat e reja pozitive që FMN ka konfirmuar për rritjen e PBB-së por ai e shikon aq shumë gotën plot, sa parashikon një rritje të PBB-së deri në 5.5% në fund të mandatit të dytë, a thua se vetëm prej kësaj shqiptarët do t’i japë mandatin e dytë Partise Socialiste[1].
Sa seriozisht mund të merret ky parashikim i Ministrit Ahmetaj kur në 3 Shkurt 2016 ai siguron se në vitin 2017 PPB do të jetë 4% ndërsa për 2016 rritja ekonomike 3.4%[2]. Në muajin e fundit të 2016 ai tregohet akoma më shumë ambicioz ku siç shprehet, me paketën e ideuar nga kryeministri, rritja ekonomike pritet të shkojë në 5% dhe 6% në vitet respektive 2018-2019, duke bërë të mundur që qytetarët të prekin efektet nga rritja ekonomike dhe jo thjeshtë ta shohin atë si statistikë[3]. Pra kemi një Kryeministër që bën paketa, një ministër financash i cili ndjek paketën e këtij të fundit, dhe kështu në Shqipëri kemi prosperitet.
Sipas Raportit të Shkurt 2017 për Shqipërinë nga FMN[4] si dhe shifrave, krahasimin për situatën në Shqipëri ky institucion e nis me vitin 2013 ku rritja e PBB ishte 1%, borxhi publik ishte i lartë si dhe sektori energjetik sëbashku me sistemin e pensioneve ishin të paqendrueshëm. Kjo shoqëruar sëbashku me riskun e lartë të borxhit te keq.
Mesazhi që vjen është mjaft i qartë, në këtë raport situata rregullohet pas ndërhyrjes së FMN, me rritjen e PBB, inflacionin që mbetet i ulët, financat publike fuqizohen përmes hapave rregullues fiskal si dhe vulnerabiliteti fiskal ulet. Reformat kyçe strukturore janë implementuar, duke përfshirë reformat në sistemin e energjetikës dhe të pensioneve, dhe një ndryshim në ligjin e falimentit.
Por, duke qenë se faktet janë kokëforta dhe marrëdhënia e FMN me këtë Qeveri duhet të vazhdojë, nuk mundet që ky institucion të vijë si një shpëtimtar dhe të mos lërë “të pikojë” pak ende ekonomia shqiptare. Ende borxhi publik mbetet i lartë, administrimi i taksave mbetet ineficent dhe taksimi i pronës ka mbetur prapa. Dobësitë strukturore në klimën e përgjithshme të biznesit kanë limituar përfitimet konkurruese që mund të vinin, kreditë e këqija vazhdojnë të mbeten pezull si situatë, ndërkohë që kuadri legjislativ dhe institucional janë përforcuar, risku i implementimit mbetet ende prezent.
Mjafton të përdorësh një kërkim të thjeshtë në internet dhe gjen se ekuacioni i PBB-së përbëhet nga shuma e C- konsumit, plus, i – Investimet, plus, G – shpenzimet qeveritare, plus, (X-M) – Eksportet Neto – importet minus eksportet.
Duke marrë të mirëqënë se kemi rritje si dhe Kryeministri ka një formulë “magjike”, kombinuar me të dhënat e FMN të përmendura më sipër, mund të japim disa shpjegime të thjeshta:
- Konsumi lidhet me të ardhurat të cilat vijnë nga punësimi, duke qënë se papunësia ka rënë nga 17.7% në 15.2% kjo do të thotë që punë ka, për rrjedhojë kemi të ardhura për të konsumuar. Po nga erdhën këto të ardhura? Ashtu sikurse rekomandon edhe FMN, ekonomia shqiptare nuk mund të mbahet vetëm me investimet e huaja si Projekti TAP në kuadër të Investimeve të Huaja Direkte, megjithëse këto të fundit përbëjnë në nivelin 7% të PBB-së burimin më të madh të financimit të ekonomisë shqiptare. Pyetja që lind është, nëse ky konsiderohet si një nga burimet kryesore të financimit të ekonomisë, kjo do të thotë që ne nuk mund të “bëjmë fort naze” për investimet e huaja që na vijnë? Pra të kujdesemi për sasinë jo për cilësine e investimeve dhe investitorëve, si ata të Karpenit në bregdet mbase?!
- Investimet janë të lidhura krejtësisht me faktin sa atraktive është Shqipëria për investitorët e huaj. Vetë Nënkryetari i Kuvendit pranon se pasiguria politike frenon në përgjithësi investimet, shthur administratën dhe krijon premisa për zgjerim të korrupsionit dhe shpërdorim të fondeve publike. Vitet e zgjedhjeve të përgjithshme gjithmonë kanë qenë të vështirë për ekonominë e vendit tonë[5]. Një marketing i tillë patjetër që nuk është aspak i mirë për ekonominë shqiptare, madje mund edhe të ngremë dyshime mbi cilësinë e investimeve, pasi në një vend ku ka destabilitet politik atraktiviteti për investim është ndaj pseudoinvestitorëve që duan të pastrojnë, fshehin ose edhe shfrytëzojnë destabilitetin në favorin e tyre.
- Shpenzimet qeveritare sipas të dhënave të FMN dhe INSTAT mbeten në nivele të njëjta si në vitet e kaluara, deri diku edhe më rënie krahasuar vit pas viti, duke e lënë këtë “levë” të qetë për injektimin e parasë. Por nga ana tjetër Qeveria Shqiptare ka zhgënjyer përsa i takon konçesioneve rezulton se 15 koncesionet më të mëdha të vendit paguan në vitin 2015, vetëm 8 milionë euro tatim mbi fitimin. Kjo është më pak se 5 për qind e taksave që qeveria u merr qytetarëve mbi rrogën[6].
- Po sipas FMN, në raportin e saj ajo pranon se kemi një rënie të Eksporteve Neto në disa sektorë të caktuar por në terma të përgjithshëm sipas INSTAT eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 15,91 %, ndërsa Importet e mallrave dhe shërbimeve u ulën me 0,45%[7].
Bazuar edhe në rekomandimet e FMN por edhe nga Programi i Reformave Ekonomike 2017-2019 vihet re se kryesisht ekonomia shqiptare është mjaft e ndjeshme, madje deri në varësi, nga investimet e huaja direkte. Siç e kemi adresuar edhe në raporte të tjera të APPA-s, për shkak të kësaj varësie ende nuk kemi filtra cilësor të investimeve dhe investitorëve të huaj, kjo shoqëruar me destabilitetin politik, përbëjnë një habitat përfekt për investitorë “bakterial” të cilët e zhysin më shumë vendin në probleme sociale, ekonomike dhe ppolitike.
Në këndvështrimin e qytetarisë kushdo që lexon një raport të thjeshtë mbi marrëdhënien e Shqipërisë me FMN, apo Bankën Botërore ose institucione të tilla, e ka të qartë menjëherë se asnjëra nga zgjidhjet e deri tanishme nuk ka qënë efikase për arsyen e vetme se problemi nuk “goditet në kokë”. Pavarësisht ndërhyrjeve të ndërkombëtarëve dhe masave ekstreme apo edhe reformave të ndryshme ajo çka ndryshon fare pak është “e ardhura nga taksa”, e cila në vitin 2013 ishte 22% ndërsa në fund të 2016 arriti 24.3%. Shumë energji, para, plane dhe strategji për 2.3% rritje! Dhe qasja e FMN-së është konsolidimi dhe shtimi i taksave për të patur të ardhura në arkën e shtetit, por këto taksa bien mbi atë pjesë të popullsisë që i paguan rregullisht taksat dhe barra rritet akoma më shumë në ekonomi mbi ata që paguajnë, duke i demotivuar ata në një mënyrë që të vazhdojnë të paguajnë.
Ajo çka rekomandohet, por që patjetër nuk është e pëlqyeshme për Qeverinë Shqiptare është rritja e aktiviteteve jo shtrënguese për rritjen e përqindjes së të ardhurave që grumbullohen nga taksat. Një qasje e tillë nuk është provuar ende nga ndonjë qeveri, aq sa të bën të dyshosh se përse. Por duke qënë optimist si Ministri Ahmetaj, kjo përpjekje me siguri do t’i ndërgjegjësonte dhe afronte më shumë qytetarët në të paguarit e taksave, ndryshe do të quheshim një popull qylxhi!
[1] Ahmetaj pwr “Ekonomia nw Fokus” – http://www.financa.gov.al/al/njoftime/lajme/ne-kater-vitet-e-ardhshme-ekonomia-drejt-rritjes-mbi-5-reformat-kusht-per-shqiperine-qe-duam-per-shtet-pune-mireqenie
[2] Ahmetaj, rritja ekonomike 4% – http://rtsh.al/lajme/ahmetaj-ne-2017-rritja-ekonomike-4-per-qind/
[3] Rritja ekonomike do te shkoje ne 6% – http://rtsh.al/lajme/ahmetaj-shqiperia-synon-nje-rritjeje-ekonomike-prej-6-perqind/
[4] Raporti per Shqiperine, FMN – http://www.imf.org/en/Publikations/CR/Issues/2017/02/28/Albania-Ninth-and-Tenth-Reviews-Under-the-Extended-Arrangement-and-Proposal-for-Post-44712
[5] Situata politike, nje jo atraksion per investitoret – http://www.monitor.al/vit-zgjedhor-veshtire-per-ekonomine-2/
[6] Konçesionet, jo ndonje perfitim I madh – http://acp.al/news/3220/Bilanci-i-koncesioneve,-ne-nje-vit-vetem-8-mln-euro/
[7] Rriten eksportet neto – http://www.instat.gov.al/media/383108/pbb_tr4-2016.pdf