![Megi Llubani](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/Megi-300x300.jpg)
Megi Llubani
1- Fjalime pa shtyllë e premtime boshe
Ministrja e Mbrojtjes shfaqjen e saj të parë publike për muajin tetor e bëri në një takim me pjesëmarrësit e Kursit të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes me pjesëmarrës shqiptarë dhe të huaj. Fjalimi nis me një ‘’premtim’’ për të diskutuar sfidat aktuale dhe të ardhshme të sigurisë në Evropë. Që në fillim shtrohen dy pyetje si më poshtë (që pre supozohet të gjejnë përgjigje në vijim të fjalimit):
1- Si ndikojnë konfliktet aktuale në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme në Ballkanin perëndimor dhe
2- Çfarë është duke bërë komuniteti ndërkombëtar për t’iu përgjigjur çdo sulmi të mundshëm që mund të shkaktohet nga e ashtuquajtura ‘’fuçi baruti’’ e Evropës?
Ajo që vijon pas kësaj është një mish-mash idesh që nuk i përgjigjet asnjërës prej pyetjeve, por ngjan më tepër me një përmbledhje ‘’aksiomash’’ që lidhen kryesisht me integrimin në BE dhe pandashmërisht integrimin në NATO të vendeve të Ballkanit që ende janë jashtë Aleancës. Konflikti në Ukrainë dhe impakti mbi Ballkanin Perëndimor nuk përmenden në asnjë pjesë tjetër të fjalimit; sfidat e ardhshme të sigurisë nuk gjenden askund, përveç një përmendjeje sporadike të fundamentalizmit që nuk trajtohet më tej në detaje se si po ndikon dhe do të ndikojë në zgjidhjen apo përkeqësimin e sfidave të sigurisë në të ardhmen. Pas kësaj bëhet një kalim tek arsyetimi se vendet e mbetura të Ballkanit Perëndimor duhen pranuar në NATO dhe rrjedhimisht edhe në BE. I ashtuquajturi leksion për pjesëmarrësit e kursit më të lartë të sigurisë dhe mbrojtjes ngjason më tepër me një leksion për studentë të vitit të parë në universitet, që mund të përfitonin nga një panoramë e përgjithshme.
Si përfaqësuese e një shteti anëtar në NATO, ministrja e mbrojtjes mund të shfrytëzonte rastin për të ‘’reklamuar’’ rolin e Shqipërisë në përballjen me sfidat aktuale të sigurisë; rolin e Shqipërisë si promovues i integrimit të vendeve të tjera të Ballkanit në Aleancën Atlantike ose fokusin tek sfidat e sigurisë pa devijuar në një tematikë të trajtuar me tepri: Integrimin në BE. Asnjë nga këto nuk ndodhi në një fjalim kaotik dhe që linte për të dëshiruar për nga cilësia.
E njëjta kritikë vlen edhe për qëndrimin e ministres së mbrojtjes në prag të takimit të Ministerialit të NATOs në Bruksel. Në përmbledhjen e deklaratës së saj bie në sy ‘’zotimi’’ për t’i kthyer Forcat e Armatosura Shqiptare në aleate me nivel të barabartë modernizimi me vendet e tjera aleate në mënyrë që të mundësohet jo vetëm siguria e vendit por edhe ajo e rajonit dhe siguria mbarë botërore! Rëndom ndodh që udhëheqësit në Shqipëri të bëjnë premtime që dukshëm janë jo vetëm naive por edhe praktikisht të parealizueshme, sikundër shumë plane veprime dhe strategji kombëtare të cilat vendosin qëllime ambicioze rrallë herë të realizueshme në kornizën kohore të parashikuar (Siç do të shihet në analizën e çështjes në vijim).
2- Objektivat e munguara – përfaqësimi i grave
Shqipëria është një prej vendeve me një ‘’track record’’ impresionues sa i përket nënshkrimit dhe adoptimit të konventave ndërkombëtare dhe obligimeve të tjera që lindin nga e drejta ndërkombëtare. Një ndër problematikat që adresohet shpesh është ajo e integrimit gjinor në të gjitha fushat e vendimmarrjes dhe administratës publike. Në këtë kuadër janë adoptuar një sërë dokumentesh për rritjen e përfaqësimit të grave në Forcat e Armatosura të Shqipërisë.
Tri instrumentet kryesore për arritjen e barazisë gjinore në këto fusha janë:
1- Konventa për eliminimin e të gjithë formave të diskriminimit kundër grave (CEDAË), që përmes raporteve vjetore identifikon synimet e arritura dhe sfidat e mbetura në luftën kundër diskriminimit gjinor. Një ndër problematikat e ngritura nga raportet e viteve të fundit për Shqipërinë ka qenë proporcioni i përfaqësimit të grave në pozicione drejtuese në politikë, administratë publike, drejtësi dhe institucionet e sigurisë. Po t’i referohemi të dhënave të fundit të publikuara nga Zyra e Barazisë Gjinore e NATOs për Shqipërinë, përqindja e grave në Forcat e Armatosura varjon nga 10% në 15% (Shumë larg objektivit të vendosur nga Strategjia Kombëtare e Barazisë Gjinore për arritjen deri në vitin 2015 të kuotës 30% për pjesëmarrjen e grave në këtë sektor).
2- Angazhimi i dytë i rëndësishëm i Shqipërisë në këtë fushë vjen nga adoptimi i Rezolutës së Kombeve të Bashkuara UNSCR 1325 on Women, Pece and Security (Mbi gratë, paqen dhe sigurinë) që lidhet në mënyrë më të drejtpërdrejtë me promovimin e pjesëmarrjes së grave në sektorin e sigurisë dhe ‘’gender mainstreaming’’ në këtë sektor, për hartimin e politikave sensitive gjinore. Me gjithë adoptimin e rezolutës dhe vendosjes së një koordinatori gjinor në Ministrinë e Mbrojtjes, nuk është ende e qartë përse ende nuk është hartuar Plani i Veprimit për zbatimin dhe implementimin e rezolutës në Shqipëri? Ndërkohë në vende të tjera të rajonit si Serbi dhe Bosnje Hercegovinë Plani i Veprimit jo vetëm që është hartuar por në raporte të ndryshme në kuadër të rezolutës theksohen edhe rastet pozitive dhe praktikat më të mira që ofrohen nga këto dy vende. Ende nuk është kuptuar arsyeja praktike përse Shqipëria po vonon përtej limiteve të pranueshme në hartimin e një dokumenti kaq praktik? Do të kërkonim më tepër transparencë nga ana e ministrisë në publikimin e njoftimeve për ecurinë në hartimin e planit dhe ndarjen e tij me të gjithë aktorët e interesuar, që mund të kenë një kontribut të vlefshëm në implementimin e duhur të tij. Kjo bëhet edhe më domethënëse për vetë faktin që Shqipëria mund të ofrojë për momentin një shembull tejet pozitiv duke qenë se vetë ministria e mbrojtjes drejtohet për herë të parë në Shqipëri nga një grua. Kjo bën që vendi të renditet ndër të paktat shtete që kanë aktualisht ministre gra si në rajonin e Ballkanit ashtu edhe në BE. Në fakt, është zhgënjyese që në platformën e administrimit të ministres së mbrojtjes nuk del si dominues dhe i rëndësishëm ky dimension i qeverisjes së sektorit të sigurisë. Përtej ndryshimit të imazhit të këtij institucioni duke i rikthyer dinjitetin forcave të armatosura, angazhimi më i madh i grave në të gjithë nivelet e administrimit të këtij sektori do të ishte me përfitim për të gjithë. Në misionet paqeruajtëse në të cilat Shqipëria është gjithnjë partner i gatshëm dhe i zellshëm, vihet re një mungesë e theksuar e grave që varjon nga 0% në misionet e BE-së dhe OKB-së në 0.14% në operacionet e NATOs, një shifër dukshëm e parëndësishme.
Referenca:
Fletorja Zyrtare e Republikës së Shqipërisë numër 122. 16 korrik 2015. Online:
http://www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2015/PDF-2015/122-2015.pdf
Ministria e Mbrojtjes. Faqja zyrtare. Online:
Strategjia Kombëtare e Barazisë Gjinore 2011 – 2015. Online:
NATO Office on Gender Perspective. 2013. The National Report 2013 – Albania. Online:
http://www.mod.gov.al/eng/images/PDF/gender_equality_oppurunities_2013.pdf
NATO Science for Peace Security Programme. 2015. UNSCR 1325 Reloaded. Online:
http://ëëë.nato.int/issues/nogp/meeting-records/2015/UNSCR1325-Reload_Report.pdf