Endrit KAPAJ
Premisat e krijimit të Gjykatës Administrative.
Krijimi i Gjykatës Administrative, u ndërmor me synimin që çështjet që i përkasin një fushe specifike të juridiksionit të gjykohen vetëm nga gjyqtarë të specializuar në këtë fushë. Duke u marrë shumë më shpesh me një gamë të kufizuar çështjesh, këta gjyqtarë do të mund të zhvillonin dhe akumulonin ekspertizën për të nxjerrë vendime me cilësi të lartë, që nuk do të kishin nevojë të ndryshoheshin nga shkallët më të larta, nëse kundër tyre bëhet ankim. [1]
Premisat mbi bazën e se cilave u ngritën Gjykatat Administrative ishin efikasiteti dhe shpejtësia. Transferimi i juridiksionit për sfera të caktuara tek gjykatat administrative do të duhej të rriste edhe efikasitetin e gjyqtarëve në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm, pasi atyre nuk do t’u duhej të futeshin në sfera specifike ku do të ishte e vështirë për të gjykuar si duhet raste kaq të rralla.
Gjykatat administrative do të kontribuonin në njësimin e fushës përkatëse të juridiksionit. Gjyqtarët e specializuar do të ndikonin në pakësimin e mospërputhjeve në interpretimin dhe zbatimin e ligjit në fushën përkatëse, në saj të ekspertizës së tyre dhe numrit të paktë të gjyqtarëve.
Një praktikë gjyqësore më e qëndrueshme bën të mundur një siguri ligjore, ri sjell besimin në shtetin ligjor dhe pakëson çështjet gjyqësore në të ardhmen.
Kështu, në vend të pasjes së gjykatave të njësuara që janë shumë të mëdha, do të ishte më mirë të ngriheshin gjykata të veçanta, me kusht që edhe gjykatat administrative të mund të kenë natyrisht një madhësi të mjaftueshme. Po kështu, meqenëse ndërmjet juridiksionit të përgjithshëm dhe të specializuar administrativ në lidhje me rregullat procedurale, shkallët e gjykimit dhe për pasojë edhe në menaxhimin e çështjeve ka ndryshime, ndarja mund të jetë një zgjedhje më e mirë për të arritur një efikasitet optimal.
Pas një periudhe kohe, ndoshta është momenti për një analizë, se sa realiste kanë rezultuar premisat fillestare. Ngritja e gjykatave administrative edhe pse është një faktor shumë i rëndësishëm në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, duhet parë edhe në këndvështrimin e problematikave që kanë rezultuar. Konkretisht, shkalla e dëshirueshme e specializimit të gjyqtarëve për rezultatet e pritshme pozitive nuk është realizuar. Pika vendimtare është pasja e gjyqtarëve të specializuar për gjykimin e çështjeve përkatëse. Ngritja e gjykatave administrative ka sjellë deri në një farë mase ngushtimin ose edhe kufizimin e mundësisë për t’iu drejtuar gjykatës.
Fusha e ngushtë e juridiksionit dhe numri I shumë I vogël I gjyqtarëve komprometoi neutralitetin e gjykatës nga zhvillimi i marrëdhënieve dhe njohjeve personale ndërmjet gjyqtarëve dhe administratës publike apo shtetërore. Theksojmë se ka vetëm një Gjykatë Administrative të Apelit dhe në përbërje të saj janë shtatë gjyqtarë, të cilët duhet të shqyrtojnë 12,000 çështje ankime.
Biznesi përballë institucioneve publike nuk është në pozicion të barabartë dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme nga analiza statistikore e vendimeve gjyqësore të shkallës së parë , ku rezulton se rreth 30% e vendimeve janë në favor të biznesit, ndërsa ne 70% te rasteve vendimet janë në favor të administratës. Situata rëndohet akoma më shumë në gjykimet në Apel , ku përqindja e vendimeve ne favor te biznesit ulet dramatikisht ne 6-10%. [2]
Lehtësisht, mund të thuhet se kanë dështuar ose më së paku janë cenuar:
– Garantimi i mbrojtjes efektive të drejtave subjektive dhe interesave të ligjshëm të personave nëpërmjet një procesi të rregullt gjyqësor dhe brenda afateve të shpejta e të arsyeshme. Krijimi i kushteve të përshtatshme për një shqyrtim efektiv duke vënë në vend të drejtat e cenuara nga veprimet dhe/ apo aktet administrative të nxjerra nga organet publike.
– Siguria që çdo qytetar pavarësisht situatës së tij/saj financiare, të ketë akses në drejtësinë administrative.
– Domosdoshmëria e barazisë së interesit publik nga njëra anë me të drejtat subjektive dhe interesat e ligjshme të personit nga ana tjetër.
– Thjeshtimi i procedurave përkatëse lidhur me gjykimin dhe ekzekutimin vendimeve gjyqësore me objekt zgjidhjen e mosmarrëveshjeve administrative ndërmjet personave dhe organeve publikë.
[1] Councils of State or the Supreme administrative jurisdictions http://www.juradmin.eu/index.php/en/members
[2] Keshilli I Investimeve http://www.investment.com.al/wp-content/uploads/2015/08/Rekomandime-KI-2016.pdf