Rigels XHEMOLLARI, MSC
Kush abuzon financiarisht në emër të arsimit parauniversitar ?
DAR Tiranë – Kur flasim për abuzime me tendera të zakonshëm apo të jashtëzakonshëm siç janë ata të 3 P-ve na vijnë ndërmend konçesionet e bëra publike dhe akuzat politike që qarkullojnë midis forcave politike. Në të vërtetë nuk abuzohet vetëm atje ku shifrat i kalojnë milionat e eurove, atje ku media është prezente por ka edhe vjedhje më të vogla dhe më të shpeshta të parave publike nga ana e zyrtarëve të shtetit. Nëse do të fokusohemi tek arsimi parauniversitar duke iu referuar raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit të ushtruar pranë DAR Tiranë për vitin 2016 do të na habisë fakti se si institucioni që ne presim edukim, vjedh kaq hapur paratë publike.[1] Nga dhjetëra abuzimet që i janë gjetur DAR Tiranë, po përmend vetëm tre për të kuptuar se sa thellë është ngulur fenomeni i korrupsionit në mendjet e zyrtarëve tanë publikë që e konsiderojnë pasurinë publike si pronë vetjake. DAR Tiranë ka blerë rreth 2.5 milionë lek të vjetra benzol pa plumb ndërkohë që në inventarin e saj ka vetëm makina me naftë. DAR Tiranë ka kryer transaksione të paautorizuara në emër të punonjësve pranë kompanive private për përdorimin personal të celularëve dhe shlyerjen e kredive të marra nga këta punonjës tek bankat e nivelit të dytë me ndërmjetësimin e Shoqatës “Kursim Krediti –Mësuesi. Këto veprime faktojnë interesin që kanë pasur drejtuesit e këtij institucioni për të shlyer këto pagesa në emër të punonjësve të tyre pa miratimin e këtyre të fundit. Gjithashtu të gjitha arsimtarëve që kanë marrë paga dhe shpërblime të tatuara në burim, nuk janë derdhur për llogari të shtetit 15% e shumës por 13%. Ky fakt zbulon paligjshmërinë dhe abuzimin me 2% e mbajtur mbi vlerën e pagës apo shpërblimit.
MAS – Po të kalojmë nga DAR Tiranë tek Ministria e Arsimit dhe Sportit, shkalla e papërgjegjshmërisë dhe abuzimit rritet, pasi toleranca ndaj korrupsionit zbret nga lart poshtë dhe jo e kundërta. Në vitin 2014 qeveria shqiptare mori një kredi prej 3.5 milionë eurosh nga banka austriake, UniCredit, për të blerë tableta me justifikimin e përfshirjes së teknologjisë në ato që i quante 120 klasat “inteligjente”. Projekti kishte si qëllim që nxënësit e gjimnazeve në të gjithë vendin të mund të zhvillonin mësimin e disa lëndëve shkollore përmes tableteve elektronike, të cilat kërkojnë lidhje me internetin për të funksionuar. Nga një investigim i kryer nga Laboratori i Gazetarisë Investigative u zbulua fakti se përtej ambicieve të qeverisë, sot asnjë nga klasat e pretenduara si “inteligjente” nuk i përdor këto tableta.[2] Në disa nga klasat mungojnë kushtet teknike, në disa interneti dhe në disa mungojnë mësuesit “inteligjentë” për të vënë ën zbatim këtë projekt ambicioz, që për fatin e keq të nxënësve dhe shqiptarëve ato tableta janë duke u mykur në magazinat e shkollave dixhitale, apo shkollave që duam, siç i titulloi Ministrja Nikolla javën e kaluar. Sot 15 gjimnazet dhe 54 shkollat 9-vjeçare të Tiranës nuk kanë laboratorë kimie, fizike apo biologjie, për shkak të mungesës së investimeve nga të gjitha qeveritë për arsimin paraunviersitar dhe me paratë e shpenzuara për tabletat e magazinës tashmë mund të ishin ndërtuar dhjetëra laboratorë të shkencave natyrore që të punonin të gjithë nxënësit, por siç duket tenderi, klienti dhe show ishin të garantuara me lëvizjen “inteligjente” të kësaj qeverie. Qytetarët shqiptarë, prindërit e nxënësve, media dhe shoqëria civile duhet të reagojë dhe veprojë për të kërkuar ndëshkim ligjor, politik dhe moral për këto shpenzime inteligjente të djallëzuara, për abuzimin me tenderat e pajustifikuar dhe për pandëshkueshmërinë e zyrtarëve të punësuar me paratë e taksapaguesve që përdorin shpenzimet publike për shërbime private.
Bashkia Tiranë- Një tjetër risk për abuzim financiar vjen në drejtim të arsimit paraunviersitar nga shpenzimet e kryera nga taksa e bashkisë Tiranë për infrastrukturën në arsim me qëllim ndërtimin e 17 shkollave të reja në kryeqytet. [3] Përveç faktit që kjo taksë nuk lindi nga ndonjë studim për qytetarët dhe bizneset, mblidhet në mënyrë abuzive dhe jotransparente, ku bizneset detyrohen të paguajnë për çdo nipt sekondar dhe asociale pasi një familje me të ardhura të pamjaftueshme nuk është e përjashtuar nga ky detyrim. Sipas bashkisë të ardhurat e grumbulluara nga kjo taksë do të shpenzohen për të ndërtuar 17 shkolla të reja nëpërmjet partneritetit publik – privat. Megjithëse shkollat ekzistuese nuk kanë as kushtet minimale të ngrohjes apo higjienës, bashkia me kompetencën dhe subjektivizmin e saj vendos që këto para publike do të investohen të gjitha në shkolla pa marrë parasysh nevojat që kanë shkollat ekzistuese. Por ajo që duhet të ngacmojë më shumë nervin tonë si taksapagues është se ndërtimi i shkollave nga biznesi me anë të 3 P-ve na kushton më shumë para se nga ndërtimi më prokurim të thjeshtë dhe normë të zakonshme të borxhit publik ku interesi është 3%.[4] Në momentin që bizneset marrin përsipër të ndërtojnë 17 shkollat nëpërmjet partneritetit publik – privat norma e kredisë bankare që trajtohet biznesi nga bankat e nivelit të dytë është 7% dhe ky interes i rritur është në kurriz të kësaj takse të dedikuar. Është e paqartë arsyeja pse bashkia duhet të ndërmarrë një nisëm të tillë meqë interesat që shteti shqiptar duhet të paguajë për të njëjtin investim janë më të ulëta!? Kjo na bën të besojmë se publikut akoma nuk po i thuhet e vërteta. Si qytetarë apo taksapagues na lind e drejta të mendojmë se kjo skemë po përdoret për të kryer pagesa më të larta se çmimi i tregut për të krijuar përfitime korruptive, ashtu siç mund të mendojmë kur vidhemi si konsumatorë nga kompanitë telefonike, karburantet apo bankat.
[1]Raport i KLSH për auditimin e ushtruar në Drejtorinë Arsimore Rajonale Tiranë
[2] http://pse2017.com/3-5-milione-euro-per-klasat-inteligjente-pa-internet/
[3]http://www.dpttv.gov.al/DocumentFile/Legjislacioni/Vendim%20Nr.59%20date%2030.12.2015%20Sistemi%20i%20taksave%20dhe%20tarifave%20vendore%20.pdf
[4] http://www.exit.al/2016/12/23/shkollat-me-ppp-nuk-kane-asnje-kuptim-ekonomik/