![Flutura Gjana](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/1fgh-e1433254384195.jpg)
Flutura Gjana
- Duam Moratorium për HEC-et
Ministria e Mjedisit nuk po bën asgjë për të mbrojtur lumenjtë shqiptarë.
Edhe për vitet 2015-2017 Ministria e Ekonomisë thuhet se do të vijojnë investimet në këtë fushë me ndërtimin e impianteve të vogla të mesme, por edhe të mëdha. Konkretisht, investimi kryesor do të jetë ndërtimi i HEC-it mbi lumin Devoll me fuqi 280 MW, HEC-i në lumin Osum me (152 MW), HEC-i në lumin Vjosë (350 MW), dhe Skavica në Drin me (200 MW). Në vend që të krijohen barriera dhe të vendosen kritere më të ashpra për realizimin e këtyre investimeve, deklarohet se do të krijohen lehtësirave fiskale dhe procedurale, duke përfshirë skemat për të lehtësuar kreditimin e hidrocentraleve të vogla për realizimin e tyre.
Ministria jonë e Mjedisit nuk reagon ndaj këtij skandali dhe dhunimit që po i bëhet pasurive tona natyrore. Çdo ndërtim i këtyre HEC-eve do të ndikojë negativisht në ekosistemet natyrore të lumenjve tonë. Ndërtimi i HEC-eve në mënyrë të pakontrolluar ka sjellë dëme të ndryshme që lidhen me ndryshimin e biodiversitetit të lumenjve tonë. Dëme që po shihen që tani, si në rastin e Pogradecit, ku inspektori i peshkimit doli në përfundimin se sasia e ngjalës që kapet në këtë liqen është tanimë shumë e vogël. Arsyeja(?), numri i hidrocentraleve të ndërtuara mbi lumin Drin vite më përpara, të cilat kanë bllokuar migrimin e saj prej kaskadës së lumit Drin. Janë dhënë 501 leje për ndërtimin e HEC-eve pa kryer asnjë lloj analize apo studimi paraprak. Duhet të vendoset patjetër moratorium për HEC-et, për të mbrojtur shkatërrimin e kësaj trashëgimie që na ka lënë natyra. Kërkesë kjo që mbështetet nga shoqata dhe ekspertë të mjedisit.
- Aplikacioni Mjedisi im
Teknologjia fatmirësisht ka prekur edhe Ministrinë e Mjedisit. Është prezantuar nga ministri Koka aplikacioni ’’Mjedisi Im’’, me anë të të cilit mendohet të rritet bashkëpunimi qytetar-institucion. Një nismë e kohës që në dukje ka një qëllim të mirë siç është mbrojtja e pasurive natyrore, por ajo çka mungonte në këtë prezantim ishte informacioni për stafin që do të jetë në dispozicion për të marrë, analizuar dhe kontrolluar në terren çdo denoncim që do të bëjnë qytetarët. Nuk jepet asnjë detaj se sa punonjës janë përgjegjës dhe se si do të procedohet duke nisur që në momentin e mbërritjes së denoncimit, e deri në hallkën e fundit atë të marrjes së masave ndëshkimore kundrejt përgjegjësit të dëmit. Urojmë të mos jetë një ”shfaqje” që ka qëllim thjesht për t’u dukur të kohës.
- Pak më afër BE-së
Më 1 tetor, në Sekretariatin e Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike është dorëzuar dokumenti që pasqyron Kontributin Kombëtar të Shqipërisë, për reduktim e Gazeve me Efekt Serrë. Kështu është arritur përmbushja e një nga detyrimeve, në përputhje me rekomandimet e BE-së në Progres Raportin e vitit 2014. Shqipëria është vendi me nivelin më të ulët të emetimit të CO2 në rajon. Qëllimi është ulja me 11.5% e emetimeve të gazrave serrë deri në fund të vitit 2030.
Referenca:
- Artikull: Investimet ne HEC-e arrijne ne 2.6 mld euro. Vjosa, Skavica dhe Osumi ne ndërtim
http://acp.al/news/1353/Investimet-ne-HEC-e-arrijne-ne-2.6-mld-euro.-Vjosa,-Skavica-dhe-Osumi-ne-ndertim - Video: Deklarata të Ekspertëve të Mjedisit
https://www.youtube.com/watch?time_continue=108&v=F4_eVSlfhIQ - Artikull: Prezantohet aplikacioni “Mjedisi Im”
http://www.mjedisi.gov.al/al/newsroom/lajme/prezantohet-aplikacioni-mjedisi-im - Artikull: Shqipëria përmbush një nga detyrimet e saj në përputhje me rekomandimet e BE-së
http://www.mjedisi.gov.al/al/newsroom/lajme/shqiperia-permbush-nje-nga-detyrimet-e-saj-ne-perputhje-me-rekomandimet-e-be-se&page=1