1- Të jesh diplomat apo të mos jesh diplomat?!
Gjatë këtij muaji, që i paraprin edhe Raportit të Komisionit Europian mbi përmbushjen e 5 prioriteteve, Ministri i Integrimit Znj. Gjosha ka kryer një sërë takimesh me disa zyrtarë në Francë dhe Spanjë. Natyrisht kjo është një strategji politike që është përdorur historikisht e duke përdorur diplomacinë, nga njëra anë duke tentuar që Shqipëria të lobojë për mbështetje midis disa nga vendeve më të fuqishme europiane dhe nga ana tjetër, kjo ka qenë një mundësi se si deklaratat diplomatike të partnerëve të mund të përdoren politikisht për të drejtuar ligjërimin publik në vendin tonë. Ajo që na ka bërë përshtypje është se Znj. Gjosha nuk ka mundur të jap një mesazh të qartë e kompakt, që të pasqyrojë gjendje e vendit të saj dhe vendosmërinë për përmbushjen e standardeve të integrimit, përtej pretendimeve të zakonshme.
Ajo që do duhej në këtë kontekst është që Znj. Gjosha të përcillte të njëjtin mesazh gjatë çdo vizite, por përkundër kësaj në takimin me Këshilltarin e Kryeministrit për Çështjet Europiane të Spanjës, z. Jorge Toledo Ministri thekson se Shqipëria është e përkushtuar ndaj reformës në drejtësi, pa të cilën nuk mund të shpresojmë hapen negociatat me BE. Ndërsa në dëgjesën me anëtarët e Komisionit për Çështjet Europiane në Asamblenë Kombëtare Franceze Znj. Gjosha ka marr një tjetër pozicion, duke deklaruar se hapja e negociatave të duke vlerësuar performancën e duhet parë si një shtysë në procesin e integrimit dhe sidomos sipas fjalëve të saj: “… duam që qytetarët shqiptarë të kenë nxitjen e nevojshme për të besuar njësoj si tani tek ky proces”, duke aluduar se një hapje e negociatave duhet parë si motivim për të ecur me reformat dhe me një nëntekst që qytetarët shqiptar mund të humbasin besimin te BE nëse procesi zgjatet. Ndoshta deklarata është bërë për faktin se Franca perceptohet si një aktor shumë më i fortë se Spanja brenda Bashkimit Europian dhe frika nga një humbje besimi do i bëjë vendet anëtare të anashkalojnë ecurinë e reformave në favor të ruajtjes së besimit e simpatisë së Shqiptarëve.
Një qasje realiste dhe ndryshe nga ana jonë do ishte të tregonim progresin e arritur, të njihnim dobësitë tona dhe të theksonim se presim që të vlerësohemi sipas performancës dhe se raporti do jetë vetëm një shtysë që qeveria të punojë më fortë, pa tentuar t’i jepet BE një perspektive e errët “Çfarë do ndodh, nëse ju nuk tregoheni të mirë me në!”. Në rastin më të optimist qeveria aktuale shpreson të marr një opinion sa më pak kritikë dhe kjo strategji, nëse realisht ekziston një e tillë, është ndjekur edhe nga shefi i Kabinetit Z. Rama në deklaratat e dyshimta publike në lidhje me integrimin. Mendojmë se do ishte me frytdhënëse nëse para BE do mund të paraqitej një qeveri e vetëdijshme, që nuk përpiqet të fsheh punën që ka përpara, që nuk përpiqet të justifikohet apo të kërkojë trajtim preferencial, si mënyra e vetme për t’u paraqitur si përfaqësues të ndërgjegjshëm, për të paraqitur një qëndrim ndryshe nga qeveritë paraardhëse për t’i dhënë vendeve të BE të kuptojnë se i marrim seriozisht angazhimet e vendit e nuk do vazhdojmë në vazhdën e dyshimtë të instrumentalizimit të procesit të integrimit për qëllime elektorale.
2- Kontributet e Qeverisë Shqiptare “Raport Progresi 2015” dhe reforma në drejtësi
Kjo është një rubrikë e shtuar së fundmi në Faqen Zyrtare të Ministrisë së integrimit dhe tenton të informojë publikun mbi progresin e bërë nga ana e qeverisë shqiptare në kuadër të procesit të integrimit, duke iu referuar të gjithë kapitujve të Aquis Communitaire, një zhvillim që megjithëse me vonesë, duam ta përshëndesim. Natyrisht kemi rezerva mbi mënyrën se si ministria vendos të publikojë këto raporte sepse duke u vlerësuar si progres – raporte, këto të fundit duhet të publikohen në një distancë kohe nga njëri-tjetri, për t’i lënë publikut kohë të reflektojë mbi zhvillimet e periudhës së parë dhe të dytë, ndërkohë që raportet në fjalë janë publikuar gjatë muajit tetor 2015 njëkohësisht. Një analizë e detajuar e raporteve është një detyrë pothuajse e pamundur në kompleks, duke qenë se raporti nuk është i strukturuar në mënyrë të atillë që të të ofrojë të dhëna të krahasuara për të kompensuar mungesën e publikimit të raportit të parë në kohë, përkundrazi si gjithmonë ofrohen të dhëna sasiore pa bashkangjitur referencat përkatëse ku mund të vërtetohen. Në thelb nëse marrim të mirëqena që qeveria ka bërë progres në terma sasior për ligjet që duhet të miratonte, një gjë bëjnë të dukshme këto progres raporte të qeverisë: nevojën për një reformë në sistemin gjyqësor, e cila është trumbetuar nga partnerët ndërkombëtar vazhdimisht gjatë këtij viti. Mosfunksionimi apo funksionimi gjysmak i sistemit në drejtësi në vetvete e bën të pamundur që të vlerësohet performanca e legjislativit e akoma më tepër e ekzekutivit me kompetencat e tij të gjera. Nga e njëjta qasje që i vendos pushtetet të balancojnë e kontrollojnë njeri-tjetrin, ajo që mbetet pikëpyetja më e madhe mbi këtë reformë nuk është a është përgatitur një reformë ë mirë nga ekspertët, por nga kush do të implementohet ajo. Natyrisht në thelb reforma mund të jetë hartuar shumë mirë, por kush do ta implementojë atë?
Nga vetë përfundimi që jepet në dokumentin STRATEGJIA E REFORMËS NË SISTEMIN E DREJTËSISË e përfunduar në 24 korrik të këtij viti, për të arritur një reformë të suksesshme ekspertët kanë vlerësuar se do duhet të votohet për ndryshime të rëndësishme në kushtetutë për të ripërcaktuar kompetencat dhe raportin mes 3 hallkave vendimmarrëse. Nisur nga kjo premisë, vendimet do duhet të kalojnë në Parlament dhe midis interesave partiake, atyre elektorale, faktit që partner të rëndësishëm si SHBA insistojnë për praninë e personave me rekorde kriminale në parlament, aferat e ndryshme të pa hetuara ku përfshihen pikërisht anëtar të parlamentit, qoftë të qeverisë aktuale apo atyre para saj, qytetarët shqiptar në mënyrë të pavetëdijshme janë shumë të shqetësuar mbi përfundimin e kësaj reforme jetike për demokracinë e vendit tonë.
Referenca: