
Megi LLUBANI, MSc
Kultivimi i drogës – mes shifrave të Ministrisë dhe raportimit në media
Qeveria aktuale garoi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 me premtimin se do të luftonte krimin e organizuar, e vecanërisht në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Në përmbyllje të vitit të fundit të mandatit aktual qeverisës të Partisë Socialiste vlen të rivizitohet ky premtim dhe të ballafaqohet me realitetin ne terren.
Së pari, në programin e saj PS-ja premton hartimin e Strategjisë së re dhe Planin e Veprimit kundër krimit të organizuar, kur në fakt strategjia ndërsektoriale porsa ishte miratuar në korrik të vitit 2013. Ndërkohë, qeveria e re premtonte miratimin e saj brenda vitit të parë. Së dyti, aksioni më i madh i Policisë së Shtetit në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike ishte ndërhyrja në fshatin e Lazaratit, që u konsiderua në atë kohë si arritja më e madhe në eliminimin e këtij fenomeni që ka pushtuar pothuajse gjithë vendin. Ndërkohë që Ministria e Punëve të Brendshme vazhdimisht raporton për sekuestrim dhe djegie të lëndëve narkotike në zona të ndryshme të vendit, raportime nga media shqiptare dhe të huaja paraqesin një panoramë krejt ndryshe të situatës aktuale.
Sipas Rpaortit Ndërkombëtar të Kontrollit të Narkotikëve të Departamentit të Shtetit sasia e narkotikëve të kultivuar dhe kapur nuk duket se ka rënë. Sipas raportimeve të BIRN, pandëshkueshmëria është një prej arsyeve përse kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike vijon në Shqipëri, duke bërë jehonë edhe në media ndërkombëtare si një prej vendeve kryesore eksportuese të lëndëve narkotike në vendet e Bashkimit Evropian. Më problematik është fakti që vetë ministria tregohet përzgjedhëse në shifrat që ofron dhe raportet të cilave u referohet. Për shembull, në datë 7 tetor ministria publikon një video që i referohet raportit të Guardia di Finanza për avancimin e bërë në luftën kundër narkotikëve. Në fakt, vetë raporti nuk është i aksesueshëm dhe raportet e përmendura më sipër nuk figurojnë gjëkundi në mediumet e ministrisë. Njëanshmëria e treguar në raportimin e sukseseve dhe dështimeve në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike është një tjetër tregues i propagandës fort të preferuar të kësaj qeverie për të shitur dështimet si suksese.