![Flutura Gjana](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/1fgh-e1433254384195.jpg)
Flutura Gjana
- Parathënie
Për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, bazuar në informacionin që ka vënë në kanalet e saj zyrtare, duket që puna kryesore për muajin tetor ka qenë publikimi i artikujve nga website-i www.transparenca.al . A thua se detyra e këtij institucioni është të informojë publikun për përgjigjet që i ka dhënë qeveria Rama, akuzave të opozitës.
- Koncesioni i hekurudhës Fier – Ballsh – Vlorë
20 vitet e fundit sistemi hekurudhor është lënë pas dore, së fundmi duket sikur po hidhen hapat e parë në zhvillim të këtij sektori. Agjencia e Prokurimit Publik ka marrë vendimin të japë me koncesion, për një periudhe prej 25 vjetësh rehabilitimin e segmentit hekurudhor Fier – Ballsh dhe Ballsh – Vlorë. Fitues të këtij koncesioni u shpallën dy kompanitë “Alb-Star” sh.p.k. dhe “Matrix Konstruksion” sh.p.k. Ky investim e ka vlerën 2.4 miliardë lekë ose rreth 20 milionë USD dhe Segmenti hekurudhor do të shfrytëzohet për të transportuar naftën nga rafineritë e Ballshit dhe Fierit në parkun industrial të Vlorës, “Petrolifera”.
Sipas të dhënave të publikuara pritet që numri i pasagjerëve që do të shfrytëzojnë këtë segment hekurudhor të jetë 307 mijë në vit dhe sasia mesatare e transportuar e mallrave / mineraleve pritet të jetë 2.5 milionë tonë në vit. Shifra këto të ’’çuditshme’’, sidomos ajo e numrit të pasagjerëve. Me një llogaritje të thjeshtë sipas të dhënave të mësipërme del që segmenti hekurudhor Fier-Vlorë do të shfrytëzohet nga 840 persona në ditë, absurde kjo krahasuar me nevojat dhe kërkesën reale të pasagjerëve. Përmendet gjithashtu transporti i mallrave, çfarë mallrash pritet të transportohen(?), kur akoma nuk është fuqizuar porti i ri në Zvërnec.
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës deklaron që kjo ishte oferta e vetme për këtë projekt. Lind pyetja, kjo ofertë vërtet përmbushte të gjitha kriteret për t’u kualifikuar? Apo mos ndoshta Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës duke qenë në kushtet që kishte marrë një ofertë të vetme u ndje ’’e detyruar’’ të ulë kriteret që janë të mirë përcaktuara nga Agjencia e Prokurimit Publik në dokumentin ’’Dokumentet Standarde të Koncesionarit / Partneritetit Publik Privat për Kontratat e Punëve Civile’’.
Në website-in transparenca.al në lidhje me këtë çështje jepen të dhëna kronologjike lidhur me procedurën e këtij koncesioni. Ndër të tjera citohet se: ’’Në datën 15 shtator 2014 subjekti “Alb-Star” sh.p.k. ka depozituar në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës (MTI) kërkesën për fillimin e procedurave koncesionare, për marrjen me koncesion të së drejtës së vënies në funksionim të rrjetit të transportit hekurudhor në linjat Fier-Ballsh dhe Fier-Vlorë”. Pra rezulton se kompania që ka fituar këtë koncesion është e vetmja kompani e interesuar për të, më shumë se një vit para garës. Si rrallë herë kjo kërkesë nga kompania në fjalë ka kaluar brenda një muaji çdo burokraci që rëndomtë kanë institucionet tona qeverisëse.
- Skandal me Projektin e Kanalizimeve të Tiranës së Madhe
Rreth njëmbëdhjetë miliardë jen japonezë apo rreth 80 milionë euro hua e qeverisë japoneze investim janë humbur për shkak të moszbatimit të marrëveshjes nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës. Ky është investimi më i madh në sektorin e kanalizimeve, për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve dhe përpunimit të ujërave të zeza të qytetit të Tiranës. Bazuar në ligjit, disbursimi përfundimtar i huasë duhet të bëhet jo më vonë sesa e njëjta ditë dhe muaj(4 gusht, 2008), 7 vjet pas datës së hyrjes në fuqi të marrëveshjes. Pra afati i kontratës 7-vjeçare ka mbaruar më 4 gusht të këtij viti, por realizimi i këtij projekti nuk ka ndodhur. Thuhet se disbursimi i kredisë së miratuar është realizuar vetëm deri në masën 35%, pra 65% e fondeve të kësaj kredie janë akoma të pa konsumuara. Por edhe pse ministria deklaron se 35 për qind e huasë është tërhequr, nuk jepen detaje të këtyre shpenzimeve. Në terren nuk shikohet që të jetë realizuar as 1 e treta e këtij projekti. Deri më tani ka përfunduar vetëm faza e mobilizimit të kantierit dhe vënia në punë e impiantit të prodhimit të betonit.
Siç parashikohet në projekt akoma nuk është ndërtuar kolektori kryesor që fillon që nga ura e Shkollës Teknologjike deri në Kashar. Ritmet me të cilat kanë ecur punimet e këtij projekti vënë në pikëpyetje mundësinë e realizimit të tij. Kontraktuesja e kësaj huaje është Ministria e Transportit e cila akoma nuk ka dhënë asnjë deklaratë lidhur me këtë çështje. Asaj i duhet të ri negociojë për huanë, normën e interesit si dhe kushtet e shlyerjes së saj në qoftë se do të realizojë këtë investim që është parashikuar t’i shërbeje 350 mijë banorëve të kryeqytetit.
Referenca:
- Artikull: Albstar merr me koncesion hekurudhën Fier – Ballsh dhe Fier – Vlorë, investimi 20 mln USD
http://www.monitor.al/albstar-merr-me-koncesion-hekurudhen-fier-ballsh-dhe-fier-vlore-investimi-20-mln-usd/ - Artikull: Njoftimi për shtyp për hekurudhën Fier-Ballsh-Vlorë
http://www.transporti.gov.al/al/newsroom/njoftime/njoftimi-per-shtyp-per-hekurudhen-fier-ballsh-vlore&page=1 - Artikull: Për koncesionin e hekurudhës
http://www.transparenca.al/category/post/Transparenca/217/liliana-elmazi-pr-koncesionin-e-hekurudhs - Video: Debate për borxhin japonez të kanalizimeve të Tiranës
https://www.youtube.com/watch?time_continue=10&v=IzYjXC0KDH8 - Artikull: Projekti i Kanalizimeve të Tiranës së Madhe
http://www.dpuk.gov.al/projekt.php?lang=1&idp=21