Nga Rigels XHEMOLLARI
Grantet e biznesit rinor social
Iniciativa e Bashkisë Tiranë – Bashkia Tiranë në kuadër të projektit për Fondin e Programit të Nxitjes së Punësimit të miratuar me Vendim te Komisionit të Ndihmës Shtetërore Nr 68 datë 25.10.2016 dhe V.K.B nr 58 datë 30.12.2015 për “Miratimin e Programit Buxhetor Afatmesëm 2016-2018, shpalli në fillim të 2017 thirrjet për aplikim për të rinjtë që dëshironin të krijonin biznesin e tyre me fokus social.[1] Kjo nisëm pilotohej për herë të parë dhe pritej të kishte paqartësi dhe amulli për aplikantët por nuk pritej që stafi përgjegjës i kësaj bashkie të ishte aktori më i pa interesuar në procesin e grantdhënies dhe në vend të impaktit pozitiv social të krijonte një panik asocial për përfituesit. Një studim i European Youth Association, organizatë me fokus rininë, hedh dritë mbi të gjitha hallkat e këtij procesi duke nxjerrë në pah mungesën e transparencës, përgjegjshmërisë dhe korrektesës kontraktore nga ana e institucionit të bashkisë që në këtë rast është institucioni grantdhënës.[2]
Problematikat kryesore – Sa i përket transparencës së procesit, pati një sërë problematikash duke filluar nga mos publikimi online i të gjitha fazave, fshehja e vlerësimit me pikë si dhe fshehja e komisionit përzgjedhës të tyre. Këto elementë krijojnë paqartësi dhe hipoteza për një ndarje preferenciale fondesh. Së dyti marrëdhënia kontraktuale midis bashkisë dhe grantmarrësve, sipas intervistave të zhvilluara me ta, ka qenë jo korrekte nga ana e bashkisë dhe ka ndikuar negativisht në ecurinë e biznesit të tyre. Mjaftojnë vetëm vonesat në fazat e parashikuara të disbursimit të fondeve me 3 deri në 6 muaj për të vënë në pozitë jo të favorshme bizneset start – up, të cilat kanë si burim të vetëm të ardhurash fondin e akorduar nga bashkia. Sa i takon qëndrueshmërisë financiare, nga bizneset Start-Up nuk u hap asnjë vend i ri pune, përveç të vetpunësuarve, ndërsa nga bizneset ekzistuese të financuara janë hapur vetëm tre vende të reja pune. Madje nga dëshmitë pesimiste të grantmarrsve pohohet se vlera e këtij granti ishte më shumë një shtysë për të hapur biznes, se sa një sipërmarrje e qëndrueshme.
Zgjidhja e mundshme – Për të stimuluar biznese të reja dhe të qëndrueshme financiarisht në kohë, bashkia Tiranë dhe Këshilli Bashkiak duhet të ri-shohë programin në disa aspekte, siç janë rritja e shumës së grantimit, duke u dyfishuar edhe nëse do duhet të ulet numri i përfituesve, mbështetja e vazhdueshme për grantmarrësit e suksesshëm dhe respektimi i kushteve kontraktore, veçanërisht disbursimit të fondeve në kohë. Për të shpëtuar bizneset e të rinjve që tashmë janë zbatues duhet minimalisht të ri-mbështeten me të njëjtën shumë. Për të nxitur transparencën e programit të granteve, Drejtoria e Nxitjes së Punësimit pranë bashkisë Tiranë duhet të bëjë publike të gjitha fazat e procesit të grantdhënies, të njohë konkurrentët me përbërjen e bordit vlerësues si dhe të shpallë tabela pikëzuese për fituesit dhe humbësit. Konkursi publik dhe shpallja e bordit përzgjedhës online mund të ishte një zgjidhje më e hapur dhe gjithëpërfshirëse. Sa i përket promovimit dhe nxitjes së sipërmarrjes rinore, Bashkia Tiranë duhet të krijojë program eventesh të posaçëm për reklamimin e bizneseve nga të rinjtë sidomos ato të mbështetura prej vetë saj nëpërmjet organizimit të aktiviteteve promovuese për bizneset për të rritur mundësinë e krijimit të klientelës nga ana e tyre. Kjo mund të realizohet edhe nga aktivitete që nuk organizohen posaçërisht për grantmarrësit, por t’u jepet mundësia e promovimit edhe atyre.
[1] http://www.tirana.al/wp-content/uploads/2016/11/Vendim-Nr.-75-Per-nje-ndryshim-buxheti-VKB-Nr-58-FINAL.pdf