![Sokol Kondi](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/03/sokol-kondi-300x300.jpg)
Sokol Kondi
1- Mbi “ngrirjen” e ambasadorit të Shqipërisë në Beograd
Ndeshja e futbollit Shqipëri-Serbi, e luajtur më 08 nëntor në Elbasan, pati një ndikim edhe në marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve. Në fakt, episodi i qëllimit me gur ndaj autobusit të kombëtares serbe në Tiranë, një ditë përpara takimit mes dy përfaqësueseve, solli një reagim të menjëhershëm nga ana e ministrisë së Punëve të Jashtme serbe. Kjo e fundit ka thërritur ambasadorin tonë në Beograd Ilir Boçka atë mbrëmje, për t’i përcjellë një notë proteste për rastin e ndodhur.
Ambasadori i Shqipërisë në Serbi refuzoi të shkonte ta tërhiqte notën dhe një gjë e tillë solli një reagim në nivel edhe më të lartë nga ana e qeverisë serbe, e cila nëpërmjet kryeministrit Vuçiç, njoftoi se do të ndërpriste për gjashtë muaj çdo komunikim me ambasadorin shqiptar për shkak të gjestit të tij.
Ambasadori Boçka në disa intervista për mediat shqiptare lidhur me këtë ndodhi, u shpreh se kishte refuzuar që të shkonte në MPJ serbe për të tërhequr notën e protestës për shkak se kishte gjykuar se ishte një orar i vonë dhe se nuk e kishte parë të udhës që për një gur të të shkonte në takim me palën serbe në orët e vona të natës. Në rast se ky qëndrim i ambasadorit ka qenë personal dhe sporadik, ai bie ndesh me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.
Në fakt në bazë të të traktatit në fjalë, për sa iu takon funksioneve të një misioni diplomatik, në nenin 3, pika C, thuhet qartë se detyrë e një ambasadori është: “Të negociojë me qeverinë e Shtetit ku është akredituar”. Moszbatimi i përpiktë i këtij neni sjell tensione të panevojshme dhe përshkallëzime në marrëdhëniet diplomatike që mund t’i përkeqësonin në mënyrë të panevojshme marrëdhëniet mes dy vendeve.
Nga ana tjetër, Z. Boçka, në një intervistë telefonike për një portal shqiptar lajmesh, e quante si praktikë të njohur ndërkombëtare, pezullimin që i kishte bërë qeveria serbe për 6 muaj. Pra e konsideronte si normale një gjë të tillë. Ndoshta intervista e tij qe e pakoordinuar më parë me MPJ-në shqiptare, sepse në qëndrimin zyrtar të kësaj të fundit lidhur me këtë ngjarje, zëdhënësi i MPJ-së do të shprehej se reagimi i qeverisë serbe ndaj diplomatit shqiptar shkonte “përtej rregullave të gjithë-pranuara të së drejtës ndërkombëtare”.
Në fakt qëndrimi i MPJ-së shqiptare është më korrekt dhe në përputhje me Konventën e Vjenës për marrëdhëniet Diplomatike, sepse praktika e pezullimit 6 muaj të marrëdhënieve me një diplomat nuk sanksionohet në këtë traktat. E vetmja formë e ndërprerjes së marrëdhënieve bazuar mbi të drejtën ndërkombëtare është kur i komunikohet me shkrim palës tjetër, se qeveria pritëse nuk dëshiron ta njohë apo të ketë më marrëdhënie me një diplomat të caktuar. Pra vendimi i Serbisë është një vendim i brendshëm që nuk ka efekte de jure / juridike në sferën ndërkombëtare, përveç atyre de facto.
Mosnjohja e të drejtës ndërkombëtare që shfaqi ambasadori në dy rastet në fjalë, na ri sjell në vëmendje shqetësimin që kemi ngritur në disa raporte resht lidhur me emërimet pa shkallët e nevojshme të karrierës që kërkonte ligji në misionet diplomatike shqiptare. Kjo mungesë njohurish mund të përkthehet në raste konkrete në kosto në marrëdhëniet dypalëshe.
2- Incidenti me ambasadën e Shqipërisë në Malin e Zi
Më 24 tetor, gjatë protestave që po zhvilloheshin nga opozita në Podgoricë, u qëllua me gurë edhe ambasada e Shqipërisë në Malin e Zi. Ky është rasti i dytë brenda dy vjetësh. MPJ e Shqipërisë e dënoi këtë akt, duke kërkuar nga vendi fqinj që të merren të gjitha masat për mbrojtjen e godinës dhe të personelit shqiptar dhe tha se mbështet të ardhmen euro-atlantike të rajonit çka nuk mund të “frenohet nga grupe huliganësh, idetë e të cilëve kërcënojnë integrimin e mëtejshëm të rajonit tonë”. Dukë qenë se ky rast është i përsëritur dhe jo sporadik, ndoshta në MPJ-në e Shqipërisë mund të ishte thërritur ambasadori i Malit të Zi, për sqarime lidhur me situatën dhe për masat që po merren që të parandalohen raste të tilla të ngjashme.
Është për t’u habitur që në ueb sajtin zyrtar të ambasadës tonë në Malin e Zi nuk kishte asnjë referencë lidhur me këtë ngjarje, qoftë nga vetë ambasada, qoftë ngaqë qëndrimi i mbajtur nga MPJ e Shqipërisë. Gjithashtu, nuk kishte asnjë lajmërim për qytetarët shqiptarë që ndodhen në Mal të Zi apo për shqiptarët që jetojnë atje, për masat që duhet të marrin që të shmangin tubimet dhe grupimet e dhunshme, gjë që është një praktikë e konsoliduar e diplomacisë “euro-atlantike”.
Në gjendje edhe më të mjerueshme është ueb sajti i Shqipërisë në Beograd, ku nuk ka asnjë të dhënë të freskuar se cili është ambasadori, e jo më të kërkosh ndonjë gjë tjetër. MPJ e Shqipërisë muajin e kaluar paraqiste arritjet e saj 2 vjeçare, por është vërtet për të të ardhur keq që propagandohej si arritje “Reforma në Shërbimin e Jashtëm”, kur shumica e ueb sajteve në këtë shërbim nuk do të ishte aspak e tepruar po të quheshin qesharake. Mjafton t’i vizitoni për ta kuptuar këtë.
3- Drejtori i Kabinetit të Ministrit
Një valë akuzash dhe kritikash mbërritën nga mediat, opozita dhe politikanë të njohur, për faktin se pretendohej që Drejtorit të Kabinetit të Ministrit të Punëve të Jashtme, Pirro Vengu, t’i kishte ardhur një letër nga Greqia, ku i kërkohej që të kryente shërbimin ushtarak në këtë vend.
Ministri hezitoi disa ditë përpara se të shpjegonte për opinionin publik nëse bëhej fjalë për një dyshtetësi, apo nëse drejtori i tij kishte vetëm shtetësi greke. Në kushtet kur bëhet fjalë për mbajtjen e dyshtetësisë, nuk ndodhemi përballë një problemi, pasi ligjet shqiptare e lejojnë një gjë të tillë. Në Shqipëri ka patur edhe ministra me dyshtetësi dhe mbajtja e dy pasaportave nuk e vë automatikisht në rrezik sigurinë kombëtare apo konfidencialitetin e punës në MPJ, sikurse orvateshin të argumentonin disa. Mund të ketë ndodhur ose mund të ndodhë që rreziqe më të mëdha të vijnë nga ata që kanë vetëm shtetësi shqiptare dhe jo anasjelltas, ndaj fenomeni duhet gjykuar me fakte në dorë.
Referenca:
http://ëëë.appatank.org/raport-shtator-2015-ministria-e-puneve-te-jashtme/
https://ëëë.admin.ch/opc/it/classified-compilation/19610070/201406120000/0.191.01.pdf
http://ëëë.ambasadat.gov.al/serbia/