![Elena Pici, MSc](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/02/Elena-300x300.jpg)
Elena Pici, MSc
1-Rritje pagash në horizont: si dhe pse?
Lajmi më i mirë dhënë nga qeveria këtë muaj ka qënë planifikimi për të akorduar një fond prej 100 milionë dollarë për rritjen e pensioneve dhe pagave të administratës. Respektivisht, fondi për pagat do të jetë 70 milionë dollarë duke shënuar një rritje mesatarisht 10%, ndërsa fondi për pensione do të jetë 30 milionë dollarë duke shënuar një rritje mesatarisht 3%[1]. APPA ka rekomanduar vazhdimisht për rritjen e pagave në administratën publike (mbështetur dhe në sugjerimet e organizatave ndërkombeëare të specializuara si FMN) duke qënë se këto paga kanë qënë ‘të ngrira’ gjatë tre viteve të fundit dhe kjo ka ndikuar negativisht në fuqinë blerëse. Pavarësisht se sipas INSTAT pagat për vitin 2014-2015 janë rritur me 2.2%, kjo rritje ka qënë një mesatare që kryesisht ka ardhur si pasojë e rritjes së pagave të policëve, por jo pjesës tjetër të administratës. Për pjesën tjetër të administratës jo vetëm që nuk ka pasur rritje pagash por po të llogarisim dhe inflacionin rezulton që realisht paga te jetë zvogëluar – pra, ajo që punonjësi i administratës mund të blejë realisht me njëjtën pagë të pandryshuar këto vite kanë qënë më pak sende/shërbime për shkak të rritjes së inflacionit.
Pavarëisht se deklarata është bërë gjatë javëve të fundit të muajit Tetor, më shumë mundësi vendimi i qeverisë do të hyjë në fuqi me buxhetin 2017. Nga ana qeverisë kjo rritje e pagave dhe pensioneve është rezultat i suksesit të reformave të cilat po japin frytet e para. Megjithatë ka spekulime që qeveria ka pasur mundësinë të rrisë pagat dhe pensionet edhe më parë, por ky vendim vjen tani që jemi në prag të vitit elektoral 2017. Në cilido skenar, edhe nëse vendimi ka qënë i vonuar, në gjykimin tonë kjo rritje pagash dhe pensionesh mbetet pozitivë.
Një çështje e rëndësishme që pason dhe që mund të ndikojë në pozitivitetin e rritjes së pagave të administratës, është mënyra e financimit të kësaj rritje pagash. Një vendim tjetër paralel që pritet të marr qeveria është rritja e pagës minimale me rreth 35% nga 22.000 lekë në 30.000 lekë. Mes rreshtave, Ministri i Financave Ahmetaj tha se rritja e pagës minimale të taksueshme do të përdoret për të financuar rritjen e pagave të sektorit publik. Parimisht sikur kjo të aplikohej sipas ligjit do të ishte pozitive si një politikë ri-shpërndarje për shtresat e më pak të paguara. Themi ri-shpërndarje sepse konsumi final nuk pritet të ndryshojë, pasi paratë vetëm sa kalojnë nga sektori privat në atë publik dhe paratë që qarkullojnë ngelen të njëjtat. Gjithsesi siç u përmend më sipër kjo do të ndodhte sikur ligji të aplikohëj siç duhet. De facto z. Erebara[2] argumenton që kjo situatë mund të çojë në përkeqësim të situatës për kategorinë e punonjësve më pak të paguar, meqënëse në realitet ata shumë pak herë paguhen me pagën minimale por nga ana tjetër taksohen dhe paguajnë sigurime shoqërore dhe shëndetsore mbi ata shumë. E shpjeguar në terma konkretë, ekonomia informale bën që psh. një punonjës i pages minimale që bruto i takojnë 22.000 lekë, në realitet shumë biznese i paguajnë vetëm 15.000 leke, ndërkohë që tatimet dhe sigurimet i mbahen mbi shumën 22.000. Me situatën e re mund të ndodhë që kjo kategori punëtorësh të vazhdojë të marr po 15.000 lekë por të taksohet për 30.000 lekë. E gjitha kjo do të varet nga sa fuqi de facto do të ketë implementimi i ligjit. Një kategori tjetër që pritet të preket kjo mënyrë potenciale financimi janë të vetëpunësuarit, nëse edhe atyre do t’u rriten sigurimet shëndetsore dhe shoqërore me 35% për të financuar rritjen e pagave në administratë. Një alternativë tjetër financimi do të ishte marrja e borxhit, por borxhi publik tashmë është ndjeshëm më i lartë seç duhej. Pra, të gjitha këto mënyra financimi nuk duken të përshtatshme për të mbështetur rritjen e pagave, sadoqë vendimi për t’i rritur ato është pozitiv.
Megjithatë, në një konferencë organizuar më 28 Tetor, Kryeministri Rama I hodhi poshë të gjithë spekulimet e mësipërme duke deklaruar se qeveria e ka shumën prej 100 milionë dollarë që pritet të investojë dhe prandaj nuk do preket borxhi publik. Përkundrazi, borxhi publik pritet të ulet në vitet në vijim dhe kjo u konfirmua edhe nga Governatori Sejko, i cili u shpreh pozitivë për 3 vitet në vijim. Mbetet për t’u pritur vendimi zyrtar për rritjen e pagave dhe pensioneve për t’u bërë më i qartë dhe financimi i këtij proçesi.
2 – Një skenar që vazhdon: defiçiti në të ardhura dhe shpenzime
Defiçiti në të ardhura që shënoi muaji Gusht dhe që ne ia adresuam apatisë verore, në fakt ka vijuar edhe në muajin Shtator.
Sipas treguesve fiskalë të publikuar nga Ministria e Financave për 9-mujorin e parë të vitit, të ardhurat e buxhetit të shtetit janë 298.1 miliardë lekë, duke krijuar një deficit prej 7.2 miliardëve në krahasim me planin fillestar 2016 si dhe një deficit prej 4.5 miliardë lekësh në krahasim me planin e rishikuar të të ardhurave të muajit gusht.[3] Të ardhurat e qeverisë qenë më të ulëta se sa plani në të gjitha zërat kryesorë, përfshirë të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar, nga akcizat, taksat nacionale etj. Të ardhurat qenë më të larta se sa plani në zërin e Tatimit mbi Fitimin apo të ardhurat nga pushteti vendor. Të ardhurat nga sigurimet shoqërore e shëndetësore patën një deficit të vogël në krahasim me planin.[4]
Ndërsa deficiti në të ardhura është krahasimisht më i ulët këtë vit se sa vitin e kaluar, problemi më i madh gjatë gjithë këtij viti vazhdon të jetë mungesa e investimeve. Për periudhën janar-shtator 2016, buxheti i shtetit ka një sufiçit prej 10.5 miliardë lekë, ndërkohë që ishte planifikuar një deficit i përgjithshëm prej 35.7 miliardë lekësh. Qeveria e argumenton këtë situatë me bllokimin e punimeve në rrugë kryesore si: autostrada e Fierit, Vlores dhe ajo Tiranë – Elbasan, për shkak se firmat sipërmarrëse kanë probleme më nënkontraktorët e tyre. Megjithatë ky nuk duhet të jetë një justifikim pasi ndikon në rigjallërimin e ekonomisë dhe për këtë edhe Banka e Shqipërisë i ka tërhequr vëmendjen qeverisë. “Banka e Shqipërisë gjykon se një shpërndarje më e njëtrajtshme e shpenzimeve buxhetore gjatë vitit, do të përmirësonte efektivitetin e tyre dhe do të reduktonte luhatjet në treguesit ekonomikë e financiarë,” tha Sejko në konferencën për shtyp të 5 tetorit.
[1] Gazeta Tema. Tetor 2016. Zbardhet plani i qeverise per paga dhe pensione. http://ëëë.gazetatema.net/ëeb/2016/10/16/zbardhet-plani-i-qeverise-per-pagat-dhe-pensionet-sa-do-rriten/
[2] Gj. Erebara. Tetor 2016. Rritjave e pageve – mungesa e seriozitetit per buxhetin dhe borxhin http://ëëë.reporter.al/rritja-e-pagave-mungesa-e-seriozitetit-per-buxhetin-dhe-borxhin/
[3] Ministria e Financave. Tetor 2016. Treguesit fiskalë të 9-mujorit. http://ëëë.financa.gov.al/al/neësroom/lajme/treguesit-fiskale-te-9-mujorit-2016&page=1
[4] Reporter.al. Tetor 2016. Shatori thellon defiçitin në të ardhura. http://ëëë.reporter.al/shtatori-thellon-deficitin-e-te-ardhurave-te-qeverise/