1- AKBN vs. Bankers Petroleum: Gjysmë tentativa që zhyt vendin në një tjetër gropë detyrimesh!
Bankers Petroleum është kompania që prej 13 vitesh shfrytëzon disa nga burimet natyrore të vendit tonë. Në një kontratë koncesioni të vitit 2004, Bankers mori përsipër të investojë një shumë prej 1.7 miliardë dollarësh në impjantet dhe infrastrukturën e nevojshme për nxjerrjen e naftës në zonën e Patos-Marinzës dhe zona të tjera të pasura me burime nafte. Kontrata fillestare ishte e tillë që ndonëse Bankers duhet të paguante për arkën e shtetit një tatim prej 50% mbi fitimin, kjo pagesë do të bëhej vetëm pasi kompania të kishte rikuperuar investimin fillestar. [1]
Duket sikur gabimi i qeverisë shqiptare lind që në përcaktimin e kushteve të kontratës, pasi ashtu siç edhe BIRN shpjegon për shkak të rënies së çmimeve të naftës në tregun botëror, Bankers nuk do e kalojë kurrë me fitim neto investimin fillestar, duke i dhënë arkës së shtetit 0% tatime.[2]
Por tatimi mbi fitimin nuk është i vetmi mjet të cilin Bankers, një nga kompanitë me fitimin më të lartë në vend, e përdor për të luajtur me qeverinë.
Në vitin 2014, Agjensia Kombëtare e Burimeve Natyrore akuzoi Bankers se frynte në mënyrë fiktive shpenzimet për të përfituar zbritje në tatimin mbi fitimin. Si pasojë e kësaj, Bankers i takonte të paguante 57 milionë dollarë në formën e tatimit mbi fitimin. Pasi qeveria i bllokoi llogaritë duke i shkaktuar kështu humbje për shkak të ndërprerjes së aktivitetit tregtar, kompania u detyrua të paguante me këste detyrimin deri në momentin kur të dyja palët pajtuan një auditues ndërkombëtar për të vërtetuar nëse pretendimi i qeverisë ishte i vërtetë apo jo. Deri në këtë moment detyrimi i paguar me këste nga ana e Bankers arriti në shumën 37 milionë dollarë. Por duke qenë se vendimi i audituesit rrëzoi pretendimet e qeverisë dhe i dha të drejtë Bankers Petroleum, tashmë qeveria jo vetëm që përfiton nga tatimi mbi fitimin, por është e detyruar t’i paguajë kompanisë 37 milionë dollarët, të cilat kjo e fundit i pagoi me këste për shkak të bllokimit të llogarive.
Edhe pse në këtë rast qeveria shqiptare kishte të drejtë në pretendimet e saj, përfundim në të cilin arriti edhe paneli i ekspertëve të cilët realizuan auditimin, sërish AKBN dështoi të mbronte interesat e vendit. Kjo sepse ashtu siç thekson dhe paneli i ekspertëve nga dokumentat e siguruara për BIRN, AKBN nuk duhej të mjaftohej me identifikimin e problemeve në procedurat e prokurimit, por duhej të vërtetonte se këto shkelje kishin shkaktuar dëm për interesat e Shqipërisë dhe të ngrinte pretendime mbi dëme të vlerësuara. Vonesa dhe dështimi i grupit që analizoi fillimisht bilancet e kompanisë, jo vetëm që nuk rezultuan në mbledhjen e tatimit të papaguar, por sollën si rrjedhojë edhe një tjetër detyrim kolosal në shumën 37 milionë dollarë. Kjo sagë tentativash nga ana e qeverisë, tashmë do vazhdojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit dhe neve na mbetet vetëm të presim vendimin përfundimtar![3]
2- Beteja kundër HEC-eve në Valbonë: Pas disa muajsh, ministri më në fund reagon
Prej disa muajsh pas publikimit të planeve të qeverisë për të ndërtuar 14 HEC-e mbi Lumin Valbonë, shoqëria civile, aktivistë të ndryshëm dhe banorët e zonës kanë reaguar ashpër kundër këtyre planeve. Me argumentin se digat rrezikojnë të shkatërrojnë luginën, e cila është e mbrojtur dhe gëzon statusin e parkut kombëtar, është kërkuar ndërprerja e projekteve.
Nga ana tjetër, BIRN shkruan se tre kompanitë koncesionare “Tplan,” “Valbona Energy Company” dhe “Gener2”- i hedhin poshtë akuzat, duke pretenduar se jo të gjitha projektet janë brenda zonës së mbrojtur të parkut kombëtar, si dhe shprehen se ato janë hartuar për të pasur një ndikim sa më të vogël në mjedis.[4]
Por, kur vetë kompanitë pranojnë në mënyrë të pjesshme planet e tyre, vetë ministri Gjiknuri jep një deklaratë duke qenë tërësisht jashtë linje me to. Në një tentativë për të përgenjështruar lajmet, në faqen zyrtare të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë u publikua deklarata që i pretendonte këto lajme si të pavërteta.[5]
“…në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë është depozituar një aplikim nga subjekti “Shpresa-al” shpk, për ndërtimin e një HEC-i me kapacitet prodhues 2 MË.
Aplikuesi kërkon të ndërtojë “HEC Geghysenin” në pellgun ujëmbledhës të burimeve të përroit të madh, degë e lumit Valbona, në Bashkinë Tropojë, në Qarkun Kukës. Është qartësisht e kuptueshme se nuk ka të bëjë me Parkun e Valbonës dhe as nuk ndodhet në Valbonë ndryshe nga sa pretendohet në artikuj. Gjithsesi, në çdo rast bëhet fjalë për një aplikim nga subjekti privat dhe jo një vendimmarrje nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë”, shkruhet në të.
Pra sipas ministrit projekti i HEC-eve nuk ndodhet në Valbonë, ndërsa sipas skemës hidroenergjitike për nëntë prej HEC-eve të vitit 2010,[6] e cila ndonëse ende në fazën e fizibilitetit, paralajmëron ndërtimin e HEC-eve mbi lumen e Valbonës dhe përrenjve që derdhen në këtë lumë.
[1]Artikull, Reporter.al, http://www.reporter.al/akbn-vendos-te-shkoje-ne-arbitrazh-per-bankers/
[2] Energjia.al, http://www.reporter.al/akbn-vendos-te-shkoje-ne-arbitrazh-per-bankers/
[3] Njoftim në faqen zyrtare të Agjensisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, http://www.akbn.gov.al/akbn-vendos-ankimimin-e-vendimit-te-eksperteve-nderkombetare-per-ceshtjen-bankers/
[4] Artikull, Reporter.al, http://www.reporter.al/lufta-per-zemren-blu-te-alpeve-shqiptare/
[5] Deklaratë për shtyp, MEI, http://www.energjia.gov.al/al/njoftime/deklarata-per-shtyp/pergenjeshtrim-ndaj-artikujve-te-publikuar-ne-disa-media&page=1
[6] Skema hidroenergjitike për nëntë prej HEC-eve që do ndërtohen mbi lumen Valbonë, faza e fizibilitetit, http://www.reporter.al/ëp-content/uploads/Projekti-i-plote.pdf