Endrit KAPAJ
Qeveria e re në programin e saj të prezantuar ne Kuvend, përsa i përket Drejtësisë, ka shpallur këto prioritete:
- Zbatimi i suksesshëm i reformës në drejtësi: ”Ky mandat do të jetë mandati për jetësimin përfundimtar të reformës më të rëndësishme të ndërmarrë ndonjëherë në historinë e shtetit shqiptar. Të njëjtin angazhim dhe mbështetje shprehim dhe në procesin e ngritjes së institucioneve të reja qeverisëse dhe drejtuese të gjyqësorit dhe të prokurorisë, të domosdoshme për zbatimin e reformës në drejtësi.’’
- Reformimi i kodeve të së drejtës materiale dhe procedurale, me qëllim përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian në kuadër të procesit integrues të Shqipërisë.
- Reformimi i shërbimeve publike, rritja e efikasitetit të tyre, është një prej zotimeve kryesore të programit të qeverisë. Reformë e detajuar dhe gjithpërfshirëse, për reformimin e të gjithë shërbimeve publike që lidhen me drejtësinë, duke përfshirë institucionet ligjzbatuese, por edhe profesionet e lira.
Prioritetet e mësipërme janë tashmë të mirënjohura, sikurse ato janë të përgjithshme, të rrumbullakosura dhe të padetajuara me indikatorë matës, plane veprimi dhe afate konkrete. Gjithsesi, në kushtet kur kryefjala është Reforma në sistemin e Drejtësisë, po shtrojmë më poshtë disa pyetje/cështje, përgjigjet e të cilave nëpërmjet veprimeve konkrete ne politika dhe plane veprimi do ta ndjekim në vazhdimësi:
- Si do të arrihet arritja e ndërgjegjësimit të publikut që ka për qëllim luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e transparencës dhe korrektësinë në mesin e institucioneve të sektorit të drejtësisë?
- Si do të realizohet rritja e efektivitetit, transparencës dhe besimit të publikut në sistemin gjyqësor?
- Si do të realizohet monitorimi i gjykatave si institucion?
- Si do të përmirësohet aksesi (e drejta për të kërkuar drejtësi) në Gjykatë?
Nga ana organizative institucionet gjyqësore funksionojnë saktësisht si çdo institucion tjetër publik dhe fushat e cënueshme në këtë drejtim janë ato që marrin vendime tërësisht administrative. Këto në fund të fundit mbështesin funksionimin e institucioneve gjyqësore, duke i bërë fushat e mëposhtme të cënueshme ndaj korrupsionit. Gjithashtu, duhet një përpjekje e madhe për të kultivuar në rradhët e drejtësisë parimet e nderit dhe integritetit, ku etika në sistemin e drejtësisë është reflektim i etikës mjaft të ulët në shoqërine shqiptare. Vlerësimet etike për punonjësit e sistemit gjatë karrierrës së tyre pothuaj nuk ekzistojnë/ose janë thjesht mjet presioni ndaj këtyre punonjësve. Duhet mjaft punë për të promovuar parimin e kulturës së shërbimit të interesave publike, në kushtet kur në shoqërinë tonë ka një rënie të vlerave morale, konceptet e të mirës dhe së keqes janë më shumë se kurrë të relativizuara.