Nga një audit i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) në Agjencinë Kombëtare te Turizmit (AKT), janë përpiluar procesverbalet nr. 4, 7 dhe 10, protokolluar më 12.02.2015 në AKT. Në to, janë vërejtur shkelje të rënda si më poshtë:
“Nga auditimi i dokumentacionit përgatitor për procedurën dhe blerjen e biletave për 1 dhe 7 pjesëtaret e shoqatës ATTA, për aktivitetin parapërgatitor në maj dhe zhvillimin e tij me data 28-31 gusht në Shqipëri, rezulton se veprimi nuk është i mbështetur në ligjin nr.9734, datë 14.05.2014 “Për Turizmin” i ndryshuar. Në asnjë nen të ligjit nuk parashikohet mbulimi i shpenzimeve nga AKT për pjesëmarrjen e personave të huaj, në aktivitete si Fam Tours, zhvilluar në Shqipëri… Shpenzimi i paargumentuar ligjërisht prej 1239910 lekë pa TVSH, përbën dëm ekonomik. Për kryerjen e pagesës të pambështetur në bazën ligjore, mban përgjegjësi Znj. Julinda Dhame, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Turizmit”.
“b) Në faturën nr. 13, datë 4.04.2014, ka ndryshime në lidhje me specifikimet teknike, ka ndryshuar numrin e biletave, nga 5 bileta të kërkuara, është ulur në 4 bileta, dhe fondi i shpenzuar është më i madh se fondi limit. Nga 318 890 lekë me TVSH, është shpenzuar një fond 397 392 lekë, pra më shumë 78 502 lekë me TVSH, vlerë që përbën shkelje të disiplinës financiare… Ky veprim ngarkon me përgjegjësi titullarin e AKT…”.
“a) Në urdhrin e prokurimit nr.41, datë 09.05.2014 për prokurimin me vlera të vogla, kërkohet të blihen 3 copë bileta për Shangai e kthim, ndërsa Urdhri i Drejtorit të Përgjithshëm nr. 231, datë 04.06.2014, ka përcaktuar që shërbimi do të kryhet nga dy punonjës (pra duhen 2 bileta dhe jo 3). Të gjitha procedurat e prokurimit janë kryer për blerjen e tre biletave të avionit.”
- b) Pagesa e mbështetur në faturën tatimore të shitësit është bërë për tre bileta, kur faktikisht shërbimi është realizuar nga dy përfaqësues të AKT, pra është paguar për një biletë me vlerën 119 666,34 lekë, për të cilën nuk është marrë shërbimi…”.
“*Në dokumentacionin për aktivitetin, nuk sqarohet lidhja e “Festa e Birrës” me aktivitetin turistik të AKT. Edhe më tepër shtohet pikëpyetja, duke u nisur nga fakti se AKT ka përballuar gjysmën e shpenzimeve të aktivitetit, duke paguar qira për stola e tavolina.”
Këto janë vetëm disa prej abuzimeve të mundshme dhe shkeljeve të pretenduara ligjore që ka konstatuar KLSH. Probleme të tilla, si blerja e më shumë biletave se persona që udhëtojnë për të promovuar turizmin shqiptar, pagesa për udhëtimin e qytetarëve të huaj në Shqipëri, gjë që nuk e parashikon ligji dhe mbi të gjitha financimi i aktiviteteve që nuk kanë asnjë lidhje me turizmin, mund të jenë një prioritet që bie ndesh me promovimin e turizmit shqiptar. Ndoshta kjo mund të jetë një arsye se përse turizmi shqiptar gjatë vitit 2014, nuk arriti të barazonte dot as vitin 2012, që qe viti më i mirë në kohën e qeverisë së kaluar për sa i takon ardhje së vizitorëve të huaj në Shqipëri, sikurse kemi mundur të dëshmojmë në raportimin e muajit janar 2015.
APPA
Leave a Comment