1- Shëndetësia godet sërish!
Gjatë muajit Maj të këtij viti, Ministria e Shëndetësisë hapi një thirrje përmes Agjencisë së Prokurimit Publik, mbi dhënien me koncesion të hemodializës. Fillimisht, u bë publik lajmi se ky shërbim do të jepej me koncesion në pesë qendra përveç Tiranës; në Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan me një afat afat 10-vjeçar dhe me vlerë 8,6 miliardë lekë. Rezultoi si fituese në këtë garë kompania “Evita” sh.p.k për të cilën nuk ka ende asnjë të dhënë të qartë, përveç faktit se ajo rezulton e regjistruar në Tiranë më 14 Maj 2013, e cila përbën dhe shkeljen e parë të vendimit mbi dhënien me koncesion të hemodializës. Megjithatë, kjo shkelje duket asgjë krahasuar me pasojat që mund të sjellë në sistemin shëndetësor Shqiptar një kompani e cila nuk është aspak e njohur në tregun farmaceutik dhe mjekësor.
Menjëherë pas publikimit të lajmit, nga Rrjeti i Reporterëve Investigative të Ballkanit (BIRN), APPA, nisi një kërkim mbi ekzistencën e kësaj kompanie. Të vetmet lajme lidhur me historikun e kësaj kompanie ishin ato lidhur me skandalin në fjalë, megjithatë ne kërkuam në faqen zyrtare të kompanisë, e cila në dukje dukej shumë profesionale, por në përmbajtje nuk gjetëm asgjë. Në seksionin e lajmeve të saj, faqja ishte pa asnjë rresht, duke na bërë të besojmë se nuk fshihet asnjë histori pas kësaj kompanie dhe se ngjitja e menjëhershme fsheh një skenar të shëmtuar.
Kryeministria ka reaguar mbi këtë lajm duke paraqitur disa të dhëna mbi mënyrën e aplikimit apo kriteret për këtë garë koncesioni. Gjithashtu nuk ka hezituar të bëjë publike dhe pikët e vlerësimit nga komisioni, mbi kandidatët në garë, bazuar në kriteret e garës, ku EVITA. Sh.p.k ka fituar me një rezultat të ngushtë me diferencë prej 5.4 pikësh përballë kompanisë kundërshtare në garë.
Kryeministria ka raportuar se EVITA sh.p.k nuk ka konkurruar e vetme në këtë garë por në bashkëpunim me Spitalin Amerikan në Shqipëri. Por, BIRN ka raportuar se administratori i Spitalit Amerikan nuk është përgjigjur nëse kompania që ai përfaqëson ka lidhje me kompaninë “Evita ShPK”. Deri tani nuk ka asnjë qëndrim zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë, përgjegjësja kryesore e çudisë së radhës në sistemin shëndetësor Shqiptar.
Referenca:
Thirrja nga Agjencia e Prokurimit Publik:
http://www.reporter.al/wp-content/uploads/hemodializa_koncesion.pdf
Reporter.al, Tetor 2015, Origjina e dyshimtë e kompanisë që fitoi koncesionin 86 milionë USD të hemodializës:
http://www.reporter.al/origjina-e-dyshimte-e-kompanise-qe-fitoi-koncesion-86-milion-te-hemodializes/
Transparenca, Tetor 2015, BIRN për koncesionin e dializës:
http://transparenca.al/category/post/Transparenca/37/birn-pr-koncesionin-e-hemodializs
Faqia zyrtare e EVITA sh.p.k: http://evitaalbania.com/category/lajmet-e-fundit-en/?lang=en