
Gerion Treska
1- Çka ngjizet në 1 Prill shkon si për 1 Prill! Data 1 Prill 2015 do të mbetet një datë e shënuar për arsimin e lartë në Shqipëri, si një nga datat e ngjizjes më të debatueshme. Për t’u kthyer pak pas, në këtë ditë pas një mbledhjeje të Kabinetit Qeveritar, u miratua Ligji i Ri i Arsimit të Lartë. Ministrja po atë ditë shprehej se ky është një ligj për studentët shqiptarë, një ligj që synon t’u japë mundësinë të rinjve të këtij vendi të fitojnë nga universitetet dije cilësore, të përfitojnë vlerën e munguar të mundit të tyre dhe ti japin besimin prindërve të tyre, që investimi, koha dhe financat e investuara do t’ia vlejnë. Pa harruar se titullarë të ndryshëm të MAS sa herë që flisnin për arsimin ishin gjithnjë të kujdesshëm që të përmendnin debatin dhe konsultimin me grupet e interesit. Pavarësisht se u mor një kohë e gjatë me diskutimin e këtij Ligji, ajo çka ndodhi është se pasi kaloi në Kabinetin Qeveritar, studentët dhe pedagogët e universitetit shtetëror shfaqën pakënaqësitë e tyre duke u ndjerë të kërcënuar nga ky ligj. Protestat studentore nisën me një frekuencë jo të dendur por vazhduan të shtoheshin sa më shumë që Ligji i afrohej Parlamentit. Gjithkund ku shkoi ky ligj ngjalli pakënaqësi dhe debate, në Komisionin për Arsimin, tek përfituesit dhe pjesëmarrësit, në Parlament, madje edhe tek opozita e cila e kapi më në fund ritmin dhe u përpoq të përfshihej në grupin e të pakënaqurve në përgjumësinë e saj. Në fakt kjo datë duket e pëlqyer shumë nga kjo qeveri, duke çuar në një si ironi ky mbase në këtë datë me konotacion jo pozitiv ndërmerren vendime me efekte të mëdha në popull. Dhe eksperienca ka treguar se domethënia e kësaj date nuk na ka çuar asnjëherë në vendime të shëndosha por në vendime të sforcuara dhe plot pakënaqësi. 2- Ligji favorizues vetën ndaj MAS Është ndjerë një lloj një anshmëri e theksuar nga miratimi i Ligjit të ri në Parlament mes universiteteve private dhe atyre shtetërore, kjo shoqëruar me datë dhe argumentime të drejta, të arsyetuara dhe emocionale nga titullarë të lartë të botës akademike. Së pari dhe më së shumti universitetet shtetërore janë ndjerë më të prekura nga ky ligj duke argumentuar se ai favorizon universitetet private duke çuar para publike në këto institucione. Së dyti ligji i ri kërcënon hapur dhe në mënyrë antikushtetuese pavarësinë e universitetit, sidomos atij shtetëror, duke centralizuar gjithçka në duart e MAS dhe agjencive të saj. Ndërkohë që ajo çka i ka prekur më shumë është skema e re e financimit e cila i detyron sidomos universitetet shtetërore të “shtrëngojnë rripat” e të bëhen më konkurrues në treg, duke rikonfiguruar skemën e të ardhurave për këto universitete, të cilat përveç pagesave të studentëve merrnin edhe fonde nga Qeveria por në shumë raste edhe “nën dorë për ndonjë provim” megjithëse nuk kanë denjuar të kryejnë procesin e akreditimit institucional dhe të programeve, duke lëshuar deri tani diploma te paligjshme, gjë e cila universiteteve private u është kërkuar me ngulm nga agjencitë e MAS. Universitetet shtetërore tashmë duhet të mendojnë të jenë më efecientë dhe zërat të cilët folën për rritje të çmimit të shkollimit në universitetet shtetërore ju dha fund vendimi i menjëhershëm i qeverisë për të rritur kuotat e pranimit por pa ndryshuar çmimin. Mbase ka ardhur koha që universitetet shtetërore të kthehen në konkurrentë të denjë në tregun e arsimit të lartë duke u shkëputur nga inefiçenca dhe kokëfortësia dhe burokracia. Por asgjë sa u tha më lart nuk do të thotë se favorizon universitetet private të cilat gjenden përpara një zgjedhjeje me tre opsione për t’u administruar si:
- Institucione publike,
- Institucione private fitim-prurese
- Institucione private jo fitim-prurese
duke zgjedhur një nga opsionet e mësipërme universitetet private janë të “ftuara” të varen ose jo nga aksesimi i fondeve publike të akorduara për zhvillimin e kërkimit shkencor, aty ku është vënë dhe theksi i këtij ligji. 3-Të kesh kontroll mbi gjithçka s’do të thotë të dish gjithçka E thënë thjesht, ndryshimi i statuseve të universiteteve shqiptare, si shtetërore edhe atyre private në institucione të arsimit të lartë të pavarura lidhet më mënyrën se si këto institucione do të ndërvaren nga MAS dhe agjencitë e saj. Nëse do para, vil nga studentët, e nëse do për kërkim shkencor, ndiq prioritetet strategjike që në kemi të miratuara dhe prano kushtet e MAS. Kjo është në mënyrën më të thjeshtë varësia ose mos varësia mes universiteteve në të ardhmen dhe MAS. Në këtë mënyrë duket sikur do të kemi një sektor shtetëror të arsimit mjaft të fuqishëm i cili do të komandojë zemrën e zhvillimit akademik dhe shoqëror, kërkimin shkencor dhe gjithçka që lidhet me të. Me një seri institucionesh të tjera e agjencish MAS do të luaje rolin e gardianit të sistemit dhe njëkohësisht ruajtjen e cilësisë së lartë duke i dhënë pushtet vetes për të kontrolluar, ndryshuar, aprovuar ose hedhur poshtë atë çka ajo quan të saktë. Nëse pranojmë në të dorëzohemi pa kushte të paktën duhet të presim që qeverisemi nga më të mirët, qeverisemi nga më të drejtët, pra gardianët janë vizionarët të cilët e kuptojnë dhe bëjnë gjithçka në emër të cilësie. Koha ka treguar se një pushtet i tillë keqpërdoret, pavarësisht se sa i mirë apo modern është sistemi, qeveritë dinë gjithmonë se ta rrisin pushtetin e tyre dhe ky ligj është një mënyrë për ta komanduar arsimin e lartë që është jo vetëm një “thes i majmë me para” por mbi gjithçka është “një thes i majmë me dituri” ku varte fati i cilësisë së shoqërisë. Në përfundim, eksperienca na ka mësuar se mbi kokë nuk kemi asnjëherë cilësinë e personave të cilët mund të garantojnë standarde cilësore të larta. Kemi parë se si sistemet dhe pushteti janë përdorur për të rritur hegjemoninë e kontrollit. I fundit që mbetet për t’u shprehur mbetet Presidenti i Republikës i cili përpiqet të dëgjojë “të gjitha kambanat” përpara se të dekretojë këtë ligj. Një sistem si ky i propozuar në ligj do të kërkonte gardianë të pa kompromentueshëm ruajtës dhe garantues të cilësisë, gjë që ne nuk e kemi. Referenca: http://www.arsimi.gov.al/al/newsroom/deklarata-per-shtyp/ligji-i-ri-i-arsimit-te-larte-dhe-kerkimit-shkencor-me-shume-cilesi-per-universitetet&page=1 http://www.arsimi.gov.al/al/newsroom/deklarata-per-shtyp/projektligj-i-ri-per-arsimin-e-larte-me-gjitheperfshirje-duke-siguruar-autonomi-pergjegjshmeri-dhe-transparence&page=1 http://www.shekulli.com.al/p.php?id=235995 http://www.panorama.com.al/studentet-proteste-para-qeverise-kunder-ligjit-te-ri-te-arsimit-terhiqu-ndryshe-do-bejme-revolucion/ http://www.telegrafi.com/lajme/nishani-takon-sot-profesoret-per-arsimin-e-larte-78-14721.html