
Blerina Llalla
1- Historia dhe kultura
Muaji Tetor përpos aktiviteteve të ndryshme artistike e kulturore mbështetur nga Ministria e Kulturës apo në vartësi të saj erdhi sërish i trazuar në lidhje me projektin ADRIFORT i cili solli replika dhe revolta ndërmjet publikut, historianëve dhe Ministrisë së Kulturës përgjatë muajit shtator. Kjo, në lidhje me vendosjen e pllakatës me mbishkrime në osmanisht. Këtë muaj u bë publik vendimi për largimin e Drejtorit të Kulturës në Lezhë i cili shkarkohej nga detyra për tre arsye me vendim nga Ministria e Kulturës nga ku theksohet njëra prej tyre që lidhet me; daljen publike pa lejen e zyrtarëve të dikasterit të kulturës.
Kjo ka sjellë dhe reagimin e ish Drejtorit, z. Paulin Zefi i cili e lidh shkarkimin nga detyra me motivin e kundërshtimit të vendosjes së pllakatës të Sulltan Sulejmanit ne hyrje të Kalasë së Lezhës.
Përgjatë një daljeje publike ai thekson se:
“Problemi im ishte tek kundërshtimi im i hapur nëpërmjet argumenteve të mia shkencore për vendosjen e gabuar të pllakatit me mbishkrim në osmanisht mbi portën e Kalasë së Lezhës, dhe ky qëndrim i hapur, kundër vendimit të gabuar nga ana e MK, më ka kushtuar edhe dy masa të tjera disiplinore që s’kanë asnjë lloj baze dhe etike profesionale. Kam mbuluar në mënyrë intensive të gjitha monumentet e Qarkut Lezhë, me një pagë e cila s’ më mbulonte as shpenzimet dy javore në shërbim të kësaj pune”
Sipas pretendimeve të tij dhe arsyeve të pushimit nga puna të bëra publike nga mediat dhe shtypi i shkruar mund të lindë natyrshëm pyetja:
A mund të jetë i drejtë ky vendim nga ana e MK i cili vjen dhe me një nga motivacionet e sipërpërmendura? Pasi mund të jetë në kundërshti me të drejtën e fjalës së lirë, apo opinionit të pa censuruar të një punonjësi të administratës Shqiptare. A duhet të jenë daljet publike të nëpunësve apo titullarëve të komanduara dhe me miratim leje për fjalim publik?
Këto ngjarje nuk kanë zbutur klimën e debatit të krijuar që vijoi përreth dy muaj dhe deri më sot palët e interesuara nuk janë ulur ende, përfshirë këtu dhe historianë apo specialistë të fushës për të rishqyrtuar këtë vendim. Disa prej specialistëve kanë kërkuar dhe zhvendosjen e saj në një kënd tjetër të Kalasë duke argumentuar se ai nuk e ka vendin në hyrje. Ndërkohë që edhe gjatë këtij muaji kanë vijuar sulmet mbi pllakatën nga persona të paidentifikuar (sipas informacioneve publike) të cilët e kanë dëmtuar për të disatën herë. Specialistët e IMK vendosën heqjen e saj me qëllim restaurimin. Për këtë Ministria e Kulturës vjen dhe me një deklaratë për shtyp:
Në datën 05.10.2015, pllaka me mbishkrimin osman, e cila është e vendosur në hyrje të kalasë së Lezhës është dëmtuar nga persona ende të paidentifikuar. Dëmtimet janë vënë re mëngjesin e së hënës nga punonjësit e kalasë. Pas njoftimit të marrë nga punonjësit e sektorit Lezhë, lidhur me dëmtimin e pllakës së mbishkrimit osman në hyrje të Kalasë së Lezhës, specialistët e DRKK Shkodër, kryen verifikimin e menjëhershëm në vend të dëmit të shkaktuar. Nga inspektimi i pllakës u konstatua se ka dëmtime në konturin e saj, në pjesën e majtë të sipërme dhe në mes djathtas, dëmtime vërehen edhe në një pjesë të madhe të relievit të shkronjave. Për sa më sipër u bë kallëzimi pranë organeve të rendit. Ministria e Kulturës ka ndjekur me shqetësim dhe përgjegjësi situatën në vend. Një grup specialistësh kanë inspektuar ngjarjen nga afër në Kalanë e Lezhës. Nga ekspertiza e kryer në vend nga specialistët e IMK-së dhe të DRKK-së, në vijim të dëmtimeve të pllakës së mbishkrimit në hyrje të Kalasë së Lezhës, rezultoi heqja e pllakës për ta restauruar nga dëmtimet e ditëve të fundit. Pllaka me mbishkrimin Osman, e vendosur në datën 22 tetor 2015 në hyrje të Kalasë së Lezhës ndodhet sot në laboratorin e IMK-së. Ministria e Kulturës dënon këtë akt dhune kundër trashëgimisë kulturore. U bëjmë thirrje organeve të drejtësisë të ndjekin të gjitha procedurat ligjore për këtë akt flagrant.
2- Vazhdimësi Restaurimesh
Në fillim të muajit tetor u përurua përfundimi i restaurimit të Pazarit të Vjetër të Korçës projekt i cili u realizua nëpërmjet marrëveshjes së bashkëfinancimit nga Qeveria Shqiptare dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. Tashmë pritet të vijojë dhe faza e dytë e këtij projekti sipas deklaratave të përfaqësuesve institucionalë nga ku do të vijohet me rikonstruksionin e sheshit përpara pazarit i cili do të lidhet më pas me Xhaminë e Iljaz bej Mirahorit. Sikurse ishte thënë gjatë muajit shkurt të këtij viti projekti i plotë do të implmentohej brenda harkut kohor prej tetëmbëdhjetë muajsh nga ku deri në fund të këtij viti pritej përmbyllja e kësaj faze që tashmë u krye. Pra me sa mësojmë, faza e dytë e këtij projekti parashikon ri jetësimin e trashëgimisë kulturore. Gjatë fjalës së saj Ministrja Kumbaro shprehet se qytetarët duhet të ndërgjegjësohen për mirëmbajtjen e këtij Monumenti Kulture.
Njëkohësisht në fillim të këtij muaji është lançuar fillimi i projektit për restaurimin dhe rivitalizimin e Pazarit të Ri të Tiranës nëpërmjet një bashkëfinancimi nga Bashkia e Tiranës dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit. Marrëveshja është firmosur nga Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro prezente gjatë çeljes së punimeve për fillimin e implementimit të projektit. Nëse do të shihnim daljet publike të Kryetarit të Bashkisë Tiranë vëmë re se përmendet kryesisht vetëm partneriteti Lokal me AADF, ndaj pak më tepër informacion mbi këtë projekt gjejmë në profilin e Ministrisë së Kulturës në rrjetin social Facebook, vijon si më poshtë:
3- Pas Beratit, Krujës, Korçës, i erdhi radha Tiranës!
Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës, në një bashkëpunim të ri me Ministrinë e Zhvillimit Urban, Bashkinë e Tiranës, dhe me partnerin tonë të çmuar, Fondacioni shqiptaro-amerikan i zhvillimit, dhe AADF, nisën punimet për restaurimin dhe ri jetësimin e Pazarit të Ri të Tiranës. Faza e parë e projektimit mbaroi, tani Instituti I Monumenteve të Kulturës do të vijojë bashkë me partnerët ndjekjen e zbatimit të tij. Trashëgimi historike për një Zhvillim të ri – kjo është motoja jonë, për të mbrojtur e restauruar trashëgiminë kulturore të qendrave historike të qyteteve tona, jo si natyra të qeta por si vatra zhvillimi social dhe ekonomik.
Projekti është mirëpritur nga të gjithë qytetarët, por shqetësime kanë pasur vetëm tregtarët të cilët do të duhet të tregtojnë me një orar të caktuar gjë që u krijon vështirësi në zhvendosjen e produkteve. Gjithsesi zgjidhjet s’do të mungonin në raste të tilla, ky është një rast i mirë që vlen edhe për vetë konsumatorët, banorët dhe qytetin e Tiranës për rikthimin në kushte më optimale të kësaj zone të cilësuar mjaftueshëm të ndotur shumë pranë qendrës së qytetit, po aq sa dhe në përmirësimin e kushteve të shërbimeve publike.
Projekti në fjalë parashikon rehabilitimin e sheshit “Avni Rustemi” dhe zonës së Pazarit të Ri po ashtu kthimin e tij në parametra modernë që do t’i shërbejë jo vetëm rivitalizimit të kësaj zone por edhe sipërmarrjes, biznesit e konsumatorëve.
Referenca:
http://www.shekulli.com.al/p.php?id=326922
http://www.kultplus.com/?id=7&l=10710
https://www.facebook.com/media/set/?set=a.1708156062730229.1073741920.1426548810890957&type=3
http://www.kultura.gov.al/al/newsroom/lajme/marreveshje-bashkepunimi-pazari-i-ri&page=3
http://www.kultura.gov.al/al/newsroom/lajme/marreveshje-bashkepunimi-pazari-i-ri&page=3
http://fax.al/read/news/1412880/10334862/nisin-punimet-per-rivitalizimin-e-pazarit-te-ri
http://shqiptarja.com/video/index.php?IDVideo=37234&IDCategoria=7