Gerion TRESKA, MSc
1-Paraja dhe Shqipëria!
Nëse mbani mend para disa muajsh fjala “offshore” ishte pjesë edhe e zhargonit shqiptar. Kjo edhe sepse disa zyrtarë shqiptarë, si dhe biznesmenë, ishin përfshirë në të ashtëquajturin “Panama Papers” por gjithashtu edhe për faktin se një nga minierat më të mëdha të “arit” në Shqipëri u ble nga një kompani offshore, REAL FORTRESS PRIVATE LIMITED. Kompania jo me ndonjë reputacion të mirë qoftë financiar, apo edhe ndonjë tjetër pasi nuk kishte edhe aq kohë duke qenë se është regjistruar në Qershor 2016, duket në një rrugë mjaft të mirë këtë vit duke vendosur një rekord fitimi pre 17 milion Eurosh.[1]
Sipas Monitor, ”Norma e fitimit arriti në 44%. Kjo nënkupton që vitin e kaluar nga 100 lekë të ardhura, që TIA ka marrë nga taksat që ajo u ngarkon kompanive ajrore që fluturojnë nga Aeroporti i Rinasit, 44 lekë kanë shkuar si fitim për koncesionarin.” Me pak fjalë para që ikin nga Shqipëria.
Ndërkohë sipas EUROSTAT, Shqipëria mund të ketë çmime më të lira se në shumë vende të Europës, por të ardhurat e ulëta, që marrin në raport me vendet e tjera, bëjnë që ata të shpenzojnë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit për të siguruar nevojat minimale jetësore të të ushqyerit, thënë më thjesht 40% e të ardhurave të shqiptarëve shkojnë vetëm për ushqime.[2] Le të mos harrojmë se shumica e produkteve të shportave ushqimore që familjet konsumojnë janë mallra importi, sërish paraja ikën nga Shqipëria.
T’i shtojmë kësaj tabloje edhe “fjetjen e parasë” në depozita, pra edhe ajo pak para që është “fle, por të paktën rritet”. Banka e Shqipërisë në analizën e saj deklaron se llogaritë e bizneseve janë rritur me ritme më të larta se llogaritë e individëve (përkatësisht 17.16% dhe 3.13%), zhvillim që ka pasur impaktet e tij në rritjen e përqendrimeve të depozituesve më të mëdhenj,[3] në këtë mënyrë duke theksuar gjithnjë e më shumë pabarazinë që po karakterizon shoqërinë tonë. Para që flenë dhe rriten por që pak informacion kemi nëse investohen në sipërmarrje të reja apo u jepet jetë e re multiplikuese, fatkeqësisht kjo është e vërteta.
Duket sikur ka një ngërç mes parasë dhe Shqipërisë ose shqiptarëve, ku në këtë ngërç paraja shkon tek paraja thotë populli. E vërteta qëndron në faktin se sistemi ynë ekonomik është aq i varfër në këtë aspekt saqë lejon vetëm rritjen e pabarazisë duke mos krijuar ose lejuar instrumente të tjerë, kryesisht duke theksuar këtu riskun e lartë, që paraja të qarkullojë.
Ah po ka një moment në fakt kur paraja qarkullon, qoftë kjo e pastër ose jo, formale ose informale, sa herë afrohen zgjedhjet, sidomos gjatë viteve zgjedhore.
2-Erdhi fushata, erdhi rritja?!
Mbani mend që shpenzimet publike u tkurrën vitin që kaloi? Mbani mend që Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar na kishin vënë disa limite dhe përqindje që duhet t’i arrinte Qeveria Shqiptare dhe ekonomia shqiptare?
Këtë vit, nga Janari deri në Maj të 2017 Qeveria bëri përpara zgjedhjeve:
- Rriti shpenzimet publike me 16.7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, përafërsisht 180 milion Euro më shumë të injektuara për financimin e projekteve publike; sipas Ministrisë se Financave ligji për mbrojtjen e buxhetit funksionoi dhe këto para ishin para të grumbulluara nga taksat jo të marra borxh, ndërkohë Qeveria Shqiptare në përllogaritjen e fundit të borxhit u konstatua nga Banka Botërore se nuk kishte shpenzime të kryera rishtazi të përllogaritura, të cilat do ta conin përqindjen e borxhit publik nga 72.66 në 73%; po sipas Sipas të dhënave nga Ministria e Financave gjatë pesë mujorit të parë shpenzimet buxhetore ishin mbi 22 miliardë lekë, nga rreth 12 miliardë lekë që ishin janar-maj 2016, me rritje mbi 70 për qind. Por ky është niveli më i lartë e shpenzimeve buxhetore për investime që nga viti 2013.[4]
- Me hyrjen në fuqi të ligjit Nr.71/2017 datё 27.04.2017 “Për njё shtesё nё Ligjin Nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, të ndryshuar, ka filluar nga muaji Qershor të zbatohet, shkalla tatimore e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar, prej 6 për qind për furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese, sipas kategorive të përcaktuara në legjislacionin e fushës së turizmit.[5]
- Sipas të dhënave nga INSTAT në Janar-Mars në Tiranë janë dhënë gjithsej 43 leje ndërtimi nga 18 leje që ishin dhënë vitin e kaluar, 140% më shumë. Gjithashtu lejet për të ndërtuar në kryeqytet ishin edhe më të larta se në tremujorin e fundit të 2016 ku u dhanë 41 të tilla. Nga janari i 2016 deri në fund të marsit 2017 u dhanë 149 leke në kryeqytet në total për këtë periudhë. Kjo mbështetet edhe nga indikatorët ku duket se si rritja e lejeve të ndërtimit në reaksion zinxhir vepron në ekonominë e vendit.[6]
Nëse shihen afatet e veprimeve të ndërmarra më sipër nuk ka nevojë për një ligj për mbrojtjen e buxhetit e shtetit në periudha zgjedhjesh sepse ja zgjidhja është gjetur. Qeveria mund ta bëjë dhe e bën, megjithëse tashmë dihet dhe pritet që ndryshimet më të mëdha priten pothuajse çdo dy vjet kur kemi zgjedhje, më të mëdhatë në zgjedhjet qendrore.
Por a është korrekte kjo qasje që ndjek kjo qeveri së cilës në këtë periudhë krahasimesh platformash ekonomike është e vetmja së cilës mund t’i merret për t’u analizuar premtimi që bën. Patjetër që të gjithë simpatizantët e partisë në fuqi do të mbështesin veprimet e Qeverisë, ata në opozitë do të kritikojnë. Ky skenar tregon një mungesë të memories së popullatës e cila i detyron partitë, të gjitha, të investojnë kryesisht në vitin e parë dhe të fundit të mandatit të tyre. Duke patur këtë element parasysh duket se edhe Qeveria jonë ka patur më shumë prioritet inaugurimet dhe lëvrimet e fondeve në këtë vit duke harruar premtimet që i kishte bërë Bankës Botërore.
Banka thotë se arsyet e mosrënies së borxhit lidhen me disa faktorë, duke përfshirë:
- zhvlerësimin e këmbimit kundrejt dollarit,
- inflacioni më i lartë se sa pritej,
- rritjes së ekonomisë me pak se pritshmëritë
- performanca e ulët e të ardhurave sidomos më 2015.[7]
Patjetër që nuk duhet të përmendim edhe progresin në sektorin energjetik dhe vullnetin për të shtrydhur popullin shqiptar që të arrijmë objektivat e ndërkombëtarëve që të marrim borxh të butë të mbajmë premtimet e fushatës, filozofia tipike e qeverive në Shqipëri.
Megjithatë, APPA sugjeron dhe adreson se ka mjaft mënyra alternative të cilat mund të ndiqen për të sensibilizuar dhe rritur kështu numrin e taksapaguesve individë dhe biznese në të ardhurat e buxhetit të shtetit. Por kjo nuk duket një qasje e pranueshme për asnjë nga partitë në Shqipëri. Taksat duke qenë palca kurrizore e sistemit janë një çështje sensitive e cila lakohet kryesisht e keqpërdorur nga politikanët duke harruar se janë të ardhura që afektojnë jetën e një kombi të tërë.
Votim të mbarë!
[1] Rekord 17 milion Euro I kompanisë offshore të TIAs – http://www.monitor.al/aeroporti-rinasit-pronari-ri-offshore-arrin-fitime-rekord-17-milione-euro-ne-2016-n/
[2] Shqipatët konsumojnë 40% në ushqime – http://acp.al/news/3411/Eurostat:-Shqiptaret,-populli-qe-shpenzon-me-shume-per-ushqime-ne-Europe/
[3] Paraja qe fle dhe rritet – http://www.gazetadita.al/thellohet-pabarazia-super-te-pasurit-rrisin-zoterimin-e-kursimeve-ne-bankat-shqiptare/
[4] Rriten shpenzimet e Qeverise në Janar-Maj 2017 – http://acp.al/neës/3413/Fushata-ndez-motoret-ne-maj,-shpenzimet-kapitale-ne-5-mujor-rritje-vjetore-me-71-per-qind/
[5] Bie TVSH per turizmin – http://www.panorama.com.al/ulja-e-tvsh-se-per-turizmin-biznesi-do-te-rrisim-investimet/
[6] Rriten lejet e ndertimit ne Tirane dhe ne tere vendin – http://www.monitor.al/janar-mars-2017-lejet-e-ndertimit-ne-tirane-rritje-vjetore-138/
[7] Banka Boterore, borxhi nuk ulet – https://sot.com.al/ekonomia/bb-qeveria-nuk-e-mbajti-objektivin-p%C3%ABr-uljen-e-borxhit-reforma-n%C3%AB-energji-ra-para