
Sokol KONDI, MSc
1- Çamët anti-çamë dhe kali shqiptar i Trojës brenda Shqipërisë
Klima e fragmentarizuar, bipolarizmi dhe atutoritarizmi politik i kanë sjellë dëme të pariparueshme Shqipërisë në 26 vitet e fundit për sa i takon interesave madhore kombëtare.
Fjala bie, një çështje kombëtare sikurse është ajo e Çamërisë, është keqpërdorur për politika ditore dhe interesa lokale politike, në emër të një oreksi të vogël dhe konsumi të brendshëm, që u shërben vetëm kolltukofagëve, por kurrësesi vetë çamëve ndër breza.
Një rast i pastër për ta ilustruar këtë është qasja anti-çame e partisë çame (PDIU) në Shqipëri, e cila instrumentalizoi për kapital politik një ngjarje me përmasa ndërkombëtare, e cila nga faktor favorizues për çamët, u kthye si boomerang tërësisht kundër interesave të tyre, vetëm nga politizimi që i bëri partia e mësipërme me nuanca të pastra nacionaliste.
Duke i vënë në gojë një komisioneri të lartë të BE-së fjalë që nuk i kishte thënë, PDIU do të shprehej me tone triumfi se çështja çame po njihej për herë të parë ndërkombëtarisht edhe nga BE-ja.
Kjo e fundit, në fakt ishte shprehur vetëm se mbështeste zgjidhjen e çështjeve dypalëshe që janë në diskutim mes Shqipërisë dhe Greqisë, pa i bërë asnjë referim çështjes çame.[1]
Kaq mjaftoi që Athina zyrtare të reagonte me tone të ashpra, si ndaj vetë BE-së, ashtu edhe ndaj Shqipërisë.
Puna shkoi deri aty, sa vetë ministri i jashtëm grek, të përmendte forcën më të madhe që ka vendi i tij, krahasuar me Shqipërinë. [2]
Duhet thënë se deri pak kohë më parë, edhe pse çështja çame ishte “Rifutur” në paketën dypalëshe të bisedimeve mes Shqipërisë dhe Greqisë, askush nuk kishte guxuar që ta mohonte apo ta kundërshtonte kaq fort dhe në nivele kaq të larta.
Reagimet mohuese greke zakonisht i ishin lënë zyrtarëve të rangjeve dytësore në ministrinë e Punëve të Jashtme helene.
U desh ndërhyrja destruktive e vetë çamëve politikë, që gjithçka të merrte për keq.
Roli moderues apo ndërmjetësues i ministrisë së Punëve të Jashtme shqiptare në këtë mes ka qenë inekzistent. Ligji i ri për shërbimin e jashtëm, i hartuar nga vetë MPJ dhe i miratuar në Parlament një vit më parë, parashikon se autoritetet e larta shtetërore, nuk mund të mbajnë qëndrime të politikës së jashtme pa marrë më parë miratimin e MPJ.
Mirëpo, Shpëtim Idrizi, aleat i qeverisë dhe nënkryetar i Parlamentit, me qëndrimet e tij që preknin politikën e jashtme të Shqipërisë në Kuvend dhe jo vetëm, zor se do të ketë pyetur ministrin Bushati përpara se t’u jepte një goditje fatale bisedimeve diplomatike, duke e shtruar gjithçka në planin nacionalist.
Ndërkohë që vetë MPJ nuk u shpreh për këtë çështje dhe mbajti një qëndrim tërësisht jo-aktiv publikisht, qoftë edhe përbri kërcënimeve të Greqisë me bllokimin e negociatave për anëtarësim e Shqipërisë në BE, stafetën e situatës në dorë e mori një tjetër aktor i rëndësishëm shtetëror shqiptar, i cili gjithashtu, sikurse partia çame, me sa duket kishte një axhendë të tijën, krejt të ndryshme nga ajo e qeverisë shqiptare, përballë palës greke.
Në fakt, ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, u zu krejt në befasi gjatë vizitës së kryetarit të Parlamentit Shqiptar në Greqi, në mesin e kësaj krize të re.
Ilir Meta shkoi edhe më tej se Idrizi, kur gjatë vizitës së tij u shndërrua në avokatin e fqinjëve[3]. Edhe pse në programin e qeverisë shqiptare, çështja çame është e shkruar për herë të parë në këto 26 vjet e zezë mbi të bardhë, Ilir Meta do të shprehej se për këtë çështje ka dy qëndrime të ndryshme.
Nga një përfaqësues i shtetit shqiptar, që prezumohet së bën interesat e shtetit të vet, do të pritej që të fliste vetëm në emër dhe për qëndrimin e shtetit që përfaqëson. Por ja që Meta parapëlqeu të fliste edhe për qëndrimin e shtetit grek, duke i bërë avokaturë këtij të fundit dhe duke pranuar se ka një qëndrim personal, të ndryshëm nga ai i qeverisë shqiptare për çështjen çame.
Kur MPJ nuk guxoi që të mbante në kontroll Idrizin, kuptohet qartë se sa më të vështirë e ka që t’i diktojë interesin kombëtar të Shqipërisë Ilir Metës.
Greqisë i shkon shumë për shtat kjo situatë. Nga njëra anë një parti nacionaliste që gulçon eufori të palogjikshme, nga ana tjetër një kryetar parlamenti që nuk është dakord me qëndrimin e qeverisë së tij, por pranon se ka edhe një qëndrim tjetër. Dhe së fundi, një diplomaci shqiptare, që s’di kujt t’ia prishë e kujt t’ia ndreqë brenda, dhe që për shkak të kësaj kthehet në rolin e shurdh/memecit jashtë, në marrëdhëniet direkte dypalëshe me një vend fqinj.
Një skenë e tillë e përçarë politike, ka qenë shkaku kryesor në këto 26 vite që i ka lejuar Greqisë që të bëjë ç’të dojë në Shqipëri, në dëm të interesit kombëtar shqiptar.
Çështja e Çamërisë nuk ka rreshtur kurrë së qeni në axhendën e Shqipërisë, qoftë edhe në kohën e komunizmit, kur kontaktet mes dy vendeve ishin të rralla. Ajo u rihap në vitin 1992 me një frymë mjaft konstruktive, sikurse kanë kujtuar së fundmi edhe diplomatët shqiptarë të kohës[4].
Por sindroma e vitit zero, pra ajo sikur çështjet nuk kanë ekzistuar kurrë dhe po nisin sot, ka qenë tipike e qeverive të kaluara shqiptare, që nuk e kanë patur kurrë në axhendë çështjen çame që nga 1992-shi e më pas, si dhe nga ana e politikanëve të korruptuar e puthadorë, të cilët duke bërë koncesione për të huajt me pasuritë kombëtare, kanë arritur të sigurojnë të qetë sundimin e tyre të brendshëm.
Vërtet Kalin e Trojës e shpikën grekët, por disa shqiptarë sot po e luajnë më mirë këtë rol, kundër vendit të tyre. Afrimiteti i Metës me Janullatosin nuk ka nevojë për shumë sy për t’u parë e ditur. Ndoshta një nder i bërë vite më parë kur Meta ishte kryeministër, me dhurimin e një lulishteje në Tiranë në favor të Kishës Ortodokse me drejtim grek, mund të jetë zanafilla e kësaj miqësie të fortë.
Që pas këtij favori, që duket se do të jetë larë me ndonjë favor tjetër nga pala greke, Ilir Meta nuk e ka ngritur kurrë çështjen çame, as kur ka qenë Kryeministër, as kur ka qenë ministër i Jashtëm dhe nuk iu ndie zëri as kur si aleati kryesor i qeverisë Berisha, Greqisë iu bë një tjetër dhurim edhe më i madh, ai i detit, që edhe pse Gjykata Kushtetuese e ka rrezuar, Greqia vazhdon ta quajë me akte konkrete si punë të mbaruar.
Kjo situatë me role të konvertuara e filmit “300”, ku spartani gungaç, pasi nuk u pranua nga të tijët për paaftësi, u shit te persianët dhe spiunoi e luftoi kundër bashkështetasve të vet, kësaj here është në favor dhe jo kundër Greqisë.
2 – Rënia e dronit dhe ngritja e europianizmit në Beograd
Vizita e fundit e Edi Ramës në Beograd shkaktoi si zakonisht mjaft polemika. Por kësaj here jo sa i takon marrëdhënieve Shqipëri-Serbi, sepse kritikat mbërritën nga Kosova.[5]
Shteti fqinj, që e ka falenderuar gjithnjë Shqipërinë për lobimin dhe kurimin e interesave që i ka bërë, aq sa në shumë vende tashmë konsullatat e përbashkëta Shqipëri-Kosovë po kthehen në diçka normale, kësaj here kundërshtoi faktin që Edi Rama u përpoq të ndërmjetësonte edhe dialogun Kosovë-Serbi.
Në fakt, më tepër se sa një reagim në emër të Kosovës si entitet shtetëror, ky reagim tingëlloi si një xhelozi e vogël dhe kalimtare për përmirësimin e marrëdhënieve të Nënës Shqipëri me “armikun” serb.
Në Kosovë, klasa politike dhe të tjerët ishin të përgatitur të pranonin një Nënë Shqipëri që e prin kombin në ballë duke ngritur në qiell drone provokuese të mbingarkuara me nacionalizëm.
Shqipëria e moderuar e gjuhës së dialogut me fqinjin dikur armik, është një kapërcim dhe tejkalim i fazës populisto/nacionaliste dhe i vendosjes së pjesës së mbetur të Ballkanit në rrugën e pajtimit dhe të europianizimit përfundimtar.
Do të duhet pak kohë që të ulim dronin dhe të ngremë dialogun vëllazëror mes popujve për kaq shekuj të armiqësuar.
Kosova do ta kuptojë që nuk ka rrugë tjetër dhe do t’i duhet të ndjekë hapin e Shqipërisë herët a vonë.
[1] Reagimi i BE-së pas tymnajës për çështjen çame. http://www.mapo.al/2016/09/ceshtja-came-pergjigjia-e-brukselit-pas-reagimit-te-ashper-grek-dialogoni/1
[2] Kotzias tregon “muskujt”. http://m.top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=338037
[3] Meta në rolin e avokatit të Greqisë http://www.balkanweb.com/site/meta-per-varrezat-greke-do-te-rimblidhet-komisioni-i-perbashket-per-kete-ceshtje/
[4] Mbi “rikhtimin” e çështjes çame, http://www.revistamapo.al/kur-athina-firmoste-varrezen-e-partizaneve-came-ne-greqi/
[5] Kosova kundërshton tutelën e Shqipërisë, http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=337900