![Blerina Llalla](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/Blerina-Lalla.jpg)
Blerina Llalla
1- Reformë ose reformë
Përgjatë muajit tetor nga Ministria e Inovacionit dhe Administratës Publike vijon të flitet sërish e sërish sikurse gjatë gjithë këtij viti çdo muaj. Në daljen e radhës mbi konkurset e Administratës publike Ministrja Harito rithekson progresin e bërë si pasojë e reformës në administratë, lajm të cilin mund ta gjeni dhe në faqen zyrtare të MIAP ku thuhet se: Reforma në AP është prioriteti kryesor i Qeverisë Shqiptare si një nga kushtet në Procesin e integrimit Europian dhe si e tillë ka marrë vëmendje maksimale në realizimin e saj. Mbi çfarë Kriteresh? Dhe a kemi statistika konkrete që të pasqyrojnë këtë progres apo raporte specifike?
Këto reforma mbeten një sfidë e vërtetë jo vetëm për aktualitetin por për çdo qeveri, duke qenë se vendet e punës nuk prodhohen por thjesht mund të zëvendësohen nëpunësit ose pakësohet numri I vendeve të punës, (sidomos në kushtet e zhvillimit të teknologjisë)
Duke folur për procedurat e konkurrimit ministrja Harito ka nënvizuar: “I gjithë procesi i konkurrimit është totalisht i konsoliduar tashmë dhe unë falënderoj DAP, që ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe voluminoze, për të ngritur këtë sistem. Sepse ju e dini që ne ligjet i kemi, por ligjet duhet të zbatohen. Dhe ligjet i zbatojnë njerëzit dhe njerëzit duhet të kenë në dorë mekanizma dhe sisteme që të mos tundohen të shkelin ligjin”.
Kush na e garanton transparencën e proceseve të konkurrimit dhe si ushtrohet kontrolli mbi këta zbatues të ligjit dhe komisionet vlerësuese? Kur shumë qytetarë apo komentues në profilet mediatike ku serviren lajmet ankohen për mungesë transparence dhe për diferencime selektive në bazë aktivizmi apo ideologjish politike.
Nga ana e saj Ministrja Gjosha prezente në këtë ngjarje publike e ka vënë theksin te vlerësimet që ka marrë ecuria e deritanishme e reformës në Administratën Publike, e cila pritet të reflektohet edhe në progres-raport. “Reforma në Administratën Publike është prioriteti numër 1 që Shqipëria ka si kusht për hapjen e negociatave. Ne kemi marrë vlerësimet nga partnerët tanë, të cilat jam e bindur që do të reflektohen edhe në progres-raport ku do të thuhet se realisht Shqipëria ka bërë një përparim shumë të madh në përmbushjen e reformës në Administratën Publike. Ne duam të plotësojmë me kapacitete njerëzore, me profesionistë, me ekspertë të mirëfilltë, prandaj gjej rastin që të ftoj të gjithë të rinjtë, të gjithë ata studentë të ekselencës të bëhen pjesë e njësive të integrimit, pasi ne kemi nevojë për ta”, është shprehur ministrja Gjosha në fjalën e saj.
Mbi cilat statistika apo të dhëna vijnë këto deklarata? A kemi realisht një raport kombëtar mbi këtë reformë që ka filluar e s’ka të mbaruar? A s’do të ishte më mirë të prisnim dhe progres-raportin për Shqipërinë ku mund të shohim më konkretisht impaktin e reformës deri në çfarë masë është arritur të përmbushet?
Aktualiteti dhe deklarata nga palë të ndryshme në media tregojnë për një ulje të numrit të të punësuarve në të gjithë vendin sikurse dhe për një reformë me baza e ngjyrime politike apo edhe korruptive, kjo mund të afektojë dhe mungesën e progresit në luftën ndaj korrupsionit impakti i së cilës lidhet drejt për së drejti me proceset e integrimit.
Departamenti i Administratës Publike ka publikuar së fundmi dhe është duke realizuar një numër të konsiderueshëm konkursesh, që lidhen me pozicione pune në strukturat e Ministrisë së Integrimit Evropian. Janë publikuar 33 pozicione pune të nivelit specialist, në të cilat janë regjistruar mbi 1100 aplikime. Prej tyre janë kualifikuar për të marrë pjesë në testim 550 kandidatë. Po ashtu janë publikuar 18 pozicione pune në nivelin e Mesëm Drejtues (Përgjegjës dhe Drejtor), ku janë regjistruan mbi 340 aplikime. Nga këto 58 kandidatë u kualifikuan për të marrë pjesë në testim. Nëse shohim shifrat e aplikantëve dhe vendeve të shpallura në konkurrim kemi të bëjmë me një diference që është treguese e shkallës së lartë të kërkesave dhe nevojës për punësim.
“Ministrja Harito ka theksuar progresin e qartë dhe të prekshëm që është shënuar në reformën në Administratën Publike gjatë dy viteve të fundit. Sipas saj vetëm gjatë vitit 2015 për rreth 800 pozicione pune të lira të shpallura nga DAP kanë aplikuar rreth 16 mijë kandidatë. “Është hera e parë në shumë vite histori të tranzicionin shqiptar që një procedurë fiton këtë besueshmëri te publiku. Është pikërisht ajo që kemi synuar, të vendosim procedura të rregullta, të barabarta për të gjithë dhe që janë të besueshme nga publiku”, është shprehur ministrja Harito në fjalën përpara kandidatëve pjesëmarrës në konkurs.”
Këto vende të shpallura të lira vijnë si rezultat i zëvendësimit të shumë punonjësve aktualë apo janë vende të reja pune?
Edhe këtu, nëse do të shohim në total, shifrat tregojnë shkallën e lartë të kërkesës kundrejt ofertës që shkojnë në dispropocion me deklaratën disi euforike të Ministres pasi në këtë rast nuk mund të flasim për rritje në nivelit të transparencës, nuk është ky matësi i duhur në fjalim. Pasi kur rritet kërkesa për punësim kemi të bëjmë me rënie të nivelit të punësimit. Dhe çdo aplikant i papunë do të aplikojë në kushtet e kërkimit dhe jo besueshmërie publike. Ndaj jemi të mendimit se kjo situatë mund të trajtohej ndryshe. Pasi kur themi se synojmë vendosjen e procedurave të rregullta, të barabarta dhe të besueshme për publikun, jo domosdoshmërisht ke zbatuar një rregull. Sepse sikurse është thënë më sipër ligjet dhe rregullat ekzistojnë por diferenca mbetet tek respektimi dhe aplikimi i tyre me korrektësi, gjë që lë gjithmonë hapësirë për interpretim. Ajo që kërkohet nga çdo qytetar është garancia dhe siguria mbi transparencën e plotë dhe respektimi me rigorozitet i çdo kriteri apo të drejte ligjore. Dhe jo më larg se sot, 28 Tetor 2015, vjen një lajm i tillë: “Të larguarit nga puna letër Kryeministrit Rama”. Nga ku mësohet se Shoqata për mbrojtjen e të larguarve nga administrate i ka dërguar një letër të hapur Kryeministrit Edi Rama, duk i kërkuar të zbresë në terren për të parë situatën e vështirë në të cilën sipas saj, ndodhet populli.
“Zoti Kryeministër, sot po ju drejtohemi ju në emër të mijëra familjeve shqiptare që sot po jetojnë në mjerim të thellë. Kërkojmë nga ju që për një çast të zbrisni në terren, të largoni kompleksin e madhështisë që ju ofron karrigia e kryeministrit, të shihni situatën e vështirë se ku është katandisur nga ju ky vend dhe propaganda që sot po përpiqeni t’ia ofroni këtij populli”, lexohet në letrën e kësaj shoqate.
“Tregu i punës nuk ofron punësim për të papunët që ju i hodhët në rrugë, pasi bizneset nga reformat e kësaj qeverie dita-ditës po mbyllin qepenat. Zyrat e punës që ju na i shitët si dallëndyshet e para të pranverës së “Rilindjes”, që do të sillnin një stinë të re në punësimin e të papunëve, nuk ofrojnë mundësi punësimi. Në emër të mijëra punëkërkuesve të papunë ju bëjmë thirrje se vendi është në emergjencë kombëtare, se kjo varfëri nuk durohet dot më, se lakun shqiptarëve po ja shtrëngoni aq fort sa nuk po munden më as të besojnë se në këtë vend ka qeverisje”.
Mos do të ishte më e drejtë të rishikohej mbivendosja e reformave në vendin tonë për të mos përjetuar një kaos të panevojshëm dhe jo aq produktiv?
Referenca:
http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=311745#k1
http://www.shekulli.com.al/p.php?id=335282